Kandidati republikan për president të SHBA-ve, Mit Romni ka zgjedhur kongresmenin Pol Rajan si kandidat për zv/president të vendit. Kampi i fushatës së Romnit e ka bërë këtë njoftim ditën e sotme, duke konfirmuar raportet e mediave, që thoshin se ai ka zgjedhur ligjvënësin nga Uiskonsini dhe kryesuesin e Komitetit për Buxhet të Dhomës së Përfaqësuesve.
Njoftimi u bë ndërsa ish-guvernatori i Masaçusetsit, Romni, pritet të fillojë një turne katërditor me autobus përmes shteteve kryesore si Virxhinia, Karolina Veriore, Florida dhe Ohajo.
Rajan është një konservator i palëkundur që entuziazmon bazën republikane dhe i kundërvihet skepticizmit për të shkuarën e Romney-t, si guvernator i një shteti tradicionalisht liberal, siç ishte Masaçusets. Në listën e kandidatëve për zëvendëspresident ishte edhe përfaqësuesi i Ohio-s Rob Portman 56 vjeç dhe ish-guvernatori i Minesotas Tim Polenti, 51 vjeç.
11 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)