Salihi jashtë 18-shes, s’bën polemikë

“Ai është trajneri, ai vendos për gjithçka, unë i respektoj zgjedhjet e tij”

Hamdi Salihi dhe Maikon Santos janë dy lojtarët më të paguar të skuadrës amerikane DC Junajtid, por për ndeshjen e radhës sot kundër Sporting Kansas Sitit, të dy sulmuesit janë lënë jashtë 18-shes për shkak se trajneri Ben Olsen i shikon të papërshtatshëm për mënyrën e lojës që ai ka në mendje. Madje sulmuesin shqiptar duket se e ka bërë traditë stolin, pasi ai ka qenë vendi që tekniku i ka rezervuar dhe në dy ndeshjet e fundit miqësore kundër Paris Saint-Germain dhe Kolumbus Kjru, edhe pse ai konsiderohet si një nga lojtarët me një nuhatje të theksuar të golit. Mediat e njohura të Uashingtonit, në momentin që mësuan se Salihi rrezikonte të mos ishte as në 18-she, pyetën se mos ishte i dëmtuar. Por trajneri Ben Olsen theksoi se është vendimi i tij dhe jo ndonjë dëmtim i mundshëm. “Ai është i shëndetshëm, është në formë, po luan mirë, por unë kam 18 lojtarë të domosdoshëm për këtë ndeshje. Po të kisha 20, nuk ka problem, por kjo nuk do të thotë se të dy lojtarët janë të përjashtuar përgjithnjë. Thjesht në këtë ndeshje, për mënyrën e lojës që do të luajë skuadra, mendoj se ata të dy janë të panevojshëm”. Gjithsesi, situata për sulmuesin shqiptar, i cili u transferua me shumë bujë tek skuadra e njohur amerikane, nuk duket shumë premtuese. Stoli edhe më pas përjashtimi nga 18-shja janë sinjale negative. Megjithatë bomberi kuqezi zgjedh të reagojë në mënyrë profesioniste, duke mos polemizuar, por thjesht duke theksuar se ai respekton zgjedhjet e trajnerit, pasi ai është i vetmi që mund të vendosë. “Kjo që po ndodh sigurisht nuk është e mirë, por duhet ta pranosh këtë gjë, sepse ai është trajneri”, tha Salihi pas lënies jashtë ekipit. “Në një ndeshje tjetër, ndaj një kundërshtari tjetër, ai do të bëjë zgjedhje të tjera. Është mirë kur ka alternativa të shumta. Ndaj mendoj se s’ka arsye pse të zemërohem. Unë do të vazhdoj të punoj, sepse të gjithë do të kenë minutat e tyre në dispozicion”. Madje Salihi vazhdon më tej duke mbrojtur trajnerin Olsen, të cilin e justifikon se po bën punën siç duhet. “Trajneri thotë të njëjtat fjalë për të gjithë, sqaron bomberi kuqezi. Ai na shikon çdo ditë se sa japim në stërvitje. Kur ai mendon se ku lojtar apo ky tjetri është më i mirë për këtë sistem dhe i përshtatet asaj që ai ka në mendje për një ndeshje të caktuar, mendoj se bën zgjedhjen e duhur”. Për momentin palët po ruajnë pozicionet, por nuk dihet se sa do të zgjasë kjo, nëse situata vazhdon të jetë e tillë.

Autor te 11 Gusht 2012. Sport. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry