OMONIA e boton formularin edhe në metodën online për emigrantët, duke u garantuar sigurinë


BLEDAR HOTI


Zbulohet formulari i regjistrimit të popullsisë së OMONIA-s. Organizata e minoritetit grek, OMONIA, po aplikon një metodë të re për plotësimin e formularit të vetëregjistrimit. Procesi i OMONIA-s ka nisur në muajin korrik dhe parashikon që të mbyllet në dhjetor për Krishtlindje. Një komitet special është ngritur për një çështje të tillë, me qëllim përcaktimin e numrit të saktë të minoritetit grek. Sipas njoftimit zyrtar, OMONIA thekson se “Database do të azhurnohet në baza të rregullta”, thuhet në njoftim. OMONIA, me anë të këtij projekti, synon në mbledhjen e të dhënave të vlefshme për grekët etnikë, në mënyrë që të përmirësojë të drejtat e pjesëtarëve të pakicave. Organizata, e cila garanton konfidencialitetin dhe profesionalizmin nëpërmjet procesit, është duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve grekë të Shqipërisë për të marrë pjesë në regjistrimin e minoritetit grek. OMONIA ka nisur vetëregjistrimin nisur nga fakti se INSTAT-i ende nuk e ka shpallur numrin e saktë të minoritetit në Shqipëri.


Formulari


Formulari në gjuhën greke u garanton atyre që e plotësojnë atë ruajtjen e privatësisë. “Në përgjegjësinë time dhe plotësisht të ndërgjegjshme e të vetëdijshme, deklaroj se informacioni i mëposhtëm është i vërtetë dhe me vullnet të lirë do ta pranoj përdorimin e të dhënave të regjistrimit si një komponent i inventarit të kryer nga OMONIA-DEEEM”, thuhet në hyrje të formularit. Të gjitha pyetjet e formularit janë të detyrueshme për t’u plotësuar nga aplikantët, pasi janë të shënuara me simbolin yll. Gjithsej janë 16 pyetje, të cilat njerëzit duhet t’i plotësojnë. Pyetja e parë nis pikërisht me deklarimin e gjuhës amtare. Ndërsa e dyta nis me origjinën kombëtare, pra etninë. E treta lidhet me besimin, nëse janë të krishterë ortodoksë apo të ndonjë besimi tjetër. OMONIA në këtë formular kërkon të dijë edhe vendlindjen e nënës dhe të babait e të intervistuarit. Kjo mbase lidhet me faktin se një pjesë e emigrantëve shqiptarë në Greqi, të detyruar nga shteti fqinj jugor kanë konvertuar besimin dhe kanë ndërruar emrin e tyre. Përfaqësuesit e OMONIA-s prej gati tri javësh kanë nisur procesin e regjistrimit të minoritetit grek në të gjithë vendin. Lajmi konfirmohet për “Shqip” nga ana e drejtuesit të organizatës OMONIA të Sarandës, Llambi Panteqi, i cili thekson se kjo organizatë është shumë e kënaqur nga mënyra sesi po ecën ky proces. Pavarësisht faktit se ky proces regjistrimi do të vijojë deri në fund të këtij viti, kanë mjaftuar tri javë që vetëm në Rrethin e Sarandës të regjistrohen 15 mijë minoritarë. “Procesi ka nisur normalisht duke nisur nga 23 korriku në të gjithë vendin, por sigurisht që ritmi më i lartë i regjistrimit ka ndodhur në Jugun e vendit. Aktualisht që po flasim vetëm në Rrethin e Sarandës janë regjistruar 15 mijë minoritarë dhe numri pritet të rritet duke nisur nga fakti se qytetarët kanë edhe pesë muaj në dispozicion për t’u regjistruar”, theksoi Panteqi në një prononcim për “Shqip”.


 


INSTAT


17 tetor


Institucioni që ka realizuar censusin në Shqipëri, INSTAT, ka bërë të ditur se publikimi përfundimtar i regjistrimit të popullsisë do të bëhet në datën 17 tetor. Zyrtarë të INSTAT-it kanë theksuar se “pjesa e numërimit të OMONIA-s del jashtë këndvështrimit tonë, pasi nuk ka të bëjë fare me metodologjinë e census-it”.


 


Tabela


Pyetjet e pyetësorit


1. Cila është gjuha juaj amtare?*


Greke


Të tjera


2. Cila është origjina juaj kombëtare


Greke


Të tjera


3. Cila është feja juaj?


Krishtere, ortodokse


Nuk e deklaroj


Tjetër


4. Emri


5. Mbiemri


6. Emri i babait


7. Emri i nënës


8. Cili është vendi juaj i lindjes?


9. Kush është vendlindja e babait tuaj?


10. Kush është vendlindja e nënës suaj?


11. Kush është vendi juaj i qëndrimit në Shqipëri;


(Nëse jetoni përgjithmonë jashtë Shqipërisë, ju lutemi plotësoni bashkinë ose qarkun, cilës gjendje civile i përkisni)


12. Ju lutemi të plotësoni adresën tuaj?


(Në këtë adresë do të merrni një kopje të pyetësorit të kompletuar. Rruga/ Nr/ Kodi Postar/ Fshati, Qyteti/ Vendi)


13. Ju lutem shkruani datën e lindjes?


(në formën e data / muaji / viti. P.sh. 19/02/1981)


14. Ju lutem plotësoni profesionin tuaj?


15. Ju lutemi të plotësoni numrin e telefonit tuaj celular?


(dhe vënien prefiksin e shtetit përpara. P.sh. 0030 6977569764 ose 00355 684518364)


16. Ju lutemi të plotësoni email-in tuaj


 


 


Deklarata


PDIU: Tirana shqiptare të reagojë ndaj neonazistëve


Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet deklaroi dje se pala shqiptare duhet të reagonte me forcë ndaj rritjes së shovinizmit grek. Përmes një deklarate për shtyp, PDIU-ja dënoi deklaratën e deputetit neonazist grek, Kristo Papa, se Himara është tokë greke e shumë shpejt do të bashkohet me Greqinë. Sipas PDIU-së, pala shqiptare nuk mund të qëndrojë në heshtje në lidhje me këto deklarata tepër shqetësuese. Përfaqësuesit e PDIU-së kërkuan shpalljen non-grata të deputetit grek në Shqipëri. “Është e pafalshme që Policia e Shtetit dhe autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit nuk kanë vepruar në mënyrë të menjëhershme, duke e ndaluar këtë provokator dhe duke e dëbuar nga Shqipëria.


PDIU-ja proteston fuqishëm ndaj këtyre deklaratave të pavenda dhe i bën thirrje shtetit grek që të distancohet nga këto prirje të errëta të shekullit të kaluar, të cilat tashmë deklarohen nga anëtarë të Parlamentit grek”, theksohet në njoftimin e PDIU-së.


 


 


 


Nënkryetari i grupit të PS, Sajmir Tahiri, do të bëjë publike kushtet


Opozita, sot qëndrim zyrtar për marrëveshjen me Athinën


Partia Socialiste pritet të mbajë sot një qëndrim zyrtar për sa u përket negociatave të nisura tashmë nga Ministria e Jashtme shqiptare me palën greke për sa i përket marrëveshjes për ndarjen e ujërave. Fshehtësia në këto negociata pritet të denoncohet sot nga ana e socialistëve dhe po kështu pritet të kërkohet transparencë. Socialistët do të kërkojnë respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili detyron përfshirjen e institucionit të Presidentit në këto negociata. Ky reagim pritet të vijë në kushtet kur Ministria e Jashtme shqiptare flet për nisjen e negociatave me palën greke dhe, nga ana tjetër, mban me fshehtësi të madhe jo vetëm bazën mbi të cilën po negociohet, por edhe personat të cilët janë përfshirë në bisedime me palën greke. Nga ana tjetër, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duket se Presidenti i Republikës është lënë jashtë këtyre negociatave. Për të diskutuar për marrëveshjen e detit dhe çështje të tjera biletarie, në Athinë në fillim të muajit shtator është ftuar të shkojë edhe ministri i Jashtëm, Edmond Panariti. Ministria e Jashtme greke, në mënyrë zyrtare lajmëroi pak ditë më parë edhe vizitën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Panariti në Athinë me ftesë të homologut grek, Dhimitris Avramopullos. Në një njoftim për shtyp të ministrisë greke, theksohet fakti se kryediplomati grek, Avramopullos, e telefononi ministrin e ri shqiptar për t’i kërkuar këtë vizitë dhe për të biseduar gjithashtu në lidhje me çështje bilaterale. Por duket se kjo vizitë zyrtare e Panaritit në Greqi do të vendosë për shumë çështje të mbetura pezull mes dy vendeve. Burimet bëjnë të ditur se çështja më e rëndësishme që do të merret në shqyrtim është ajo e ndarjes së ujërave territoriale e mbetur pezull mes dy vendeve.