Aktualitet Shuhet Arbën Xhaferi, rilindësi i fundit

Shuhet Arbën Xhaferi, rilindësi i fundit

2046
SHPËRNDAJE

Ka ndërruar jetë pas një hemorragjie cerebrale. Sot ceremonia e lamtumirës në Tetovë

Ylli Pata

Arben XhaferriKa ndërruar jetë një nga intelektualët dhe mendimtarët më të rëndësishëm ndërshqiptarë, Arbën Xhaferi. Jeta e filozofit, që punoi si gazetar e më pas si një politikan që prodhoi ide të mëdha dhe firmosi për paqen, është shuar dje në një spital të Shkupit, në moshën 64-vjeçare, ndërsa vuante një agoni disaditore, pasi kishte rënë në gjendje kome. Një goditje e rëndë në tru, i kishte shkaktuar një hemorragji cerebrale, e cila ishte fatale dhe nuk bëri të mundur rikthimin e tij në jetë. Për Arbën Xhaferin, pjesa e dytë e jetës në dy dekadat e fundit ka qenë një kalvar i mundimshëm i vuajtjeve dhe përpjekjeve për të luftuar në disa dimensione me sëmundjen e tij, me të gjitha fenomenet negative te shqiptarët e Maqedonisë, por edhe në të gjithë hapësirën shqiptare. Ditën e sotme, në qytetin e tij të lindjes, Tetovë, do të bëhet edhe ceremonia e nderimit të fundmë për Arbën Xhaferin. Në Pallatin e Kulturës së qytetit do të mbahen homazhet dhe më pas ceremonia e varrimit, ku pritet një pelegrinazh i madh nga të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët, por edhe nga diaspora.

Jeta

Arbën Xhaferi lindi në Tetovë më 24 janar të vitit 1948. Shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në Tetovë, ndërsa studimet për Filozofi i kreu në Universitetin e Beogradit. Pas universitetit ka punuar si gazetar në radiotelevizionin e Prishtinës deri në rrëzimin e regjimit komunist në Jugosllavinë e atëhershme. Me ndryshimet që ndodhën, Arbën Xhaferin nuk e mbante vendi në Prishtinë, miqve të tij të ngushtë, ndër ta ishte dhe Veton Surroi, u tha se do të rikthehej në vendlindje. Shumë nga shokët e tij nuk e kuptuan këtë vendim të beftë për largimin nga Prishtina, në një qytet më të vogël e të zymtë siç ishte Tetova në atë kohë. Por në kokën e tij, Arbën Xhaferi e kishte vendosur misionin pa marrë parasysh çmimin. Të luftonte fort, me armën e tij, dijen, me pushtetin dhe elitën maqedonase, e cila i cilësonte shqiptarët e prapambetur dhe jo të arsimuar. Por këtë nuk mund ta bënte natyrisht nga një dritare e vogël, por nga “ballkoni”. Me ndërmjetësimin e Veton Surroit, i kërkoi ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, që ta ndihmonte për të t’u ngritur në drejtimin e Partisë së Prosperitetit Demokratik, e vetmja forcë politike e shqiptarëve në Maqedoninë e fillimviteve ’90. Përpjekja për hyrjen në politikë shkaktoi një ndarje politike, që çoi në themelimin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve, ku Arbën Xhaferi u zgjodh kryetar. Menjëherë në rezervimin e poltronit kryesor te skena maqedonase, nisi zbatimi i planit të vjetër të Arbën Xhaferit. Artikuloi shpejt, por pa u nxituar, tezat dhe idetë e forta për federalizmin në Maqedoni, krijimin e një shteti ku shqiptarët dhe maqedonasit duhet të jenë etnitete shtetformuese. Polemizoi fuqishëm me intelektualët dhe elitën maqedonase dhe kërkoi te krerët e Shkupit që të hartojnë marrëveshjen për rikrijimin e shtetit. Arroganca e nacionalistëve të djathtë çuan në acarimin e situatës, radikalizmin e saj, krijimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe fillimin e konfliktit të armatosur. Në skenë doli një grupim i ri politik dhe udhëheqës Ali Ahmetin, që sfidoi politikën e ndjekur nga PDSH-ja. Por Arbën Xhaferi nuk pati dilema dhe nuk ndoqi rrugën e LDK-së në Kosovë. Përkrahu fuqishëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Hashim Thaçin, punoi ngushtë me Tiranën zyrtare, dhe dy vite më pas, së bashku me Ali Ahmetin, ideoi dhe negocioi Marrëveshjen e Ohrit, që u dha shqiptarëve të drejtën e shtetformimit. Më pas u rikthye në politikën normale, por shëndeti po e sfidonte rëndë. Që prej kohës kur në Vlorë, ndërsa po pushonte me familjen e goditi sëmundja e Parkinsonit, kalvari i jetës së Arbën Xhaferit do të ishte sfilitës. Por ai nuk u ankua kurrë, nuk rreshti kurrë të shtronte idetë dhe mendimet e tij, të cilat gjithnjë linin shenjë dhe gjenin një konsensus te të gjitha grupet e shtresat. U tërhoq nga politika, por hodhi një ide të fortë, atë të ndarjes së Maqedonisë, pasi bashkëjetesa ishte e pamundur me elitën refuzuese të Shkupit. Por kjo tezë e tij nuk gjeti shumë vend. Megjithatë, nuk pushoi asnjë moment, edhe pse shëndeti po përkeqësohej. Në një komunikim me email, për një intervistë për “Shqip” në maj, kur po nisnin negociatat për presidentin e ri në Tiranë, Arbën Xhaferi e përshkroi gjendjen e tij: “Jam hundë e buzë”. Por gjithsesi dha dy intervista brilante njëra pas tjetrës. Të fundit e ka dhënë po për gazetën “Shqip”, pikërisht për gjuhën shqipe.

