Financat 


Shkaku, kriza e euros dhe borxhet e mëdha të vendeve në jug të kontinentit


Pavarësisht një momenti të mirë që ende vazhdon për Gjermaninë që shënon rritje ekonomike, edhe pse jo të nivelit të lartë, përgjithësisht ekonomia e vendeve të Bashkimit Europian dhe atyre të Eurozonës ka pësuar rënie të ndjeshme. Ekonomia në Eurozonë bie me 0,2%. Konsumi dhe eksportet bëjnë që ekonomia gjermane të rritet me 0,3%. Rendimenti ekonomik është tkurrur në tremujorin e dytë, si në Eurozonë, ashtu edhe në BE. Siç njoftoi agjencia europiane e statistikave, Eurostat, të martën në Bruksel, Produkti i Brendshëm Bruto i 27 shteteve të BE-së nga prilli deri në qershor ra me 0,2 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Në të njëjtën nivel është tkurrur ekonomia në 17 shtetet e Eurozonës. Nga janari deri në mars, ekonomia në BE dhe në Eurozonë mbeti në vend. Zhvillimi ekonomik në BE dhe në Eurozonë bëhet në mënyrë të pabarabartë. Ndërsa vendet si Gjermania shënojnë akoma një rritje të dobët ekonomike, shtetet në krizë në jug të Europës, si Italia, Spanja, apo Qipro ndodhen thellë në recesion. Etiketa “Made in Germany” tërheq ende. Gjermania i eksporton produktet e saj në të gjithë botën.


Sipas mendimit të shumë ekonomistëve, edhe këtë vit eksportet do të vazhdojnë ta mbështesin ekonominë gjermane. Megjithatë jo aq fort. Që koniunktura po dobësohet në të gjithë botën, këtë e ndiejnë gradualisht edhe sipërmarrjet gjermane. Në krizën e borxhit të euros edhe ekonomia gjermane humbet vrullin e saj. Pas forcës në fillim të vitit, lokomotiva koniunkturore e Europës e ka ngadalësuar tempin në kuartalin e dytë. Produkti i brendshëm bruto u rrit në krahasim me tremujorin e kaluar (duke marrë parasysh çmimin, sezonin dhe kalendarin) me 0,3 për qind, njoftoi zyra federale e statistikave në Wiesbaden. Në fillim të vitit ekonomia u rrit me 0,5 për qind. Në Francë ekonomia është paralizuar tashmë. Këtu rendimenti ekonomik u rrit pak në verën e vitit 2011, por tani ai ka ndaluar në të tretin tremujor me radhë. Shkaku kryesor: francezët nuk bëjnë shumë shpenzime. Ndërkohë shumë ekspertë të ekonomisë kanë frikë se ekonomia e dytë më e madhe në Europë mund të rrëshqasë në recesion.