Ndryshohet dënimi për dhunuesit e nëntokës muze

Propozimi

Një deri në tre vite burg për ata që kryejnë gërmime të paautorizuara arkeologjike

Informaliteti, keqmenaxhimi dhe korrupsioni kanë shkatërruar dy dekadat e fundit nëntokën muze të shumë qyteteve duke varrosur në themelet e pallateve pjesë të historisë sonë të hershme. Është parë në shumë vite, që dëmtimet kanë pasur forma nga më të ndryshmet, grabitjet gjithashtu. Nuk ka statistika të sakta që të vërtetojnë nëse është një fenomen në rritje, apo në zhdukje. Por sot ka ardhur koha që këto dëmtime të pariparueshme të mos lihen mënjanë pa u ndëshkuar dhe këtë herë nuk ka gjoba, por vetëm burgim. Ministria e Kulturës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, pas një viti punë të detajuar, vendosën të propozojnë dy shtesa në nenin 138 të Kodit Penal “Vjedhja e veprave të artit dhe kulturës” Përkatësisht është kërkuar të shtohet paragrafi i tretë ku deklarohet; “Kryerja e gërmimeve, kërkimeve nënujore me karakter arkeologjik dhe përdorimi i aparaturave metalkërkuese nga subjekte të paautorizuara me qëllim gjetjen dhe përvetësimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dënohet nga 1 deri në 3 vjet burg”. Ndërsa paragrafi i katërt thotë që “Gërmimi, dëmtimi, ndryshimi me qëllim përdorimi dhe çdo veprim që ndryshon formën ose përmbajtjen në monumentet e kulturës, si dhe çdo ndryshim që dëmton truallin e vënë në mbrojtje rreth tyre, të cilët kryhen pa autorizimin e institucioneve përkatëse, dënohet nga 1 deri në 3 vjet burgim”. Shtimi i këtyre paragrafëve në Kodin Penal, do të jenë objekt diskutimi në komisionet përkatëse parlamentare. Paralelisht Ministria e Kulturës ka ndërmarrë nismën për ndryshimin e ligjit të Trashëgimisë Kulturore, ku parashikohet kapitull i ri për të gjithë penalitetet, rishikim dhe shtim të penaliteteve në mënyrë që të shpëtohet ajo pjesë e historisë që u varros në emër të modernizimit.

Autor te 17 Gusht 2012. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry