Krimi


Policia e cilësoi vrasjen e djeshme në Kërrabë të Tiranës konflikt të çastit, por familjarët pretendojnë se ishte një krim i paralajmëruar


Shkon ta përdhunojë sërish, adoleshentja vret 45-vjeçarin


Bledi Gilaj


“Më ka përdhunuar, mbajtur peng dhe kërcënuar se do më ndante nga i fejuari dhe do më vriste familjen. Edhe mbrëmë erdhi të më kërcënojë sërish, prandaj mora armën dhe e vrava”. Kështu ka deklaruar para policisë Nazime Visha, autorja e vrasjes së Fiqiri Muçës, i cili vetëm dy muaj më parë e mori peng dhe e përdhunoi, ndërkohë që ajo, prej frikës hoqi dorë nga denoncimi. Bëhet fjalë për historinë e bërë publike në maj të këtij viti, kur nëna e Nazimes, tentoi të vrasë veten, pasi policia nuk po gjente vajzën e saj, por që ajo mësohet se ka filluar shumë kohë më parë…


Zanafilla


Familja Visha dhe Muça njihen prej vitesh, pasi kanë lidhur krushqi. Vajza e madhe e Beqir Vishës, motra e Nazimes, është martuar me vëllamë e Fiqiri Muçës. Njohja mes Fiqiriut dhe Nazimes ka filluar katër vjet më parë, kur Nazimja nga fshati Vilez i Tiranës, ishte vetëm 14 vjeçe. Që në atë kohë, mendohet se Fiqiri Muça, 45 vjeç, i cili ishte babai i pesë fëmijëve, ka filluar të ngacmojë të miturën. Kjo histori duket se ka zgjatur me vite, pasi vajza e re kishte frikë të tregonte në familje, derisa ka ardhur akti i rrëmbimit. Madje, askush nuk e kishte vënë re më parë, pavarësisht se dhuna ndaj saj kishte filluar para se ajo të rrëmbehej.


Rrëmbimi


Rreth nëntë muaj më parë, Nazime Visha, tashmë 18 vjeçe, fejohet me një djalë nga Kombinati. Kur ajo u fejua, Fiqiriu fillon të bëjë presion ndaj saj se do t’u thoshte të gjithëve se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të, me qëllim për ta divorcuar. Por, jo vetëm kaq. Ai e kërcënonte dhe e shqetësonte në telefon, duke i thënë se do t’i vriste familjen vajzës së re, ndërkohë që kjo kishte frikë t’i tregonte familjes. Më 23 maj, Fiqiriu kishte ardhur në fshatin e saj, duke pikasur edhe kohën, kur në shtëpi, nuk kishte as nënën dhe as babanë, por ishte vetëm me dy vëllezërit e vegjël. Nëna e Nazimes kishte shkuar për të hequr disa gurë në një tokë të familjes, ndërsa babai i saj ndodhej në Fushë-Krujë për të blerë një kalë. Por, kur kthehen në shtëpi, dy fëmijët e mitur u tregojnë se kishin rrëmbyer Nazimen, duke treguar se nga larg kanë parë Fiqiriun, vëllai i dhëndrit të shtëpisë. Menjëherë, ata denoncuan në polici, por që Fiqiriu dhe Nazimja nuk u gjetën për 11 ditë rresht. Në këto kushte, nëna e Nazimes, Mejte Visha, tentoi vetëvrasjen për humbjen e vajzës dhe dha alarmin se vajza e saj mund të trafikohej.


Rikthimi


Pas 11 ditësh e zhdukur, vajza u la e lirë dhe u rikthye në shtëpi. Ajo u paraqit në polici dhe në kushte të pashpjegueshme tërhoqi denoncimin e bërë nga prindërit e saj, ndërkohë që hetimet u pushuan. Megjithatë, sipas të dhënave, që nga ai moment, Nazimja nuk ishte e njëjta dhe kishte frikë. Për këtë arsye, edhe prindërit kanë dyshuar tek ajo, kështu që nuk kanë pranuar ta mbajnë në shtëpi. Por, gjatë rrëmbimit dhe mbajtjes peng të Nazimes, Fiqiriu ka mundur të tregojë edhe idenë e tij për ta trafikuar në Kosovë, vend ku me sa duket ishin bërë edhe pazaret për 18-vjeçaren. Plani i dështuar ka fiksuar faktin se burri ishte njeri me shumë borxhe në vlerë monetare dhe duke trafikuar motrën e kunatës në Kosovë, ai siguronte një dorë të mirë parash për të dalë nga borxhet. Pasi prindërit nuk e pranuan, ajo shkoi për të jetuar te gjyshi dhe dy xhaxhallarët e saj, që ka në Kërrabë të Tiranës. Aty jetonte deri para dy netësh, ndërkohë që kërcënimet ndaj saj me telefon apo në rrugë të tjera nga Fiqiriu vazhdonin.


