Mançester Junajtid


Tekniku thekson se do të ketë në dispozicion një sulm të papërmbajtshëm


Tekniku skocez i Mançester Junajtid nuk e ka fshehur kënaqësinë për blerjen e holandezit Robin Van Persi dhe tashmë pretendon se ka katër sulmues të denjë për të rivalizuar suksesin e tij të famshëm të vitit 1999. Holandezi pritet të mbërrijë në Mançester të mërkurën e ardhshme për të rënë dakord për kushtet personale dhe t’u nënshtrohet testeve mjekësore, ndërkohë që “Djajtë e Kuq” kanë rënë dakord për një tarifë prej 24 milionë euro paundë (31 milionë euro) me Arsenalin, për këtë transferim. “Runi dhe Van Persi janë dy lojtarë fantastikë, që garantojnë një sezon të madh, u shpreh Ferguson. T’i kem të dy në skuadër do të thotë se jemi duke përsëritur sezonin e vitit 1999, ku Jorke, Kol, Sheringham dhe Solskjaer e dëshmuan veten si katër sulmuesit më të mirë në Europë. Duke marrë edhe Van Persin, sulmi ynë do të jetë i papërmbajtshëm. Runi, Van Persi, Çikarito dhe Deni Uelbeck është një koleksion fantastik lojtarësh për këtë repart”. Sir Aleks ka hedhur poshtë frikën se ai do të ketë dhimbje koke për përzgjedhjen në repartin ofensiv, pas mbërritjes së Van Persit, duke nxituar të heqë paralele krahasimesh mes linjës sulmuese që kishte Junajtid në sezonin e suksesit të trefishtë të vitit 1999 dhe ekipit aktual. “Unë vetëm shpresoj të marr kombinimet e duhura prej tyre, u tha ai gazetarëve. Është një arritje e madhe të kesh një lojtar të cilësisë së Van Persit, ndaj jam i kënaqur me të vërtetë”. 70-vjeçari zbuloi gjithashtu se marrëveshja është për t’u vulosur dhe se ai pret që holandezi të jetë në dispozicion të tij për ndeshjen e “Premier League”, kundër Evertonit, të hënën në mbrëmje: “Ai nuk ka nënshkruar ende, por për tarifat financiare ka qenë dakord. Van Persi është në rrugën e tij për në Londër, ku do t’u nënshtrohet testeve mjekësore më vonë. Shpresojmë që gjithçka të shkojë sipas planit. Personalisht jam i sigurt se ai do të jetë në dispozicion për ndeshjen e së hënës”.