Shëndeti Publik: Godina të amortizuara, pa oksigjen, me tubacione jashtë funksionit
Lorina Mixha
Një muaj para çeljes së vitit të ri shkollor rezulton se pesë shkolla të mos plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. Drejtoria e Shëndetit Publik ka mbyllur inspektimet në institucionet e arsimit paraunversitar, ndërkohë që janë në proces kontrolli, konvikte dhe godina të tjera parashkollore, ku qëndrojnë nxënës nga 5 deri në moshën 18 vjeç. Pesë shkolla të Tiranës nuk plotësojnë kushtet për të mirëpritur fëmijët në këtë vit.
Nëse nuk do të merren masa për përmirësimin e gjendjes: dezinfektime, rregullime të infrastrukturës së domosdoshme, atëherë këto shkolla nuk do të hapen më datë 10 shtator.
“Në rast se në këto shkolla nuk do të ketë përmirësim të gjendjes dhe të kushteve higjieno-sanitare, siç kërkohet në rregullore, ato shkolla nuk do të hapen në shtator nga ana e Inspektoratit Sanitar. Është shkolla “Kongresi i Lushnjës”, “Ahmet Gashi”, “Siri Kodra”, “Niket Dardani” dhe shkolla speciale për fëmijë me aftësi të kufizuara “Luigj Gurakuqi”, deklaroi Mhill Gecaj, drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik Tiranë.
Lëndët larëse dhe dezinfektuese mungojnë në shumicën e rasteve, baza materiale është e amortizuar. Banjat dhe kanalizimet lënë për të dëshiruar dhe nuk plotësojnë nevojat për një shkollë që ka minimumi 600 nxënës. Problem tjetër i konstatuar janë tubacionet që kullojnë, pompa e ujit nuk funksionon, por edhe çarje të mureve që dallohen lehtësisht edhe nga syri i lirë, pa pasur nevojë për syrin e hollë të një ekspertize…
Institucionet
“Vërejmë se në shumë institucione ka shkelje të normave higjieno–sanitare, gjë e cila ndikon negativisht dhe direkt në shëndetin e nxënësve të të gjitha niveleve shkollore”, thuhet në raportin e DSHP-së. Konkretisht vërehet prania e lagështisë në klasa dhe korridore, çatia pikon në shumë shkolla. Dritare që nuk hapen dhe krijojnë një mikroklimë mjaft të dëmshme, me shumë lagështi dhe mungesë oksigjeni. Problem tjetër janë nyjet hidro–sanitare. Kasetat e shkarkimit janë të prishura, lavamanë të bllokuar dhe tuba që rrjedhin ujë, rubineta të prishura.
Baza materiale, tavolina dhe karrige të amortizuara.
Palestrat në mjaft shkolla kanë probleme higjieno-sanitare.
Shëndeti Publik konstaton mungesë të mjeteve e lëndëve larëse dhe denzifektuese në sasinë dhe ritmikën e duhur.
Ultimatumi
Për të gjitha problemet e konstatuara duhet të merren masa të menjëhershme që deri më 01 shtator në këto institucione të mos ketë problematika të tilla dhe të jenë të gatshme për pritjen e nxënësve në vitin e ri shkollor.
“Në të gjitha shkollat para fillimit të vitit shkollor duhet të bëhet dezinfektim, deratizim, dezinsektim i godinave dhe pajisja e tyre me certifikatë që tregon se është kryer ky shërbim.
Sa për dijeni, për të gjitha problemet e ngritura nga ana jonë është gjetur gatishmëri e plotë nga Bashkia Tiranë, ku jemi njoftuar me shkresë zyrtare se janë marrë masat dhe po punohet intensivisht për përmirësimin e situatës, në mënyrë që, me fillimin e vitit te ri shkollor, edhe këto shkolla të jenë gati për fillimin e mësimit”, sqarohet në fund të raportit të Drejtorisë së Higjienës.
Të njëjtat monitorime po bëhen edhe në kopshte e çerdhe. Sipas autoriteteve të shëndetësisë edhe në këto objekte shfaqet e njëjta problematikë, ku më e theksuar është ajo e mungesës së higjienës. Në disa objekte ka probleme në nyjet hidro-sanitare, si lavamanë të prishur, tubacione të bllokuara, apo rubineta që mungojnë. Ndërkohë që herë pas here ka pasur probleme në furnizimin me detergjent dhe lëndë denzifektuese.
Shkollat pa kushte
Shkolla “Kongresi i Lushnjës” Njësia Bashkiake Nr.3
Nyjet hidro-sanitare funksionojnë me probleme, shpesh bllokohen, kalibri i tubave shkarkues është shumë i vogël.
Detergjenti në sasi shumë të vogla
Shkolla “Ahmet Gashi” Njësia Bashkiake Nr.11
Çezma dhe lavamanë me defekte. Palestra është e pasuvatuar, me lagështirë, pa dyer dhe xhama në dritare. Shkolla është e pa lyer
Shkolla “Siri Kodra” Njësia Bashkiake Nr.8
Tubat e vc-ve të katit të parë dhe të dytë kullojnë nga jashtë dhe krijojnë një pellg, duke qenë rrezik për shpërthime epidemike
Shkolla “Niket Dardani” Njësia Bashkiake Nr.3
Problem madhor mbeten nyjet hidro-sanitare, të cilat janë të vendosura vetëm në katin e parë dhe nuk janë të mjaftueshme për numrin e nxënësve të kësaj shkolle, rreth 600 nxënës, duke përfshirë dhe parashkollorët.
Shkolla speciale për fëmijë me aftësi të kufizuar “Luigj Gurakuqi”
Baza materiale është e vjetër. Prej gjashtë vitesh nuk është bërë asnjë investim për këtë shkollë