Londër
Britanikët reagojnë: Nuk do të guxojë që të dalë nga ambasada
Ekuadori i ka dhënë azil politik themeluesit të “Wikileaks”, Julian Asanzh. Kjo është bërë e ditur nga vetë ministri i Jashtëm i Ekuadorit, Rikardo Patino. Deklarata vjen një ditë pasi qeveria britanike ka kërcënuar se do të hyjë me forcë në ambientet e ambasadës së Ekuadorit në Londër për të nxjerrë që andej Asanzh. Britania ndërkohë deklaroi sërish se, pavarësisht dhënies së azilit, ajo është e vendosur për ta ekstraduar Julian në Suedi, vend të cilin ai është akuzuar për sulm seksual, por vetë Asanzh thotë se qëllimi përfundimtar është dërgimi i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjykim. Ky vend është tepër i acaruar me kreun e “Wikileaks”, duke qenë se ai gjatë viteve të fundit ka nxjerrë në sajtin e tij një sërë materialesh dhe kabllogramesh, të cilat flasin për një realitet tjetër, sekret dhe diplomatik. Vendimi i Ekuadorit ka të ngjarë që të thellojë debatin dhe madje edhe përplasjen që tani ka nisur mes Britanisë dhe Ekuadorit në lidhje me çështjen e largimit të Asanzh në Ekuador. Britania deklaroi se ishte e zhgënjyer me vendimin e marrë për Asanzh dhe se ndërkohë priten edhe kontradikta në vijim edhe më të thella mes të dyja vendeve, të cilat tani ndodhen në një moment përplasjeje. Ministri i Jashtëm i Ekuadorit bëri të ditur se për sigurinë e australianit, i cili i bëri qeverisë së Ekuadorit një kërkesë zyrtare për azil politik, kishte ende probleme, pavarësisht faktit se ai ishte në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Kërkesa për azil iu pranua Asanzh nga Presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, një armik i vetëshpallur i “medias së korruptuar”. “Ekuadori vendosi që t’i japë azil politik Julian Asanzh në vijim të kërkesës së tij drejtuar Presidentit të vendit”, ka deklaruar ministri i Jashtëm. Sipas tij, ky ishte një vendim sovran i një vendi sovran, i cili mbrohej edhe nga ligji ndërkombëtar. Asanzh ndodhet në ambasadën e Ekuadorit që prej 8 javësh tashmë, që kur humbi betejën ligjore për shmangien e ekstradimit të tij në Suedi. Edhe pas vendimit të djeshëm, ndërkohë, fati i Asanzh nuk është i qartë. Britania ka kërcënuar se do ta nxjerrë atë nga ambasada dhe madje t’i heqë edhe vetë ambasadës së Ekuadorit statusin diplomatik dhe kjo do ta ekspozonte Asanzh drejt një arrestimi të menjëhershëm nga autoritetet britanike. Pas lajmit të bërë të ditur nga ministri i Jashtëm i Ekuadorit në lidhje me dhënien e azilit, një zyrtar i qeverisë britanike deklaroi se nuk do të lejohej gjithsesi që Asanzh ta linte Britaninë e Madhe dhe se do të vihej në pranga sapo të bënte një hap jashtë ambasadës. Ajo që ka bërë përshtypje është reagimi i Ekuadorit dhe veçanërisht i ministrit të tij të Jashtëm, Patino. Në vijim të njoftimit me shkrim që ai kishte marrë nga zyrtarë të lartë britanikë, ai deklaron se vendi i tij nuk është një koloni e Britanisë së Madhe dhe se ato kohë, kur kjo ishte e mundur, kanë marrë fund. Sipas tij, një sulm me dhunë në ambasadë do të ishte një veprim armiqësor dhe i patolerueshëm e se do të konsiderohej një tentativë për të prekur sovranitetin e vendit, një tentativë që do të merrte një kundërpërgjigje të denjë. Ndërkohë, Ministria e Jashtme britanike e ka mohuar faktin se i është bërë një kërcënim Ekuadorit. Në një deklaratë për publikun, zyrtarët e ministrisë thanë: “Përmes këtij procesi ne kemi tërhequr vëmendjen e Ekuadorit në lidhje me një dispozitë të ligjit britanik. Ministri i Jashtëm i Ekuadorit tha se Asanzh mund të përballet me një kërcënim real persekutimesh politike, si dhe me mundësinë e një dënimi me vdekje nëse do të ekstradohej”.