Prokuroria ngre dyshime mbi dijeninë e punonjësve të Policisë së Shtetit në vrasjen e dyfishtë të Gentian dhe Nezir Beqirit. Sekuestrohen telefonat celularë të autorëve dhe policëve
Dyshimet e akuzës
Prokuroria ngre hije dyshimi mbi implikimin e policisë në vrasjen e Gentian Beqirit, dy ditë më parë në qytetin e Elbasanit. Nga verifikimi paraprak ka rezultuar se disa punonjës policie kanë pasur dijeni për ekzekutimin dhe nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e këtij akti kriminal. Prokuroria e Elbasanit pohon se do të kërkojë arrest me burg për dy punonjësit e policisë Sami Derstila dhe Reshat Budani, si bashkëpunëtorë në vrasje, ndërsa policia merr masa për dy punonjës të tjerë të policisë. Informacionet e marra nga akuza dhe policia janë kontradiktore. Hetuesit shprehen se kanë nën akuzë penale vetëm Derstilën dhe Budanin, ndërsa burimet policore pohojnë se këta dy punonjës policie nuk figuronin me letra si policë rojë te banesa e familjes Beqiri. Ata kishin zënë vendet e dy punonjësve të tjerë, çfarë ka ngritur të tjera dyshime në këtë ekzekutim, i cili ka qenë i dyfishtë, pasi ekspertiza ka sqaruar se Nezir Beqiri ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të marra në mushkëri nga ana e dy ekzekutorëve.
Hetimet e prokurorisë
Prokuroria e Elbasanit bën me dije se po punohet intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi qytetin. “Nuk mund të japim detaje rreth vrasjeve që ndodhën në banesë, pasi gjithçka po hetohet me intensitet. Ka ende shumë punë për të bërë dhe shumë rrethana për t’u sqaruar. Gjithsesi personat e arrestuar, Arben Jaçe 31 vjeç, dhe Florenc Çapja 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, dyshohen për vrasje të dyfishtë. Nëse vërtetohet që ata janë vrasësit e vërtetë, rrezikojnë nga 25 vjet, deri në burgim të përjetshëm”, kanë cituar burimet në prokurori, të cilat saktësojnë se krahas tyre do të kërkojnë arrest në burg edhe për dy punonjësit e Policisë së Shtetit, Sami Derstila dhe Reshat Budani si bashkëpunëtorë në këtë vrasje.
Dyshimet për Jaçen
Ndërkaq, burime të brendshme nga policia lokale bëjnë me dije se Arben Jaçe ka qenë person i akuzuar më parë për vrasjen e ish-efektivit të policisë Roland Rexhepi, i cili është ekzekutuar para banesës së tij në vitin 2009. Mësohet se 31-vjeçari ka bërë mbi një vit burg për vrasjen e ish-policit, të njohur ndryshe “Doda”, por në fund ka dalë i pafajshëm. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se Jaçe e ka hedhur organin e akuzës në gjyq për të kërkuar dëmshpërblim nga kjo e fundit për kohën që ka qëndruar në burg. Ky i fundit ka në pronësi të tij një servis motorësh pranë Unazës së Re në Tiranë. Edhe Florenc Çapja dyshohet që të jetë autori i një vrasjeje të ndodhur në 2006-n.
Njohja e autorëve
Sipas policisë, kanë qenë policët rojë Sami Derstila dhe Reshat Budani ata që kanë njohur ekzekutorët e dyshuar të Nezir dhe Gentian Beqirit. Paraditen e së mërkurës, Nezir dhe Gentian Beqiri janë ekzekutuar në banesën e tyre pranë lagjes “Çlirimi”. Paraprakisht dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n, Gentian Beqiri është akuzuar nga organi i drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çape, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Prej disa kohësh 40-vjeçari ishte në arrest shtëpie për vrasjen e lartpërmendur dhe për pasojë ruhej nga dy punonjës policie, të cilët janë arrestuar për shpërdorim detyre. Vrasjet janë kryer në gjakftohtësi dhe dy efektivët rojë nuk e kanë kuptuar që ekzekutorët kanë kryer krimin. Ata e kanë marrë njoftimin vetëm pasi ka ardhur ambulanca.
Ekspertiza
Ekspertiza mjekoligjore ka sqaruar situatën rreth vrasjes së ndodhur paraditen e së mërkurës në Elbasan. Nezir Beqiri, babai i Gentian Beqirit, i cili u ekzekutua në banesën e tij nga dy persona, nuk ka vdekur nga ataku kardiak, por nga plagët e shumta që ka marrë në trup. Burimet bëjnë me dije se ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri të moshuarin dhe për pasojë i është shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen. Fillimisht nga burimet zyrtare u deklarua se Nezir Beqiri gjeti vdekjen nga ataku kardiak që pësoi gjatë kohës që i biri, Gentiani, u ekzekutua në prezencë të tij. Ka qenë ekspertiza ajo që ka dhënë një konkluzion të saktë rreth shkaqeve të vdekjes Nezirit.
