Deklarata
Deputetja e PS-së, anëtarja e komisionit të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu ka reaguar ndaj dhunimit të kryer të mjekut në qytetin e Kukësit. “Këto ditë, morisë së krimeve të ndryshme të ndodhura njëri pas tjetrit, iu shtua edhe dhuna e përsëritur ndaj bluzave të bardha. Në qytetin e Kukësit është dhunuar fizikisht dhe verbalist një nga personalitetet e spikatura të mjekësisë dhe “Qytetar Nderi” i këtij qyteti. Ky është realiteti tronditës, me të cilin përballen sot bluzat e bardha, që në mënyrë të përsëritur janë ngritur në greva e protesta në mbrojtje të kolegëve të tyre për dhunën e ushtruar. Ka qenë pikërisht vendosmëria dhe revolta e personelit shëndetësor të qytetit të Kukësit, që prej dy ditësh kanë kërcënuar deri në mos kryerjen e shërbimit, që ka sjellë më në fund reagimin e policisë për kërkimin e agresorit. Revolta e çdo qytetari dhe bluzave të bardha sot, drejtohet ndaj kësaj qeverie të papërgjegjshme, që është edhe shkaku, edhe mburoja e krimeve monstruoze e të përsëritura në çdo skaj të vendit”, tha Spahiu. Socialistja tha më tej se “I bëj thirrje Kryeministrit mjek, ministrit mjek që nuk punoi asnjë ditë në profesion dhe sot drejton Policinë e Shtetit, të dalin para shqiptarëve dhe të japin llogari për katrahurën në të cilën ndodhemi. Nuk jeni në gjendje as të mbroni bluzat e bardha, që shpëtojnë jetë njerëzish, e jo të mbani shtetin në këmbë. Sigurojmë të gjithë qytetarët shqiptarë që jemi të vendosur për të çrrënjosur këtë regjim hibrid. Jemi të vendosur t’i rikthejmë dinjitetin bluzave të bardha dhe qytetarëve besimin e humbur tek personeli shëndetësor”.