Aldo Hoxha dyshohet se u përlesh me viktimën, por autori i vrasjes është i lirë
Nipi i Rrem Hakës, ish-të fortit të Niklës së Fushë-Krujës, bashkëpunëtorit të ngushtë të “gjeneralit” Nehat Kulla, derisa u vra në një atentat te stadiumi “Qemal Stafa”, është autori që u përlesh me Fatbardha Tafajn, e cila mbeti e vrarë gjatë një tentative grabitjeje te Fusha e Aviacionit në Tiranë. Por, vrasësi i Fatbardhës dhe i plagosjes së motrës së saj, bashkëpunëtori i të arrestuarit Aldo Hoxha, është ende i lirë. Zbulimi i Hoxhës, i dënuar pesë herë më parë, e që endej i lirë, ka ardhur nga laboratori i kriminalistikës, por personi që qëlloi me thikë nuk ka lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që vetë i arrestuari nuk e ka pranuar krimin, e për më tepër nuk ka treguar bashkëpunëtorin e tij.
Arrestimi i të dyshuarit
Policia e Tiranës deklaroi dje se në bashkëpunim me policinë shkencore bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit të vjedhjes me pasojë vdekjen të 38-vjeçares Fatbardha Tafaj dhe plagosjes së motrës së saj, Lumturie Gjana, ngjarje e ndodhur më datë 7 Gusht 2012 në afërsi të Fushës së Aviacionit në Tiranë. Sipas policisë, kapja e tij u realizua nga operacioni i koduar “Loja e Rreme”, ku u ndalua Aldo Nexhmi Hoxha, 20 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, kundërshtim të punonjësve të policisë, vjedhje automjetesh, vjedhje varësesh, vjedhje çantash dhe i evidentuar si kontingjent me precedentë të rëndë kriminalë.
Shpërblimi dhe ADN-ja
Arrestimi i tij ka ardhur pas një informacioni të saktë të dhënë, pas vënies në dispozicion të 10 mijë eurove shpërblim nga ana e policisë së kryeqytetit. Pas identifikimit të Hoxhës, gjatë kontrollit në banesë, policia i ka gjetur një kapele me njollë si të gjakut. Kapelja u dërgua në laboratorin e kriminalistikës dhe nga krahasimet ka rezultuar se njolla i përkiste të njëjtit grup gjaku me atë të viktimës Fatbardha Tafaj. Por, kjo nuk ka qenë prova e vetme e policisë. Në vendin e ngjarjes është gjetur një qime floku, pranë syzeve të braktisura nga një prej autorëve dhe për të janë realizuar analizat e ADN-së, që kanë rezultuar të njëjta me Aldo Hoxhën. Ndërsa prova e tretë ka qenë lëkura e gjetur në thonjtë e viktimës, e cila është përleshur me një nga autorët e krimit të rëndë. Edhe kjo e dhënë, gjatë krahasimeve nga policia shkencore ka çuar drejt 20-vjeçarit. Por, vetë i dyshuari është kapur fillimisht nga policia si kontingjent, e më pas është lënë i lirë, duke u mbajtur nën vëzhgim nga agjentët e terrenit. Ai është kapur sërish dje, kur kanë dalë analizat dhe përfundimisht i janë vënë prangat si bashkëpunëtor në vjedhjen me pasojë vdekjen e 38-vjeçares.
I arrestuari dhe fisi Haka
Aldo Hoxha, ndonëse vetëm 20 vjeç, ka qenë i dënuar pesë herë më parë për krime të ndryshme, ndërkohë që rezulton nipi i një prej kontingjentit më të rrezikshëm të policisë gjatë viteve ’90. Burimet policore bëjnë të ditur se nga nëna, ai është nipi i Muharrem Hakës, i njohur si Rrem Haka, shok i ngushtë i Nehat Kullës. Madje, të dy bashkë kanë qenë të dyshuar dhe të akuzuar për vrasjet e bujshme të viteve ’90, siç ishte ajo e ekzekutimit të dy vëllezërve Neziri, njëri prej të cilëve polic. Ata kanë qenë të dyshuar edhe për krijim bandash të armatosura e dhunë seksuale. Përplasja e gjatë me forcat e policisë, e bëri fisin Haka një nga familjet më të njohura të asaj periudhe, por Rrem Haka i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Neziri u deklarua i pafajshëm. Por, pak vite më vonë, ai u vra në një atentat, kur shoqërohej me njerëzit e tij, te stadiumi “Qemal Stafa”. Pas Rremës, në fisin Hakaj u njoh më së shumti Flamuri, i cilësuar si kreu i bandës së Niklës. Sipas dosjes hetimore, kjo bandë u akuzua dhe dënua për vepra penale të ndryshme dhe më e rënda është ajo e vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë e djalit të ish-biznesmenit Abaz Ulliri. Nga ana tjetër, anëtarët e kësaj bande akuzoheshin edhe për vjedhje me dhunë të tre kambistëve dhe armëmbajtje pa leje. Duket se Hoxha ka qenë personi që ka ngjarë nga ana e dajave, duke i hyrë profesionit të krimit.