 

 

Reagime nga të gjithë krerët e shtetit e politikës nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi

 

Bota shqiptare shikohet nga humbja e intelektualit të shquar

 

Nga Tirana, Prishtina dhe Tetova, krerët më të lartë të shqiptarëve kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet e tyre për humbjen e Arbën Xhaferit. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një telegram të tij, e vlerësoi Xhaferin si “një udhëheqës vizionar që do të na mungojë të gjithëve”. “Arbën Xhaferi vuri në dispozicion idealet për t’u shërbyer shqiptarëve dhe demokracisë”, thotë Nishani në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Kreu i shtetit shqiptar thotë më tej se, Xhaferi përdori me mjeshtëri dialogun për të zgjidhur me qetësi problemet politike të pashpresa. Edhe Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së mendimtarit të madh shqiptar, për humbjen e njeriut të tyre të dashur. “Ndarja nga jeta e Arbën Xhaferit solli pikëllim dhe trishtim te mbarë shqiptarët”, shprehet Berisha në telegramin e tij. Kryeministri vlerëson më tej se, me ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferit, shqiptarët kanë humbur një prej personaliteteve më të shquara. “Kontributi i Arbën Xhaferit është një trashëgimi tejet e çmuar që meriton mirënjohje”, shprehet shefi i ekzekutivit shqiptar. Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur hidhërimin e tij lidhur me vdekjen e Xhaferit, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social “Twitter”. Rama është shprehur se, Arbën Xhaferi ishte një shqiptar jotipik, që tha të vërteta të mëdha e hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale!

“Vdekja e tij është një humbje e madhe për botën shqiptare në disa përmasa, që veç Arbën Xhaferit i mishëronte në një njeri të vetëm. U prehtë në paqe”, thotë Rama. Ndërsa ish-presidenti Bamir Topi, në mesazhin e tij ka vlerësuar klasin e Arbën Xhaferit në botën e politikës mbarëshqiptare. Sipas Topit, Xhaferi ishte një intelektual me profil perëndimor dhe humbja e tij përbën një humbje kombëtare. “Shqiptarët janë të trishtuar për humbjen e qytetarit, filozofit, mendimtarit dhe politikanit Arbën Xhaferi”, shprehet Topi. Nuk ka munguar ndërkohë edhe ngushëllimi nga ana e Aleancës Kuqezi, e cila u ka shprehur ngushëllimet më të thella familjarëve të Xhaferit. Në telegramin e saj, AK shprehet se shqiptarët humbën të vetme “mendje të kthjellët” që synonte bashkimin e trojeve të tyre. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e ka cilësuar vdekjen e Xhaferit si “Humbja e njërit prej udhëheqësve më të palodhur të kombit shqiptar në tërësi e të shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti. Kjo humbje përbën një moment zie në historinë moderne të kombit. Sot të gjithë zotohemi që të çojmë përpara idealet e Arbën Xhaferit për bashkim kombëtar, si mënyra më e mirë për të respektuar kujtimin e tij”. Telegrame ngushëllimi për familjen dhe mbarë popullin shqiptar për vdekjen e publicistit dhe intelektualit të shquar shqiptar Arbën Xhaferi kanë ardhur edhe nga liderët shtetërorë të Kosovës, Presidentja Jahjaga, Kryeministri Thaçi dhe Kreu i Kuvendit, Krasniqi.