Skuadër ambicioze, pa shpenzuar shumë para, por me lojtarë të lirë
Altin Manallari
Sapo ka ngjitur për herë të parë në historinë e tij shkallën më të lartë të futbollit shqiptar, Kategorinë Superiore, por Kukësi i edicionit të ardhshëm synon të jetë mes ekipeve pretendente. Objektivi minimal i verilindorëve është që në fund të sezonit 2012-2013 të jenë të pozicionuar të paktën mes skuadrave që do të luajnë në Kupat e Europës, por dëshirat janë që të rivalizojnë edhe skuadrat kryesore në luftën për titull. Këtë e ka konfirmuar vetë presidenti i ri Safet Gjici, i cili gjatë kësaj vere mori drejtimin e ekipit pas tërheqjes së ish-presidentit Ramë Geci. Të mendosh se vjen nga një trashëgimi modeste dhe synon të rivalizosh pretendentët, në një kampionat perëndimor, do të dukej absurde. Megjithatë në Shqipëri është e mundur, madje shumë. Rasti i Kukësit e demonstron këtë. Mjafton që me një ekip mesatar të fitosh të drejtën për të luajtur në Kategorinë Superiore dhe më pas të duhen vetëm financa të majme dhe drejtues ambiciozë, pasi në merkato lojtarë ka sa të duash. Për të mos thënë që është shumë e rrallë të gjesh lojtarë që nënshkruajnë kontrata mbi 1-vjeçare. Ky është modeli i aplikuar prej kohës në kampionatin shqiptar, për shkak të pasigurisë së zhvillimeve në harkun kohor të 365 ditëve: Presidentët nuk mund të bëjnë më shumë, sepse pas një viti nuk e dinë as vetë në do të jenë në atë post apo jo, edhe pse tashmë skuadrat janë kthyer në “sha”. Rasti i Kukësit e vë në dukje një gjë të tillë. Klubi ka hyrë në treg fuqishëm, falë financave të shëndosha që kanë joshur shumë futbollistë (edhe më të mirët madje), por edhe falë tregut pa kontrata, të paktën brenda Shqipërisë. Ndërsa nga lojtarët që e lançuan Kukësin si një skuadër simpatike, e cila tronditi Kategorinë e Parë dhe u promovua në elitë si nënkampioni i kësaj lige, tashmë kanë mbetur shumë pak: vetëm pesë. Të gjitha këto i ka konfirmuar edhe presidenti Gjici. “Deri tani kemi bërë 16 blerje të reja, pasi në sezonin e parë në Kategorinë Superiore synojmë të arrijmë të paktën në zonën e Kupave të Europës, u shpreh Gjici. Nga skuadra e Kategorisë së Parë kanë mbetur vetëm 5-6 lojtarë. Ndërsa nga përforcimet e merkatos së verës, përjashto lojtarëve të huaj, të gjithë lojtarët që vijnë nga kampionati shqiptar kanë qenë futbollistë të lirë”. Dhe të thuash të vërtetën, Kukësit nuk i janë bashkangjitur lojtarë më të mirë të kampionatit, por ata që kanë pranuar ofertën e verilindorëve nuk janë për t’u nënvlerësuar: Allmuca, Hallaçi, Progni, Alikaj Brahja, Peqini etj., por edhe të huajt Popoviç, Markoviç e Jevdeviç krijojnë një potencial, i cili nën menaxhimin e trajnerit Armando Cungu dhe mbështetjes së eksperiencës së drejtorit teknik, Sulejman Starova, priten të jenë një kërcënim i vërtetë për pretendentët e Superiores. Në letër duket një skuadër vërtet për t’u respektuar, ndaj duket se shumë shpejt tradicionalët e elitës së futbollit shqiptar do të duhet ta respektojnë si rival të frikshëm. Por presidenti Gjici duket se nuk ka ndërmend të ndalet. “Na duhen edhe 2-3 përforcime, nga një për çdo repart, dhe atëherë do të jemi një ekip i kompletuar”, thekson ai. Investimet e Kukësit 2012-2013 janë kolosale. Skuadra me 22 ose 23 gusht do të gëzojë për stadiumin e ri, për të cilin janë investuar 780 milionë lekë.
Përforcimet
Kukësi është përforcuar me të paktën 11 futbollistë me potencial nga kampionati shqiptar, pa paguar asnjë kacidhe: të gjithë ishin futbollistë pa kontrata
Blerjet e Kukësit
A. Halili
I. Allmuça
R. Hallaçi
G. Progni
E. Alikaj
R. Malota
J. Brahja
R. Peqini
B. Musolli
Y. Hoxha
M. Popoviç
I. Markoviç
E. Malindi
G. Manuka
A. Lala
M. Jevdeviç