Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e Ramush Haradinajt, do të jetë pjesë e pajtueshmërisë për dialogun me Serbinë, dhe pret që kur pas disa javësh Tribunali i Hagës ta shpallë të pafajshëm liderin e tyre, të hyjë në koalicion me PDK-në, bën të ditur “Koha Ditore”.
Koalicioni do të duhej të krijonte rrethanën që Haradinaj, që e pati lënë kryeministrinë për t`u përballur me akuzat nga Tribunali, të kthehet si kryeministër për të vazhduar punën e lënë përgjysmë. Në intervistën për “Kohën Ditore”, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, ka folur në detaje për planet e partisë, koalicionin, ekipin e unitetit, veriun dhe dialogun.
Njeriu që ka koordinuar ekipin e mëparshëm të Unitetit në dialogun me Serbinë, dhe ka qenë një nga pjesëmarrësit kyç në çdo përfaqësim të dialogut mes Prishtinës e Beogradit, nuk heziton që edhe tani të marrë përgjegjësinë e koordinimit dhe përfaqësimit të Kosovës.
Në intervistën e tij për “Kohën Ditore”, Blerim Shala, ka folur si përfaqësues i Kosovës në këtë proces, dhe ka analizuar në detaje çështjen se çfarë duhet të pranojë e çfarë jo pala kosovare për veriun, por edhe si duhet të definohet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Ai ka theksuar se ka ardhur koha që Kosova të funksionalizohet në Veri, në mënyrë që atje të mund të veprojë ligji dhe të organizohen zgjedhjet për një qeverisje autoktone të Kosovës
17 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)