Dy djem gjermanë, njëri 16 dhe tjetri 18 vjeç, kanë marrë përsipër një nismë me të vërtetë të veçantë. Ata kanë nisur një udhëtim të gjatë për në Mesdhe, duke u nisur nga Gjermania për të arritur në Itali, nën shoqërinë e gomarit të tyre dhe të gjithë rrugën e kanë përshkruar në këmbë.


Sven Wang dhe Nick Sauerwin si dhe gomari i tyre, Thomas, e kanë nisur udhëtimin e çuditshëm nga Frankfurti, në muajin qershor, duke ecur 8-9 orë në ditë.


Pas dy muajsh udhëtim, pasi kaluan në Zvicër dhe Austri, dy të rinjtë mbërritën në Milano.


“Ja dolëm ta çojmë deri në fund udhëtimin vetëm në sajë të bujarisë së njerëzve që takonim nëpër vendet e ndryshme që përshkuam, të cilët gjithmonë na ofronin një vend për të fjetur dhe diçka për të ngrënë”, – shprehen të rinjtë.


Ata tregojnë se ideja për këtë udhëtim u lindi pasi mbaruan shkollën dhe kishin dëshirë të bënin diçka të veçantë. Kështu, ndryshe nga disa njerëz që për të përshkruar në rrugë tokësore distanca të mëdha zgjedhin një mjet tjetër, p.sh një biçikletë, Sven dhe Nick donin të ishin unikë në nismën e tyre, dhe kështu që zgjodhën për shok rruge një gomar.


14 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)