Deputeti i PS ka komentuar ndryshimet e fundit politike në institucionet shtetërore duke i konsideruar si monokratike


Lëvizjet më të fundit në politikën shqiptare, siç është dekretimi nga presidenti Nishani i shkarkimit të kreut të SHISH, Bahri Shaqiri dhe emërimi në këtë post i Visho Ajazit janë komentuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko gjatë një takimi me të rinjtë e FRESH-it, në bregdetin e Jugut. Majko i ka parë si tejet shqetësuese lëvizjet e fundit, dhe si një përpjekje të kryeministrit Berisha për të vënë nën kontroll të gjitha institucionet  e vendit.


SHISH ishte institucioni i fundit, drejtuesi i të cilit nuk ishte ndryshuar nga viti 2005. Me dekretimin e Presidentit të Republikës të ish-zëvendësit të Gazidedes, para vitit ‘97, ne kemi një histori shtetërore që nga maja deri në fund është kthyer në një institucion monokratik, nën urdhrat e një njeriu. Realisht ne themi që kemi Republikë Parlamentare, që kemi President, Parlament, që kemi Gjykatë Kushtetuese, kemi Gjykatë të Lartë, që kemi institucione të pavarura, por në terma konkretë, për fat të keq, ne duhet t’i pohojmë vetes që ky vend është nën urdhrat e një njeriu”, – tha deputeti socialist.


Më tej Majko u ndal tek çështja e shumëdiskutuar e imunitetit, duke treguar se si edhe në këtë rast kemi të bëjmë me vendosjen e shtetit në duart e një individi të vetëm, pasi po ndiqen dy standarde lidhur me çështjen e referendumeve popullore. Majko risolli edhe një herë në vëmendje çështjen e referendumit të importit të plehrave, të kërkuar nga shoqëria civile, që u shty nga ana e KQZ-së, një institucion sipas tij, nën urdhrat e Berishës.


Ndërkohë sipas Majkos, në rastin e referendumit për imunitetin, të urdhëruar nga kryeministri, synohet të veprohet me urgjencë në zbatimin e procedurave. Sipas deputetit të PS, siguria e pushtetarëve që kërkojnë me ngut heqjen e imunitetit lidhet me faktin se të gjitha institucionet e shtetit i emëron partia në pushtet, e cila në këtë mënyrë është gjithmonë  e mbrojtur.


11 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)