Krimi i rrugës


Policia ka dërguar për ekspertizë në laborator kapelën, në të cilën mendohej se kishte gjak, e cila iu gjet të dyshuarit nga Çekreza në banesën e tij


Një të riu nga Çekreza i gjenden disa njolla si të gjakut në kapele


Vrasja e 38-vjeçares Fatbardha Tafa vazhdon të mbetet mister, ndërkohë që dje janë shoqëruar gjashtë persona nga zona e Kamzës, të cilët njihen si kontingjent kriminal për vepra të tilla penale, por as në këtë rast nuk ka pasur konfirmim për arrestimin e ndonjërit prej tyre, pavarësisht se tashmë është ndërtuar edhe një identikit për vrasësin. Nga ana tjetër, policia ka pikasur edhe një person tjetër të dyshuar nga Çekreza, të cilit i është gjetur një kapele në shtëpi, me njollë si ajo e gjakut, por edhe për të ende nuk ka asnjë provë bindëse për ta mbajtur në qeli.


Grupi hetimor bëri të ditur se dyshimet më të mëdha për zbardhjen e vrasjes së 38-vjeçares i ka pasur mbi një të ri, i cili ishte shoqëruar si kontingjent kriminal dhe në rrobat e tij ishin gjetur disa gjurmë të dyshimta. Policia ka dërguar për ekspertizë në laborator kapelën, në të cilën mendohej se kishte gjak, e cila iu gjet të dyshuarit në banesën e tij, me qëllim për të krahasuar njollën me gjakun e viktimës apo të motrës së saj që mbeti e plagosur. Megjithatë, në orët e pasdites, policia e kryeqytetit tha se shpresat për këtë person janë të pakta, megjithëse hetimet vazhdojnë ende. Nga ana tjetër, po dje janë shoqëruar gjashtë persona nga Komisariati nr. 5, në Kamzë, të cilët rezultojnë kontingjent kriminal. Pas shoqërimit, ata janë marrë në dorëzim nga oficerët kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë, të cilët i kanë pyetur deri në orët e vona të natës, si të dyshuar për krimin e rëndë, që tronditi të gjithë. Sipas grupit hetimor, karakteristikat e të shoqëruarve janë të përafërta me të dyshuarit, por ata kanë ngritur alibi për vendndodhjen e tyre në momentin e krimit, ndërkohë që ende nuk u janë gjetur prova plotësuese, për t’i cilësuar të dyshuar kryesorë për ngjarjen.


Gjithashtu, grupi hetimor ka identifikuar edhe të dyshuar të tjerë mbi këtë ngjarje të rëndë, ku Tafa u vra në sy të djalit, por mbeti e plagosur edhe motra e saj, por që ata nuk janë gjetur ende nga komisariatet përkatëse, të cilët i kanë shpallur në kërkim policor, me qëllim për të kryer verifikimet e nevojshme. Por, burimet zyrtare të policisë janë shprehur se janë shumë afër zbardhjes së kësaj ngjarjeje të rëndë dhe një ndër të shoqëruarit gjatë këtyre ditëve, pavarësisht se nuk janë dhënë detaje për të, është i dyshuari kryesor i përleshjes me gratë, por jo ai që goditi me thikë dy motrat. Dy ditë më parë, policia tha se ka ngushtuar shumë rrethin e të dyshuarve për vrasjen e 38-vjeçares, ndërkohë që identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve janë vënë 20 numra telefoni në përgjim dhe janë kontrolluar dhjetë servise, pasi mendohet se autorët kanë shitur motorin për të humbur gjurmët. Ndërsa identikiti e përshkruan autorin e dyshuar të vrasjes së 38-vjeçares, një të ri 16-20 vjeç, me tipare të errëta dhe trup të madh. Identifikimi dhe zbardhja e vrasjes së Fatbardha Tafës, është sfida më e madhe për blutë e kryeqytetit. Vrasja e saj, në sy të fëmijëve gjatë një tentative grabitjeje, tronditi kryeqytetin, ndërkohë që tashmë në hetim është përfshirë edhe Prokuroria e Tiranës. Trupi i pajetë i Fatbardha Tafës, prej pasdites së të enjtes prehet në varrezat e fshatit Hardhishtë. 38-vjeçarja jetonte prej 5 vjetësh në Itali dhe kishte ardhur tek të afërmit e saj për pushime. Pasditen e së mërkurës, ajo u sulmua kur ishte me djalin 14 vjeç, i cili mendohet se ka njohur një nga autorët, me motrën Lumturie dhe fëmijët e saj, të cilët kishin dalë për shëtitje te lulishtja tek ish-Fusha e Aviacionit.


Red. Akt.