Pasuria
Kreu i Shërbimit Informativ ka deklaruar historinë e të ardhurave të tij nga puna në Kanada dhe jeta në Shqipëri
Fatjona Mejdini
Visho Ajazi Lika, i cili aktualisht është edhe drejtuesi i Shërbimit Informativ Shtetëror, e ka deklaruar pasurinë e tij për herë të parë në vitin 2009, kohë në të cilën ai mori pozicionin e zëvendësministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë. Në këtë kohë, Lika ka deklaruar pasurinë që kishte arritur të akumulonte gjatë gjithë jetës, e cila rezulton të jetë krijuar në Kanada, vend në të cilin kreu i ri i SHISH-it ka kaluar rreth tetë vite të jetës së tij. Ajo që bie në sy lidhet me faktin se Lika ka preferuar që të ardhurat e fituara nga puna dhe kursimet për pensionin t’i investojë në kompani të specifikuara për menaxhimin e të ardhurave. Por ndonëse me profesion matematikan, kreu i ri i SHISH-it ka arritur të përfitojë shtim të të ardhurave, por përkundrazi ai ka humbur dhe jo pak, por 40% në total të të ardhurave të tij nga këto investime. Nga ana tjetër, viti 2010 i ka sjellë të ardhura të mira Likës, jo vetëm nga paga si zëvendësministër, por edhe pjesëmarrja e tij në ekspertiza të shumta dhe nga mësimdhënia.
Investimet në Kanada
Visho Lika ka deklaruar se ai ka investuar 60 mijë dollarë kanadezë (CAN) fond pensioni në një shoqëri të quajtur “Mutal Funds Standart Life” në Kanada, me qëllimin investimin e tyre nga kjo kompani dhe për pasojë rritjen e përfitimeve personale. Të njëjtën gjë ai ka bërë dhe me një shumë tjetër prej 50 mijë CAN, të cilën e ka depozituar pranë “Canadian Bank Of Comerce” (CIBC), përsëri me qëllimin për të rritur të ardhurat e tij. Por këto investime nuk i kanë sjellë frytet e pritura, por përkundrazi humbje të të ardhurave. Kështu, në vitin 2009, Lika deklaron se gjatë vitit 2009 për depozitën 60 000 CAN ka pasur një humbje 30% dhe po kështu të njëjtin vit për shumën 50 000 CAN ka pasuar një humbje 30%. “Ishte supozuar që investimet e mia të sillnin të ardhura, por që prej mesit të vitit 2008, ato kanë pasur një humbje që kanë shkuar tek 40%”, pohon vetë Lika në deklaratën e pasurisë së vitit 2009. Po atë vit ai deklaron pronësinë e një makinë tip “Free Lander” e vitit të prodhimit 1999 dhe me një vlerë prej 9600 USD. Ai deklaron edhe 500 euro, plus 400 USD në cash.
Puna në Shqipëri
Duket se kthimi si numri dy i Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë i ka sjellë përfitime të qëndrueshme Likës dhe kjo vihet re në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2010. Në këtë vit, ai deklaron se ka të ardhura nga paga si zëvendësministër prej 1.6 milionë lekësh. Rreth 77 mijë lekë ai deklaron se i ka përfituar nga pjesëmarrja në bordin e Agjencisë së Kërkimit dhe Teknologjisë së Informacionit (AKTI). 223 mijë lekë atij i janë shtuar nga dietat dhe honoraret, shto këtu dhe 129 mijë lekë nga rimbursimi i karburantit. 789 mijë lekë të ardhura Lika i ka përfituar nga programi i qeverisë “Brain Gain” dhe po kështu 1144 euro si pedagog i jashtëm në UNYT. Nga ana tjetër, ai deklaron se ka përfituar 100 euro për vitin 2010 nga konsulenca për programin mësimor të TIK në Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës.
Kredia
Në deklaratën e pasurisë për vitin 2011, Visho thekson se ka marrë një kredi prej 5 milionë lekësh për strehim
Informacioni
Jeta personale, divorci dhe detyrimet ndaj së bijës
Zbardhja e deklaratave të pasurisë së Visho Likës zbulon edhe shumë dimensione të jetës private të tij. Një nga këto aspekte është edhe divorci me bashkëshorten, të cilën Lika duket se e ka kryer pak para vitit 2009, divorc i cili është kryer në Kanada. Në deklaratën e tij të pasurisë, kreu i ri i SHISH-it deklaron se ai ka përfituar 40 000 CAN si pasojë e pjesës së tij të shtëpisë, pas ndarjes nga bashkëshortja. Në këtë kuadër ai deklaron se në vitin 2009 ka paguar një shumë prej 6 900 CAN si pasojë e detyrimit financiar që i rridhnin nga divorci. Nga ana tjetër, ai deklaron se nuk e suporton financiarisht djalin e tij, i cili ka një moshë madhore dhe mesa duket ka të ardhura të mjaftueshme. Po në vitin 2009, ai deklaron se i ka dhuruar vajzës së tij një makinë “Chevrolet Tracker” me vlerën rreth 3000 CAN. Lika nuk ka qenë një personazh televiziv për publikun shqiptar dhe duket se e ka ruajtur me fanatizëm figurën e tij publike, pavarësisht postit si zëvendësministër.