Gentian Beqiri – Nezir dhe Gentian Beqiri janë ekzekutuar në banesën e tyre pranë lagjes “Çlirimi”. Vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n, Gentiani është akuzuar për vrasjen e biznesmenit Sokol Çape
Nezir Beqiri – Nuk ka vdekur nga ataku kardiak, por nga plagët e shumta që ka marrë në trup. Është goditur në mushkëri e për pasojë i është shkaktuar hemorragji
Intervista
Vëllai i Arben Jaçes: Policia po hakmerret, më parë doli i pafajshëm
Klodian Jaçe, vëllai i të arrestuarit Arben Jaçe si i dyshuar për vrasjen e dyfishtë paraditen e së mërkurës, pohon se kjo është një hakmarrje e policisë. “Arbeni është akuzuar dhe arrestuar më parë për vrasjen e një punonjësi të policisë. Pasi u mbajt një vit burg në Rrogozhinë fitoi pafajësinë. Ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë, te servisi i motorëve që ka në pronësi dhe nuk ka lidhje me vrasjen”, pretendon Klodiani, duke krijuar një alibi që do e paraqesë edhe në gjykatë. Ai ka shpjeguar se për qëndrimin një vit në burg Arbeni ka hedhur në gjyq prokurorinë dhe policinë. “Nisur nga kjo situatë, mendoj se kjo është një hakmarrje. Krahas tij na kanë mbajtur në qeli edhe mua dhe babanë tim. Më pas ne na lanë të lirë dhe Arbenin e kanë mbajtur në qeli. Ai nuk ka firmosur asnjë dokument që ia servirte policia, pasi kishte dyshime se do e implikonin në ndonjë krim që nuk e ka bërë”, pohon Klodiani. I pyetur nëse Arbeni kishte ndonjë njohje me Sokol Jahçen, i vrarë në vitin 2005, ai tha se nuk ka asnjë njohje apo lidhje miqësie, ndërsa pretendoi se do të ankohet te të gjitha organizmat për pafajësinë e të vëllait.
Vëllai juaj është arrestuar për një vrasje të dyfishtë. Ku ka qenë ditën e mërkurë?
Vëllai im, Arben Jaçe, ka një servis motorësh në zonën e Unazës së Re në Tiranë. Ditën e mërkurë paradite, kur pretendon prokuroria se ka qenë në Elbasan, ka qenë në servis, këtë fakt e konfirmojnë edhe rreth tetë klientë. Ai e ka hapur rreth orës 07:55 dhe ka qëndruar deri në momentin që ka ardhur policia. Në orën 11:30 ka ardhur një furgon policie dhe e ka shoqëruar. Policët na shoqëruan edhe mua e babanë. Na kanë çuar në Elbasan.
A kishte ndonjë pretendim policia?
Fillimisht nuk kishin asnjë pretendim. Na thanë se po ju marrim vetëm për një verifikim. Gjatë gjithë ditës na kanë marrë në pyetje. Na futën në dhoma të ndryshme. Mësova se vëllait i kishin dhënë disa letra për të firmosur, por ai nuk kishte pranuar, pasi donte avokat. Në orën 21:00 mua më kanë lënë të lirë, ndërsa Arbenin e kanë mbajtur.
A e njihte Arbeni shtetasin Gentian Beqiraj?
S’kemi asnjë lidhje në Elbasan. Nuk njohim asnjë person. Nuk e kuptoj gjithë këtë situatë që ka krijuar policia. Na ngatërruan herën e parë, ku Arbeni ka qëndruar një vit në burg.
Cila ka qenë arsyeja e arrestimit të Arbenit herën e parë?
Është bërë një vrasje në Elbasan, mesa mbaj mend një ish-shef i antidrogës. Te motori që ishte bërë vrasja kishte një shenjë gishti të vëllait tim. E mbajtën një vit dhe më pas mori pafajësi. Kjo është hera e dytë dhe s’po e marrim vesh se çfarë po ndodh. Edhe herën e parë kishte qenë në punë.
Keni kontaktuar me vëllain?
Nuk e kam takuar që ditën e mërkurë. Siç edhe thashë, ai nuk ka pranuar asnjë gjë nga ato që pretendon policia.
Po me Sokol Jahçen njihej Arbeni?
Nuk kemi asnjë lidhje.
Ku banon Arbeni dhe a ka krijuar familje?
Ai banon në Tiranë, pranë servisit ku dhe është vetëpunësuar. Ka nusen dhe një djalë të vogël. Arbeni është 31 vjeç dhe nuk ka pasur probleme. Nuk i kuptoj të gjitha këto veprime të policisë, pasi është herë e dytë.
Alibia
Ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë, te servisi i motorëve që ka në pronësi dhe nuk ka lidhje me vrasjen
