Partia e re – “Tani unë e them me bindje që është detyrim për t’u futur në politikë, për të rikthyer në mënyrë të qartë debatin demokratik dhe për t’i kthyer ato standarde që, sikurse e trajtuam në bisedën tonë në mjaft linja, po shkojnë duke u përkeqësuar”
Simptoma – Ka shenja, ka simptoma të qarta të një politike totalitariste, të cilën Shqipëria e ka flakur tej qysh në vitin 1992. Ka tendenca për të kapur të gjitha pushtetet dhe brenda dy-tri javësh ka pasur ndryshime të rëndësishme në institucione të rëndësishme
“Asnjë lloj surprize, kjo ishte paralajmëruar. Institucioni po vihet në pikëpyetje”
“Zëri i Amerikës”
Shkarkimi dhe zëvendësimi i kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, u prit me reagime të shumta në Shqipëri. Opozita e akuzon Kryeministrin Berisha se po përpiqet të vërë nën kontroll institucionet e pavarura. Deri tani nga qeveria nuk ka pasur ndonjë reagim për t’iu përgjigjur kritikave dhe me gjithë përpjekjet e “Zërit të Amerikës”, zyrtarët e kontaktuar nuk pranuan të komentonin. Në emisionin “Ditari” kishim ftuar në linjë telefonike për një bisedë të drejtpërdrejtë ish-presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, i cili gjatë mandatit të tij është përballur me çështjen e ndryshimit të kreut të SHISH-it.
Zoti Topi, vendimi i djeshëm për shkarkimin e drejtorit të shërbimeve sekrete, Bahri Shaqiri, është shoqëruar me reagime të shumta. Ju si e shihni një lëvizje të tillë?
Për mua personalisht nuk ka absolutisht asnjë lloj surprize, pasi gjithçka është paralajmëruar nga unë katër vite më parë, pikërisht në prag të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, kur shikohej qartë një marrje e plotë e kompetencave, sidomos ajo që kishte të bënte me zgjedhjen me një votë të thjeshtë mazhoritare të Presidentit të Republikës. Fill pas kësaj, pastaj gjithçka do të kishte të bënte, sikurse po ndodh realisht, me zgjedhje partiake e jo politike, sepse politike pa dyshim që është, e krerëve më të rëndësishëm të institucioneve kushtetuese, duke bërë një hap të rëndësishëm mbrapa, duke iu larguar atyre standardeve, të cilat ne me shumë mundim kemi kërkuar t’i realizojmë dhe t’i vendosim në kushtet e shtetit të së drejtës. Nga kjo pikëpamje, ky shkarkim pa dyshim që sjell shumë pikëpyetje për ecurinë e këtij institucioni, i cili, për hir të së vërtetës, ka qenë një institucion që arriti në standarde të larta, duke iu larguar në mënyrë definitive atyre institucioneve që kishin ndikim nga politika dhe që padyshim i shërbenin politikës. Institucioni i Shërbimit Informativ Shtetëror u vendos në standarde, pati një bashkëpunim shumë të rëndësishëm me aleatët tanë dhe këto fjalë pozitive kanë ardhur jo vetëm nga ndërkombëtarët, por këtë konsideratë e kam shprehur edhe unë.
Në kohën që ishit ju president, a ju ka ardhur ndonjë propozim zyrtar nga Kryeministri Berisha për shkarkimin e zotit Shaqiri?
Jo, nuk ka pasur absolutisht asnjë propozim. I vetmi debat publik ka qenë ai që kishte të bënte me ndryshimin e ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror, ligj i cili nuk ishte në standarde. Pati kontestim nga disa deputetë, edhe të mazhorancës, në Komisionin e Sigurisë dhe pati edhe një lloj kontestimi edhe nga aleatët tanë, sepse një ligj i ndryshuar pa u konsultuar me aleatët, dhe sidomos me aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, padyshim që nuk ofronte asnjë lloj sinjali pozitiv që ky institucion të mund të vendosej në standardet e NATO-s.
Zoti Topi, marrëdhëniet e Kryeministrit Berisha me shefin e shërbimeve të zbulimit ishin të vështira dhe në kushte të tilla edhe bashkëpunimi institucional dhe kryerja e punës për këtë sektor nuk mund t’i kenë shpëtuar ndikimit. Në qoftë se kreu i ekzekutivit kërkon të ketë një njeri që e beson dhe me të cilin mund të bashkëpunojë, përse nuk ka qenë e mundur zgjidhja e kësaj çështjeje gjatë gjithë këtyre viteve me një kandidaturë të përshtatshme?
Besoj se në një shtet demokratik, në një shtet të së drejtës, ecuria e reformave dhe punët e institucioneve nuk varen dhe nuk duhet të varen nga vullneti subjektiv i një individi, qoftë ky edhe kryetari i mazhorancës. Edhe emri, Shërbimi Informativ Shtetëror, është i qartë që ka të bëjë me një shërbim që i shërben shtetit dhe interesave kombëtare. Kjo është arsyeja që, në një marrëdhënie kushtetuese, propozohet nga Kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti. Unë mendoj se nuk janë vullnetet politike, partiake, por janë pikërisht standardet e shtetit ligjor që duhet të vendosen në themel të institucioneve kushtetuese. Ka një tendencë të qartë, e cila po implementohet çdo ditë. Ka shenja, ka simptoma të qarta të një politike totalitariste, të cilën Shqipëria e ka flakur tej qysh në vitin 1992. Ka tendenca për të kapur të gjitha pushtetet dhe brenda dy-tri javësh ka pasur ndryshime të rëndësishme në institucione të rëndësishme kushtetuese dhe të gjitha janë kandidatura politike që vijnë prej mazhorancës.
Kryeministri po akuzohet nga ju, por është akuzuar edhe këto ditë se po përpiqet të vërë nën kontroll institucionet, dhe këtu është përmendur edhe rasti i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe emërimi i nënkryetarit të ri. Në fund të mandatit tuaj ju patët mundësi ta bënit emërimin, por nuk e bëtë. Përse nuk e çuat deri në fund procesin e nisur me emërimin e nënkryetarit të KLD-së?
Zhvillova një betejë shumë parimore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke u lënë të kuptojnë atyre që mendonin se Presidenti i ri duhet të zgjidhte nënkryetarin, ndërkohë që kishte akoma edhe tre muaj të mandatit tim presidencial, se institucionet nuk mund të krijojnë vakum. Ishte një tendencë e qartë, e cila u vërtetua, që kërkonte pikërisht emërtesën e një kandidature që vinte nga mazhoranca. Fakti i këtij shkarkimi dhe i emërimit të një njeriu që ka lidhje të drejtpërdrejta me politikën e mazhorancës, tregon edhe një herë që tentativa e Kryeministrit është e qartë: për të kapur çdo institucion dhe për të futur edhe një herë, paradoksalisht, sepse jemi në vitin 2012, një frymë totalitare në kontrollin e të gjitha institucioneve. Kjo ka qenë arsyeja që unë e kam mbrojtur në mënyrë parimore dhe nuk është realizuar si votim, sepse votimi ka qenë fare i paqartë, gati-gati ekuivalent në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Për të mos e vendosur votimin në dyshim, sepse kishte të bënte me një çështje parimore dhe me një individ konkret, unë e lashë që të shkonte ashtu sikurse u realizua, me vullnetin e paralajmëruar për vendosjen e një kandidature politike. Për fat të keq ndodhi kështu.
Zoti Topi, ju që në muajt e fundit të mandatit tuaj si president latë të kuptohej rikthimin në politikë dhe ndërkohë i keni marrë kontaktet e para me Frymën e Re Demokratike, duke deklaruar se nga “fundi i këtij muaji do të realizohet hapi përfundimtar”. Cili do të jetë angazhimi juaj në këtë forcë politike, e cila që në lindje u pagëzua nga shtypi si partia e zotit Topi?
Së pari, do të thosha që ky lloj konotacioni që merr emrin e një individi do të ishte i papranueshëm për mua. Në fakt është: Partia Fryma e Re Demokratike, e themeluar nga kolegë të mi, mjaft të nderuar. Unë kam bërë një prononcim publik dhe një hap, i cili është deklaruar, drejt afrimit me këtë parti politike. Në rast se ka pasur një lloj mëdyshjeje për të hyrë ose jo, tani unë e them me bindje që është detyrim për t’u futur në politikë, për të rikthyer në mënyrë të qartë debatin demokratik dhe për t’i kthyer ato standarde që, sikurse e trajtuam në bisedën tonë në mjaft linja, po shkojnë duke u përkeqësuar. Unë mund të deklaroj me plot gojën sot, që fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit do të jenë pikërisht ato ditë ku unë do të rifilloj karrierën time në politikë me Frymën e Re Demokratike.
Qëndrimi
Arvizu refuzon të komentojë rokadën në SHISH
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, nuk pranoi dje të jepte asnjë prononcim publik për sa i përket çështjes së shkarkimit të Bahri Shaqirit dhe emërimit në këtë post të ish-zëvendësministrit, Visho Lika. Paraditen e djeshme, teksa po zhvillonte një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për t’i prezantuar zëvendësambasadorin e ri të SHBA-së, Arvizu refuzoi të prononcohej përpara mediave për këtë çështje. Dy ditë më parë, përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Tiranë, bënë të ditur për mediat se zëvendësimi i Shaqirit i kishte kapur të papërgatitur. Ata nuk ngurruan ta cilësonin këtë si një veprim të shpejtë, ndërsa pritet në mënyrë zyrtare të bëhet edhe një deklaratë nga ambasada e SHBA-së në lidhje me këtë çështje. SHBA-ja ka pasur një rol të rëndësishëm në mbajtjen e SHISH-it larg interferencave politike dhe po kështu brenda profesionalizimit.
Socialistët
Felaj: SHISH në duart e Berishës, Nishani përgjegjës
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, deklaroi dje në një deklaratë për mediat, se tashmë Shërbimi Informativ Shtetëror është në duart e Kryeministrit Berisha. Sipas deputetes socialiste, Presidenti Bujar Nishani ishte personi që bëri të mundur këtë kalim, duke treguar se ai është vetëm një shërbëtor i Kryeministrit Berisha. “Bujar Nishani vuri njeriun e Gazidedes në krye të SHISH-it. Ai e di mirë pse Saliu do ta ketë në dorë SHISH-in. Nishani na ktheu pas në kohë. Berisha e shërbëtori i tij nuk pyesin për askënd, nuk këshillohen as me aleatin tonë më të madh, SHBA-në”, deklaroi Felaj përpara mediave. Ajo theksoi se shqiptarët duhet t’i bashkohen së majtës për t’i dhënë fund uzurpimit të institucioneve nga Kryeministri Berisha dhe për të mundësuar një rilindje kombëtare. PS-ja, prej ditësh e ka konsideruar situatën aktuale në SHISH si tepër alarmante.