Qeveria, licencë 10-vjeçare për kontrollin e karburanteve

Pas lotarisë, Bode jep me koncesion tregun 1 miliard USD/vit

ARD KOLA

Qeveria shqiptare është duke likuiduar çdo pronë të saj, përfshi edhe shërbimet në sektorë të ndryshëm. Pas 1200 objekteve të nxjerra për privatizim dhe koncesioneve të shumta, kësaj here Kryeministri Berisha ka autorizuar dhënien e shërbimit të kontrollit të karburanteve te një shoqëri private. Në fakt tenderi për realizimin e këtij koncesioni është njoftuar që në muajin mars të këtij viti dhe është realizuar më 14 maj 2012, por Ministria e Financave, institucioni përgjegjës, nuk bëri asnjë njoftim zyrtar rreth rezultatit të paraqitjes së ofertave.

Gazeta “Shqip” mëson se në tender është paraqitur vetëm një ofertë, bashkim i tri shoqërive private, e cila me shumë gjasa pritet të jetë fituesi, për shkak se është ofruar e para dhe sipas ligjit, përfiton bonus në vlerësimin final të pikëve. Emri i këtij bashkimi shoqërish nuk bëhet publik nga ministria, por thuhet se zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, është duke negociuar mbi ofertën e paraqitur, pasi dhe dokumentacioni është shumë voluminoz.

Ashtu si lotaria kombëtare, qeveria shqiptare po likuidon një tjetër shërbim, në mungesë të plotë të transparencës, edhe pse bëhet fjalë për një treg që vlen rreth 1 miliard dollarë në vit.

Po ku konsiston dhënia me koncesion e kontrollit të tregut të karburanteve dhe si do të realizohet ajo?

Sipas kërkesës së vendosur nga Ministria e Financave, kontrolli prek jo vetëm pjesën e taksave, nëse shoqëritë e karburanteve i kanë paguar apo jo, por edhe cilësinë. Për ta bërë më të efektshëm kontrollin, karburantit do t’i hidhet bojë, e quajtur ndryshe shënjues, në mënyrë për të identifikuar që lënda djegëse i përket atij lloji për të cilën janë paguar taksat dhe cilësia, apo ka hyrë kontrabandë. Zyrtarisht, Financat thonë se, dhënia me koncesion e shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në RSH, synon të sigurojë dhe garantojë pagesën e taksave dhe tatimeve të parashikuara nga legjislacioni i Republikës së Shqipërisë për tregtimin e karburanteve në territorin shqiptar nëpërmjet kontrolli të tregut të karburanteve (akcizë, TVSH, taksë karboni). Pra, taksat do të paguhen në tatime dhe dogana, ashtu siç ndodh edhe sot, por kontrolli mbi pikat e shitjes, si me shumicë ashtu me pakicë, nuk do të realizohet më nga Inspektorati Qendror Teknik, por nga shoqëria koncesionare, për një afat prej 10 vitesh nga lidhja e kontratës.

Dhënia me koncesion e këtij shërbimi ishte paralajmëruar me kohë nga Kryeministri Berisha, kurse në gusht të 2011-s, zyrtarizoi planin. Në fund të vitit 2011 u mor vendimi nga Këshilli i Ministrave, kurse në mars, Ministria e Financave hap zyrtarisht tenderin, duke caktuar datën 14 maj për paraqitjen e ofertave. Prania e një oferte të vetme nuk pengon anulimin e tenderit, pavarësisht mungesës së konkurrencës, kriter ky i vendosur në ligjin e ankandeve. Ofertuesi ka paraqitur pranë ministrisë zarfin që përmban dokumentet për kualifikim dhe zarfin që përmban ofertën teknike dhe atë financiare. Nuk dihet me saktësi se ku anon kriteri i vlerësimit, tek ana teknike apo te tarifa e shërbimit, por duke pasur parasysh se ishin kushtet e vendosura në lotarinë kombëtare, që sollën mungesën e konkurrencës, ngrihen dyshime mbi procedurat e ndjekura.

“Komisioni i vlerësimit të ofertave do të shqyrtojë ofertat në përputhje me kriteret e kualifikimit në dokumentet e procedurës konkurruese dhe më pas do të bëjë një renditje (në përqindje të pikëve totale) në përputhje me kriteret e vlerësimit në dokumentet e procedurës konkurruese”, deklaronte ministria më herët para se të zhvillohej tenderi.

Tregu i karburanteve në vend xhiron rreth 700 milionë litra në vit, me një vlerë të përafërt prej 1 miliard dollarësh. Në vitin 2010, sipas raportit të IQT-së, në tregun tonë, rreth 10 për qind e sasisë, ose gati 60 milionë litra rezultuan pas kontrolleve me cilësi të dobët pas përzierjeve të ndryshme abuzuese.

 

 

Financat:

Teknologji e lartë inspektimi me “skaner”

“Kontrolli bëhet i mundur pikërisht me anë të sistemit të markimit të karburanteve ofruar nga shoqëria propozuese, i cili vërteton jo vetëm nëse përbërja e karburanteve ka ndryshuar mbas pagesës së taksave, por edhe nëse karburanti në qarkullim është i shënjuar, pra ka paguar taksën apo është karburant i pashënjuar, pra i futur kontrabandë në tregun shqiptar”, thotë ministria në dokumentin që shoqëron hartimin e buxhetit për vitin 2013.

Financat sqarojnë se, dhënia me koncesion e shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera ka për objekt projektimin, financimin, zbatimin dhe administrimin e shërbimit të kontrollit të kontejnerëve të destinuar për import, eksport apo që janë në regjim tranzitor, në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky kontroll propozohet të realizohet nëpërmjet instalimit dhe përdorimit të disa pajisjeve “skaner” të një teknologjie të lartë inspektimi, e cila bën të mundur kontrollin e automjeteve pa qenë nevoja për të ndërhyrë fizikisht.

 

 

Qëndrimi

Rama: Të ardhurat nga lotaria, te sporti

Duke marrë shembull nga praktika e ndjekur nga Anglia, vend i cili të ardhurat nga lotaria kombëtare i përdor për sportin dhe rezultatet në lojërat olimpike, kryetari i PS-së, rikonfirmon edhe një herë qëndrimin e tij, se ndryshe nga sa kërkon të marrë qeveria aktuale nga licenca e lotarisë, socialistët kur të vijnë në pushtet do të vendosin të tjera raporte nga fitimet e kësaj të drejte.

“I jemi referuar me kohë shembullit të Britanisë së Madhe, kur kemi folur për lotarinë kombëtare e jemi të bindur se kjo është rruga e duhur. Reflektim për skeptikët mbi programin e PS: Me lotarinë kombëtare në dispozicion të sportit e rinisë ne do ta rilindim sportin shqiptar. Mbyllja e Olimpiadës magjike të Londrës lë pas një reflektim: Shkëlqimi i skuadrës britanike ka në bazë financimin nga lotaria kombëtare!”, ishte reagimi i liderit të opozitës, Edi Rama, përmes rrjetit social “Twitter”.

Autor te 14 Gusht 2012. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry