Naftëtarët e Ballshit, tre muaj pa rroga

ARMO përballë borxhdhënësve

Azerët - Burimi i parave që u përdorën për blerjen e ARMO-s nga një kompani shqiptare u përfol gjerë e gjatë përgjatë shumë viteve, ndërsa së fundi, u konfirmua se paratë patën ardhur nga banka shtetërore e Azerbajxhanit. Banka kërkon 115 milionë euro në formën e principalit 75 milionë dhe interesave për katër vitet e fundit.

“Albpetrol” - Kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës kërkon rreth 40 milionë euro borxhe të krijuara nga dorëzimi i naftës bruto tek ARMO përgjatë viteve dhe mosshlyerjes së rregullt të faturave nga ana e kësaj kompanie. “Albpetrol” ishte këshilluar nga FMN-ja t’i kërkonte paratë me gjyq tri vite më parë, por u “kujtua” vetëm më 1 gusht 2012.

“Bankers” - Kompania kanadeze e nxjerrjes së naftës ka ndërprerë në shumë raste shitjen e naftës tek ARMO, si pasojë e mosshlyerjes së rregullt të faturave dhe në disa raste ka kërkuar letër krediti apo garanci të tjera

Taksat - Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave thonë nën zë se ARMO nuk i shlyen rregullisht taksat, por deri më sot nuk kanë bërë ndonjë përpjekje serioze për të mbyllur evazionin fiskal, për shkak të koniunkturës politike.

Punojnë për kompaninë ARMO, por kanë që në maj që nuk paguhen

Rreth 1300 naftëtarë të qytetit të Ballshit, të cilët punojnë në rafinerinë e naftës ARMO, kanë disa muaj që nuk paguhen rregullisht nga kompania, e cila u privatizua në masën 85 për qind në vitin 2008 dhe që aktualisht është nën sekuestro të përkohshme nga Gjykata e Tiranës për llogari të një banke shtetërore të Azerbajxhanit.

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta “Idea”, e cila u referohet disa letrave të dërguara nga punëtorët pranë Avokatit të Popullit, si dhe konfirmohet nga disa punonjës të kompanisë të kontaktuar nga gazeta “Shqip”.

Naftëtarët i shkruajnë gazetës “Idea”, një publikim ky në internet, ku i ankohen se Avokati i Popullit nuk pranon të ngrejë zërin për këtë shqetësim, pasi nuk ka marrë një ankesë formale nga naftëtarët, por vetëm letra.

Shumë naftëtarë, ndonëse raportojnë se kanë shumë muaj që nuk marrin pagën e zakonshme, refuzojnë të dalin në protestë të hapur nga frika e pushimit nga puna.

“Në denoncimin e fundit që dërgojnë në adresë të gazetës sonë, ata shprehen se i janë drejtuar për ndihmë edhe Avokatit të Popullit, të cilit i kanë kërkuar që të zbresë në “bazë” për të parë nga afër gjendjen e naftëtarëve. Por sikurse shprehen ata, zyra e Avokatit të Popullit u ka kërkuar që ata të paraqiten në zyrat e këtij institucioni për të depozituar ankesat”, shkruan gazeta “Idea”.

Kompania ARMO disponon dy rafineri, një në Ballsh dhe një në Fier dhe është themeluar rreth një dekadë më parë, kur qeveria shqiptare vendosi të ndajë industrinë e naftës në tri kompani të veçanta, nxjerrja, përpunimi dhe kërkimi i naftës.

ARMO dhe dy rafineritë u privatizuan në vitin 2008 nga një konsorcium, ku bënin pjesë kompani nga Shqipëria, Teksasi e Zvicra, por që vetëm pak muaj pas privatizimit, kompanitë e huaja i shitën aksionet duke lënë vetëm kompaninë shqiptare AMRA me drejtues të përgjithshëm Rezart Taçin.

Burimi i financimit të blerjes së ARMO-s rezulton se është në masë dërrmuese një bankë shtetërore nga Azerbajxhani, një vend i qeverisur si feud privat nga familja e Presidentit Aliyev. Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit ka kërkuar së fundmi 115 milionë euro nga AMRA Oil dhe Gjykata e Tiranës ka bllokuar të drejtën e shitjes së pronave dhe aksioneve të kësaj kompanie te palët e treta deri në përfundim të gjyqit.

Që nga koha e privatizimit, ARMO është dëgjuar shpesh për vonesa në shlyerjet e pagave, borxhe të akumuluara ndaj kompanive që i shesin naftë bruto apo qeverisë në formën e taksave.

Zyrtarë të ndryshëm të qeverisë pranojnë nën zë një shkallë të gjerë të evazionit fiskal nga ARMO, por reagimet për ndalimin e evazionit kanë qenë të dobëta.

ARMO është një rafineri që punon që nga vitet ’60 dhe prodhon naftë e nënprodukte nafte duke kontrolluar deri një të katërtën e tregut të karburanteve në Shqipëri. Në një situatë normale, kjo kompani do të ishte një bazë e konsiderueshme ekonomike për Shqipërinë. Një privatizim i dyshimtë për një kompani me përmasat e kioskës përballë gjigantit ish-shtetëror e ka zhytur rafinerinë e naftës në një situatë të tillë ku nuk paguan pagat e punëtorëve, pavarësisht se realizon mbi 100 milionë euro të ardhura në vit. Gj. Erebara

Autor te 11 Gusht 2012. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • drita.c

    Me duket komplet e sajuar ky lajm. Babi im punon ne rafinerine e ballshit edhe eshte paguar rregullisht. Mund te them qe tani puntoret jane te shqetesuar per situaten …tani me situaten e krijuar se fundmi kane frike se mos humbin punen. Me vjen cudi me gazeten tuaj qe japin lajme pa verifikime por shkruajne gjera qe thote ‘nje mik qe do te miren’. E ka menduar gazetari/ja qe mund te jete nje trillim? Ka bere verifikimet para se te shkruaj?