Edicioni i tridhjetenjë i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare do të zhvillohet përgjithësisht në shenjë të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë
Kosovë
Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili u hap të hënën në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, gjatë trembëdhjetë ditëve, sa do të zgjasë, do ta përshkojë fryma e njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Dy sesionet e Seminarit, ai i Gjuhës, si dhe ai i Letërsisë, në të cilat kumtesat e tyre do t’i lexojnë rreth 100 studiues, u janë kushtuar 100 viteve të studimeve të gjuhës shqipe, përkatësisht 100 viteve të studimeve letrare shqiptare.
Duke folur në hapje të edicionit të tridhjetenjë, Bardh Rugova, drejtor i seminarit, tha se seminari i këtij viti nuk dallon shumë nga seminaret e viteve të kaluara. Ai shtoi se ky institucion mbetet i njëjti projekt si në ditën e themelimit të tij në vitin 1974.
“Tridhjetë herë të tjera një drejtor seminari ka dalë në një tribunë si kjo për të hapur punimet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. I nxora nga arkivi ato fjalime, i lexova një nga një, vetëm për të kuptuar se një fjalim i tridhjetenjë nuk mund të ketë ndonjë risi të madhe, pos të përmbledhë ato që janë thënë a nënkuptuar tridhjetë herë të tjera rresht”, tha Rugova.
Sipas tij, ky është një projekt që synon ndikim në tri fusha të ndryshme. Ndikimi i parë është ai kulturor.
“Seminari mundëson shkëmbime kulturore me vende dhe kultura të tjera, mundëson përfaqësimet kulturore të albanologjisë në botë dhe përkthime të veprave të gjuhës shqipe në gjuhë të ndryshme të botës”, u shpreh Rugova. Ndikimi i dytë, sipas tij, është ai arsimor dhe shkencor. Pjesa më e madhe e Departamenteve të Shqipes a të Ballkanistikës në botë, sipas Rugovës, drejtohen dhe udhëhiqen nga pjesëmarrës të dikurshëm a të sotëm të këtij seminari. Veç kësaj, shtoi Rugova, seminari vit për vit është një vend ku nëpërmjet referimeve dhe kumtesave shtrohen dhe diskutohen probleme të caktuara të albanologjisë, duke e shtyrë gjithnjë përpara këtë fushë.
E ndikimi i tretë, sipas tij, është ai integrues.
“Krijimi i kontakteve me institucione dhe individë të interesuar për shkencën gjithandej botës, lidhja e bashkëpunimeve dhe raportet kontraktuale janë baza e ekzistencës së këtij institucioni”, tha ai, duke shtuar se viti mes dy seminareve nuk ishte i lehtë për albanologjinë.
“Përjetuam dhe ndamë dhimbjen për humbjen e studentëve të shqipes të Universitetit të Elbasanit në një aksident tragjik në afërsi të Himarës. U ndamë nga profesor Fadil Raka, ish-drejtor i këtij seminari. Na la poeti emblematik Ali Podrimja”, theksoi Rugova, duke shtuar se do të përpiqen t’i nderojnë ata, duke ruajtur sistemin e vlerave me të cilin jetuan, sistemin e njëjtë të vlerave që mban ky seminar.
Një ndihmë të madhe seminari për çdo vit e merr nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës. Ministri Ramë Buja, duke folur për ecuritë e ekzistimit të seminarit me fokus vitet nëntëdhjetë, tha se “Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, ndonëse kishte rënie në vitet ‘90, ishte institucioni që mbajti gjallë kulturën dhe traditën kombëtare”.
Sipas tij, kjo u bë përmes njerëzve, miqve e dashamirëve të albanologjisë që erdhën këtu e që ishin ambasadorët më kuptimplotë për të bartur atë që duhej bartur dhe pasqyruar, përmes portës së madhe të kulturës, për të na njohur kush ishim, çfarë bëjmë dhe ku synojmë”.
Në hapje të seminarit foli edhe Hajdin Abazi, zëvendësministër i Kulturës, i cili tha se këtë vit seminari shkon në nderim të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Shpresojmë që të vazhdojë puna që është bërë që nga fillimi kur ka nisur puna në këtë seminar”, tha Abazi.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Isa Mustafa, kryetar i Komunës së Prishtinës. Ai tha se ky seminar për Prishtinën është tepër i rëndësishëm, sepse në të ndodhin ngjarje të rëndësishme shkencore dhe kulturore. Ai shtoi se seminari është kthyer në një emblemë për Prishtinën.
“Shpresojmë që do të vazhdojë të japë rezultate të rëndësishme për zhvillimin shkencor e kulturor, por edhe në afrimin e gjuhës dhe kulturës sonë me gjuhët dhe kulturat e tjera”, tha Mustafa.
Pajazit Nushi, nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, tha se i vjen mirë që gëzoi fatin ta bëjë këtë përshëndetje me rastin e hapjes së punimeve të para të këtij instituti para 38 vjetësh. Atëherë në emër të organeve përgjegjëse për themelimin e seminarit, kurse sot fjalën përshëndetëse tha se e bën në emër të ASHAK-ut.
Sipas tij, tradita e veprimtarisë kulturore dhe shkencore e këtij seminari ka bërë që sot të kemi njohës dhe miq të Kosovës në shumë vende të Europës dhe në vende përtejoqeanike, sidomos në SHBA.
“Disa nga pjesëmarrësit e këtij seminari punojnë në institucione shkencore dhe në universitete, disa të tjerë kryejnë shërbime diplomatike nëpër ministri të Punëve të Jashtme të vendeve të ndryshme, kurse disa të tjerë kryejnë funksione të larta diplomatike në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Por ajo që është më e rëndësishmja, është fakti se seminari është institucion integrues i potencialit relativisht të madh shkencor dhe albanologjik”, tha Nushi.
Ndërsa Osman Gashi, dekan i Fakultetit të Filologjisë, theksoi se ky fakultet, menaxhmenti i tij, këshilli drejtues dhe drejtoria e tij, profesorët e bashkëpunëtorët, administrata e studentët, tashmë seminarin e ndiejnë si pjesë të pandashme të veprimtarive të tyre, angazhimeve të tyre profesionale përgjatë tërë një viti akademik.
Sipas tij, në esencën e tij seminari është pasqyra më e qartë dhe më kuptimplotë e zhvillimeve kulturore, shkencore, letrare e gjuhësore brenda një viti akademik, jo vetëm në Fakultetin e Filologjisë, por në tërë Universitetin e Prishtinës dhe më gjerë.
Edhe Gashi theksoi se seminari i sivjetmë do të zhvillohet përgjithësisht në shenjë të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
“Do të jetë ky një kontribut yni modest në shënimin e këtij përvjetori shumë të rëndësishëm për historinë e zhvillimet e sotme të kombit shqiptar”, tha ai.