Vrasja për varësen
Kapelja, ku u mor ADN-ja, u gjet dy ditë pas ngjarjes në makinën e kunatit të viktimës
Faktet e reja dalin gjatë masës së sigurisë për Aldo Hoxhën, i cili u la në “arrest me burg”
Prova kyçe që lidh vrasjen e 38-vjeçares Fatbardha Tafa me të arrestuarin Aldo Hoxha mund të rrëzojë të gjithë hetimin, nëse nuk gjenden faktorë plotësues, pasi ajo nuk është gjetur në vendin e ngjarjes, por në makinën e kunatit të viktimës, për më tepër, dy ditë pas krimit të rëndë. Faktet e reja të hetimit kanë dalë dje gjatë masës së vlerësimit në Gjykatën e Tiranës për të arrestuarin Aldo Hoxha. “Po më bëni kurban, po më përdorni si kokë turku. Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë vrasje, pasi kam qenë në shtëpi dhe po përgatitesha për të shkuar në dasmë, kur ka ndodhur ngjarja”, është shprehur Aldo Hoxha përballë gjyqtarit të çështjes Neritan Cena, gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit.
Faktet e reja janë bërë publike nga prokurori i çështjes, Blerim Tominaj, i cili ka shpjeguar se prova kyçe ishte kapelja e të dyshuarit. Sipas prokurorit, mbrëmjen e 7 gushtit, kur ndodhi krimi i rëndë në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, dy motrat Lumturie Gjana dhe Fatbardha Tafa, gjatë përplasjes me autorët kanë arritur ta kapin Aldo Hoxhën dhe ta mbështesin në murin e një banese private. Prokurori Tominaj i tha gjykatës se teksa 21-vjeçari ka tentuar t’i marrë nga qafa varësen e floririt viktimës Fatbardha Tafa, ai është arritur të neutralizohet nga dy motrat dhe të mbështetet me forcë në mur, ku dhe është konstatuar pjesa e gjakut. Aty pretendohet se atij i ka rënë një kapele, ngjyrë jeshile. Por, pas krimit, dëshmitarët kanë marrë kapelen, të cilën ia kanë lënë në dorë djalit të mitur të Fatbardhës. Më pas, djali e ka marrë kapelen me vete në makinën e burrit të Lumturie Gjanës, ku është lënë për dy ditë. Burri i Lumturie Gjanës është habitur nga kapelja, kështu që dy ditë pas krimit, ka njoftuar policinë, duke e dorëzuar atë pranë grupit hetimor.
Në këto kushte, djali i mitur ka treguar për policinë se kapelen e mbante në kokë njëri nga grabitësit, kështu që menjëherë, ajo është dërguar për analizat e ADN-së, ndërkohë që i dyshuari Aldo Hoxha ishte shoqëruar dhe lënë i lirë. Në kapele, policia shkencore ka gjetur gjurmë gjaku, që pretendohet se janë të viktimës, një qime floku, e cila i përket Aldo Hoxhës dhe djersë. Megjithatë, mënyra e marrjes së provës dy ditë me vonesë dhe krahasimi i ADN-së së qimes së flokut me atë të Hoxhës, mund të lënë shteg për pretendimet e mbrojtjes. Tashmë, detyra e policisë dhe e prokurorisë mbetet që të vërtetojë se ajo kapele ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është përdorur aty pikërisht nga Hoxha, duke pasur parasysh se shumë veta kanë shpëtuar nga dënimet pikërisht për shkak procedurash. Por, prokuroria shprehet e bindur se ka dëshmi që vërtetojnë se kapelja ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është përdorur nga i dyshuari, për të cilin prokuroria ngre akuzën se veçse ka marrë pjesë në ngjarje, ai ka goditur me thikë pesë herë viktimën, ku tre goditje kanë qenë vdekjeprurëse.
Nga ana tjetër, i arrestuari, i cili nuk pranon krimin, ka kërkuar ballafaqim me Lumturie Gjanën, e cila pretendohet se ka bërë njohjen e autorit. “Nëse ajo pretendon se është përplasur me vrasësin, atëherë le të vijë para gjykatës dhe të më identifikojë, nëse atë ditë kam qenë unë apo jo”, ka pohuar në sallën e gjyqit Aldo Hoxha. Fakti i qëndrimit të Aldo Hoxhës, i fshehur gjatë mbrëmjes së 7 gushtit, është argumentuar në gjykatë nga 21-vjeçari si frikë ndaj forcave të policisë. “Kam vënë re se po më ndiqnin policët dhe nga frika e tyre, kam kujtuar se do më ndalonin për një problem që kisha me një makinë, prandaj dhe kam shkuar në banesës e xhaxhit, për t’u fshehur”, ka treguar në sallën e Gjykatës së Tiranës i arrestuari Aldo Hoxha. Kjo dëshmi nuk është marrë e mirëqenë nga ana e gjykatës, e cila ka vendosur që të lërë në masën e “arrestit në burg”.