Plazhi i Velipojës: Mes detit, lumit, luginës dhe malit

Hotelet, çmimet e akomodimit nga 15 mijë lekë deri në 55 euro nata

Vlerat – Rëra e zezë, e cila pastrohet çdo ditë, ka përqindje të konsiderueshme jodi, duke i dhuruar plazhit vlera kurative

Klima – Kushtet klimatike janë të favorshme. Sipas të dhënave, rezulton se 100 ditë në vit janë me temperaturë mbi 25 gradë Celsius

Çmimet – Pagesa ditore në hotele fillon nga 20-55 euro për natë, ndërsa në vila çmimet fillojnë nga 15-35 mijë lekë të vjetra

Shpresa Mezini

Plazhi i Velipojës është një nga më të preferuarit jo vetëm për pushuesit shkodranë, por edhe për ata të qyteteve të tjera të Shqipërisë apo dhe nga vendet fqinje. Ky plazh shtrihet në jugperëndim të qytetit të Shkodrës, rreth 30 kilometra larg tij.

Për të mbërritur atje përveçse nga Shkodra, vizitorët e qyteteve që banojnë në jug të saj mund të shkojnë pa hyrë në qytet. Në vendin e quajtur Harku i Bërdicës kthehesh majtas dhe vazhdon rrugën, e cila deri në fshatin Trush i Poshtëm është e rikonstruktuar. Sivjet, komuna ka nisur punimet për ndërtimin e një rreth-rrotullimi, diku pranë segmentit rrugor të sapo rikonstruktuar Baks-Rrjoll në Komunën e Velipojës, me qëllim eliminimin e trafikut në pikun e sezonit, apo në fundjavë, kur fluksi i pushuesve është edhe më i dendur.

Ajo që vërehet në plazhin e Velipojës, është se ndërtimet nuk arrijnë deri pranë detit, siç ndodh në plazhin e Durrësit apo në bregdetin jugor të vendit. Kryetari i komunës, Pashko Ujka, këmbëngul se do të tregohet i rreptë për të mbrojtur këtë perlë të natyrës shqiptare, ku gjejmë detin, lumin, plazhin, pyllin, lagunën dhe malin. Kjo është arsyeja pse lokalet apo ndërtesat private të pozicionuara buzë detit, tanimë nuk janë ekzistente. Rëra e zezë, e cila pastrohet çdo ditë, ka përqindje të konsiderueshme jodi, duke i dhuruar plazhit vlera të larta kurative. Kjo është një tjetër arsye pse vit pas viti rritet ndjeshëm numri i kërkesave nga pushuesit vendas, por jo vetëm. Kushtet klimatike janë të favorshme. Sipas të dhënave nga komuna, rezulton se rreth 100 ditë në vit janë me temperaturë mbi 25 gradë Celsius. Ndryshe nga plazhet e tjera, ku i nxehti përvëlues duket sikur nga momenti në moment do të marrë frymën, në Velipojë dielli është më “miqësor”, ashtu si edhe era e lehtë që të freskon këndshëm gjatë orëve të mbrëmjes.

Uji i kulluar, baticat dhe zbaticat, laguna e Vilunit, rezervati i gjuetisë ofrojnë bukuri mahnitëse. Në këtë plazh lahesh, shëtit me varkë, zë peshk, si qefull e levrek. E megjithatë, mbetet një plazh jo shumë i frekuentuar, i preferuar më së shumti nga të rinjtë. Ndërsa familjarët kalojnë aty për ndonjë shëtitje buzë detit, apo për të fotografuar pamjet që servir Viluni. Arsyeja pse familjarët i “tremben” këtij plazhi është se bregu është i thellë, çka përbën rrezik për fëmijët e tyre, të cilët notojnë dhe luajnë me njëri-tjetrin pa treguar shumë kujdes.

Hotelet dhe çmimet

Me përafërsi në plazhin e Velipojës numërohen rreth 480 ndërtime, nga të cilat 350 janë hotele, ndërsa pjesa tjetër ndërtime private nga pronarët e tokave. Në pikun e sezonit, 15 korrik-15 gusht, numri i pushuesve në këtë plazh vitin e kaluar ka qenë rreth 80.000, ndërsa në periudhat dyjavore 15 qershor-15 korrik dhe 15 gusht-15 shtator kanë qenë 30-40 mijë, ndërsa statistikat e këtij viti do të përllogariten pas mbylljes së sezonit veror për këtë vit. Në shërbim të turizmit vitet e fundit janë ngritur mjaft hotele dhe shtëpi luksoze me komoditetet e nevojshme.

Restorantet ofrojnë meny europiane, tradicionale shkodrane dhe sipas dëshirave, ndërsa çmimet variojnë. Pagesa ditore në hotele fillon nga 18-20 euro në 50-55 euro për natë, ndërsa ka edhe ndërtime më të vogla tip vilash, me dhoma të posaçme gatimi, ku çmimet fillojnë nga 15-35 mijë lekë të vjetra për natë. Sipas të dhënave, numërohen mbi 20 restorante, të cilat ndodhen në plazh, ku ka edhe lokale nate me muzikë “live” apo me DJ, për ata që preferojnë që orët e vona të natës t’i kalojnë jashtë. Ndërkohë në qendër të Komunës së Velipojës, sheh pushues të panumërt, të cilët shëtisin, luajnë apo blejnë suveniret që tregtohen trotuareve apo në dyqanet e improvizuara posaçërisht për këtë periudhë të vitit. Lojërat që fillojnë nga më të voglat tek më të mëdhatë argëtojnë të vegjël e të mëdhenj, pa dallim. Ndërsa nuk mungojnë edhe shërbimet mjekësore, të cilat ofrojnë ndihmën e nevojshme për 24 orë me radhë.

Autor te 14 Gusht 2012. Reportazh. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry