SHISH
Dekreti – Më 9 gusht, Presidenti firmosi dekretin për largimin e Bahri Shaqirit dhe emëroi në krye të SHISH, Visho Ajazi Likën
Ministri i Mbrojtjes korrigjon gabimin për komandantin e forcës detare dhe propozon tërmetin e radhës
BLEDAR HOTI
Një lëvizje e beftë ka ndodhur dje duke sjellë “tërmet” në kupolën e ushtrisë shqiptare. Me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka firmosur dhjetëra dekrete për shkarkime dhe emërime në piramidën më të lartë drejtuese në Forcat e Armatosura të Ushtrisë. Pas dekretit të bujshëm për shkarkimin e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri, radha e “operacionit të verës” së mazhorancës është përqendruar te Forcat e Armatosura të Ushtrisë. Kreu i shtetit, njëherësh dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka nxjerrë 15 dekrete që kanë të bëjnë me lirimin nga detyra të shtatë gjeneralëve dhe emërimin e tre të tjerëve. Nishani ka firmosur dekretin për lirimin e gjeneral-major Zyber Dushku nga posti zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. Ai e ka emëruar Dushkun si Komandant të Forcës Tokësore. Sipas dekretit tjetër të firmosur nga kreu i shtetit, gjeneral major Viktor Berdo, lirohet nga detyra e Komandantit të Forcës Tokësore dhe emërohet Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. Nishani ka nxjerrë dekretin për emërimin e Komandantit të Forcave Detare. Me propozimin e Imamit, Gjeneral Brigade Qemal Shkurti, emërohet Komandant i Forcës Detare. Ai ka qenë me detyrë si shef i kabinetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Xhemal Gjunkshi. Përpara këtij emërimi, fillimisht Nishani i ka dhënë atij gradën madhore Gjeneral Brigade. Me këtë lëvizje Imami pranon gabimin e bërë kohë më parë me të cilën emëroi në mënyrë të jashtëligjshme në prill të 2012-s kapiten Ferdinand Kreshpanin si komandant të Flotës Detare, duke shmangur Presidentin Bamir Topi. Këto emërime u cilësuan si antikushtetuese, edhe pse vetë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, e cilësoi si një kompetencë e tij ligjore. Por pas reagimit të Presidentit të atëhershëm, Bamir Topi, Imami e tërhoqi në mënyrë të heshtur një vendim të tillë. Emërimi i Shkurtit vjen pikërisht në momentin kur Shqipëria ka hyrë në fazën e negocimit të marrëveshjes detare të kufirit me Greqinë. Pas rrëzimit të paktit detar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, dy shtetet janë në fazën e rinegocimit të marrëveshjes. Pritet që në shtator ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, të vizitojë Athinën. Një tjetër vendim është edhe që Gjeneral Brigade Syrja Gjoka, emërohet Komandant i Brigadës Logjistike. Ndërkohë që është larguar nga detyra edhe ish-komandanti i doktrinës së stërvitjes Gjeneral Brigade Agim Lala. Kjo për shkak të daljes së tij në pension. Lala ka qenë i akuzuar në çështjen “Gërdeci” dhe u shpall i pafajshëm nga gjykata. Gjoka, Shkurti, Hoxha dhe Bazo kanë nga presidenti marrë gradën madhore Gjeneral Brigade. Ndërsa Berdo ka marrë gradën Gjeneral Major. Nuk dihen arsyet e kësaj rokade dhe largimeve të bëra në piramidën e lartë shtetërore, por ato vijnë në një moment kur Ministria e Mbrojtjes po vihet në akuza të drejtpërdrejta nga opozita. Me iniciativën e saj është miratuar me konsensus mbikëqyrja parlamentare e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila kërkon të hetojë mbi veprimtarinë e dikasterit që drejtohet nga Arben Imami. Ndërkohë që opozita nga ngritur shqetësimin e mosmiratimit të strategjisë së mbrojtjes nga ana e ministrit Imami.
Pesë gradime
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me dekretet e nxjerra ka dhënë 5 gradime të reja për gjeneral major dhe gjeneral brigade
Tabela
Vendimet e Nishanit
Gjeneral Brigade, Agim Lala, lirohet nga detyra e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes dhe del në lirim
Gjeneral Major Viktor Berdo, lirohet nga detyra e Komandantit të Forcës Tokësore dhe emërohet zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA
Gjeneral Brigade Qemal Shkurti emërohet Komandant i Forcës Detare
Lirimin e Gjeneral Brigade Qemal Shkurti nga detyra e Shefit të Kabinetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA
Gjeneral Major Zyber Dushku lirohet nga detyra e Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe emërohet Komandant i Forcës Tokësore
Gjeneral Brigade Syrja Gjoka, emërohet Komandant i Brigadës Logjistike
-Lirimin e Gjeneral Brigade Gjoka nga detyra e Komandantit të Batalionit të Policisë Ushtarake të FA
Lirimin e Gjeneral Brigade Bardhyl Hoxha nga detyra e Komandantit të Brigadës Logjistike dhe emërohet si Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes
Lirimin e Gjeneral Brigade Jeronim Bazo nga detyra e drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit të Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm të FA