Farefisi
Nga nëna, Aldo Hoxha është nipi i Muharrem Hakës, i njohur si Rrem Haka, shok i ngushtë i Nehat Kullës. Haka e Kulla kanë qenë të dyshuar dhe të akuzuar për vrasjet e bujshme të viteve ’90, siç ishte ajo e ekzekutimit të dy vëllezërve Neziri
Autori i lirë dhe dyshimet për provat e të arrestuarit
I dyshuari kryesor që qëlloi me thikë mbi Fatbardha Tafajn është ende i lirë. Grupi hetimor ka dy persona të dyshuar, të cilët kanë lidhje shoqërore dhe farefisnore me të arrestuarin, si bashkëpunëtor në grabitjen me pasojë vdekjen e 38-vjeçares, por ende nuk ka prova për arrestimin e tyre. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ata janë të së njëjtës moshë, me iniciale J. H. dhe J. B., por që nuk janë bërë publike të dhëna të tjera. Të dy këta persona janë mbajtur nën vëzhgim për ditë të tëra nga policia e kryeqytetit, madje kanë pasur edhe takime me të arrestuarin 20-vjeçar, Aldo Hoxha. Burimet nga policia e kryeqytetit bëjnë të ditur se njëri prej tyre mendohet se është autori që qëlloi me thikë dy herë Fatbardhën dhe një herë tjetër motrën e saj, ndërkohë që i dyti dyshohet se i ka ndihmuar për të zhdukur provat e krimit, si thikën dhe motorin. Të paktën këto janë të dhënat e para që mësohen nga grupi hetimor, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk janë shoqëruar në ambientet policore. Njëri prej tyre mësohet se ka precedentë të mëparshëm penalë, por mbetet i çuditshëm fakti sesi ende nuk ka një emër për bashkëpunëtorin e të arrestuarit, i cili në asnjë moment nuk e ka pranuar se ka marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndë kriminale. Këto dyshime vijnë edhe për shkak të ngjarjeve të mëparshme kriminale, siç ishte në rastin e arrestimit të një kosovari për vrasjen e argjendarit, apo në rastin e shoqërimit të një tjetër personi në rastin e vrasjes së arkëtares së një banke, para se të gjendej Viktor Gushi, i cili pranoi të gjitha krimet e kryera. Kjo të shtyn të mendosh nëse provat për të arrestuarin e djeshëm janë aq të plota sa për të vërtetuar para gjykatës fajësinë e tij.
Motra e plagosur, dy orë në polici për njohjen e 20-vjeçarit
Lumturie Gjana tha se tiparet ishin të njëjta
Policia, pasi ka mbledhur një sërë provash për 20-vjeçarin e arrestuar për vrasjen e 38-vjeçares, Fatbardha Tafaj, dje ka thirrur edhe motrën e plagosur të viktimës, Lumturie Gjanën, me qëllim njohjen e personit, që u përlesh me to. Ajo ka qëndruar për rreth dy orë në ambientet e policisë, të cilës i janë paraqitur persona të ndryshëm në grup, për të vlerësuar nëse përputheshin karakteristikat e të arrestuarit me dhunuesin e ngjarjes së kobshme. Pasi ajo i ka parë disa herë të dyshuarit, ka vënë gishtin mbi Aldo Hoxhën, të cilit i janë gjetur edhe prova të tjera shkencore, për grabitjen me pasojë vdekjen e Fatbardhës dhe plagosjen e motrës së saj, Lumturie Gjana. Në deklaratën e dhënë para oficerit të policisë gjyqësore, nga burimet policore mësohet se Lumturia ka deklarua se përputhen tiparet e të arrestuarit me personin, që janë përleshur atë ditë, por nga tmerri i përjetuar nuk e kujtonte shumë mirë. Ndërkaq, veç saj në polici janë thirrur edhe dëshmitarë të tjerë, të cilët kanë dëshmuar në lidhje me 20-vjeçarin e arrestuar, pavarësisht se nuk është autori kryesor i krimit të rëndë. Sipas të dhënave policore, Aldo Hoxha është personi që ka tentuar vjedhjen e varëses së floririt nga qafa e Fatbardha Tafajt, por që goditjen me thikë e ka bërë i dyshuari tjetër, i cili mendohet se është identifikuar dhe vazhdon të jetë person nën hetim nga sektori kundër krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Lumturie Gjana u plagos në krah ditën e ngjarjes, ku nga goditjet ka pësuar këputje të damarëve.