Vrasja


Dy net më parë, Fiqiri Muça është bërë sërish i gjallë, duke kërcënuar më shumë se herët e tjera e duke i kërkuar vajzës të tregojë se ku është, ose do t’i vriste vëllezërit. Në këto kushte, vajza e frikësuar dhe e pambrojtur i ka treguar se ku ndodhet. Ai ka shkuar afër shtëpisë së saj dhe për këtë ka marrë një taksist me vete. Taksistit i ka thënë që ta priste sa të takonte dikë, që mund ta merrte me vete. Në atë kohë, ai e ka takuar Nazimen, e cila mendohet se e priste me armë në dorë. Kur ai ka vënë re automatikun, ka tentuar të largohet nëpër errësirë. Adoleshentja, thotë një burim i policisë, ka qëlluar me armë, duke e ndjekur me breshëri të shtënash nga porta deri sa e ka lënë të vrarë pothuajse 500 metra larg shtëpisë në një livadh. Menjëherë ajo është kthyer në banesë, ndërkohë që gjyshi i saj ka bllokuar taksistin që priste Fiqiri Muçën. Pas pak momentesh, në vendin e ngjarjes ka mbërritur babai i vajzës, të cilit i ka rrëfyer për herë të parë të gjithë historinë, ndërkohë që ai e ka këshilluar të telefonojë policinë dhe ta presë aty. Sapo policia ka mbërritur, fillimisht ka izoluar taksistin dhe më pas ka prangosur vajzën, duke sekuestruar edhe armën. Ajo është shoqëruar në polici dhe ka rrëfyer tmerrin e përjetuar, duke u ndjerë e lirë, edhe pse me pranga në duar.


 


Vrasësja-viktimë


Sapo policia ka mbërritur, fillimisht ka izoluar taksistin dhe më pas ka prangosur vajzën, duke sekuestruar edhe armën. Ajo është shoqëruar në polici dhe ka rrëfyer tmerrin e përjetuar, duke u ndjerë e lirë, edhe pse me pranga në duar


 


 


Historia


Krushqia – Familja Visha dhe Muça kishin lidhur krushqi prej disa vitesh. Fiqiri Muça ishte vëllai i burrit të vajzës së madhe të Beqir Vishës. Ai mendohet se kishte filluar ngacmimet ndaj Nazimes, qëkur ajo ishte 14 vjeçe, 4 vjet më parë dhe më pas e kishte përdhunuar dhe kërcënuar


Fejesa – Nëntë muaj më parë, kur Nazime Visha ishte fejuar me një djalë nga Kombinati, Fiqiri Muça kishe filluar ta kërcënonte se do t’i vriste familjen dhe i prishte fejesën, derisa më 23 maj e rrëmbeu, përdhunoi dhe e kërcënoi të tërhiqte denoncimin e bërë nga familja në polici


Babai – Beqir Visha kallëzoi në komisariat rrëmbimin e vajzës, ndërkohë që nëna e saj, Mejte Visha, nga frika se e bija ishte trafikuar për prostitucion, tentoi t’i japë fund jetës. Pas shpëtimit, ajo i bëri apel policisë për gjetjen e vajzës së rrëmbyer, që u kthye 11 ditë më vonë


Vrasja – Dy net më parë, Fiqiri Muça dyshohet se ka shkuar për të rrëmbyer sërish vajzën, e cila rrinte e fshehur te gjyshërit dhe dy xhaxhallarët e saj, por ajo ka gjetur një automatik dhe e ka vrarë, me qëllim për të shpëtuar njëherë e mirë nga makthi që kishte përjetuar prej vitesh


 


 


Dëshmia


Gruaja e xhaxhait: Nazimja më tregoi makthin e saj


Safete Visha, nusja e xhaxhait të Nazime Vishës, është ajo që njeh më së miri historinë e dhunës ndaj 18-vjeçares, me të cilën mendohet se është hapur më shumë se me këdo. 23-vjeçarja, e cila jeton me mbesën e të shoqit që prej fillimit të muajit qershor, rrëfen gjithë tmerrin e përjetuar nga adoleshentja. “Ajo u largua përpara dy muajsh, nuk erdhi pasi e kishin rrëmbyer dhe e mbajtën 11 ditë në një pyll. Menduam se mos i kishte ndodhur gjë apo se mos e kishte shitur, por ajo s’na mori në telefon dhe s’na tha që e kishte marrë. Ai e mbajti atje dhe nuk kishte rrugëzgjidhje sepse rrugët ishin bllokuar”, deklaroi Safete Visha. “Unë e kam në shtëpi prej dy muajsh Nazmijen. Më vjen keq për të, pasi ai burrë-monstër e mori në qafë. Kur më ka treguar historinë e saj në lidhje me përdhunimet që i kanë nisur që pa i mbushur ende 14 vjeçe, jam tmerruar, ndërsa nuk ka guxuar për vite me radhë t’ia thotë ndokujt. Që kur e rrëmbeu dhe e mbajti peng, ajo jeton me mua. E di unë se çfarë ka hequr ajo prej tij. Erdhi këtu të fshihet prej tij po edhe këtu s’donte ta linte të jetonte. Donte ta trafikonte edhe pse policinë e ka gënjyer se do të martohej me të. Ai ishte krejt i pafytyrë, i pështirë. E di shpirti i saj se çka vuajtur prej atij njeriu”, tregoi gruaja e xhaxhait të Nazmijes dje, e cila nuk kishte qenë në shtëpi mbrëmjen e krimit.