Faktet
Shpenzimet për vilat qeveritare
Në fund të vitit 2008, ndërsa bota sapo pati hyrë në krizë, qeveria vendosi të shpenzojë rreth 1.7 milionë euro për rikonstruksionin e vilave të pushimeve në Vlorë, Velipojë, Durrës, Pogradec e Dhërmi përmes vendimit Nr. 1456, datë 11.11.2008.
Në vitin 2009, ndërsa kriza tashmë kishte mbërritur në Shqipëri, qeveria shtoi 129 milionë lekë për rikonstruksionin dhe mobilimin e po këtyre vilave.
Në vitin 2012, kur kriza ekonomike ka arritur kulmin, qeveria akordoi 51 milionë lekë për rikonstruksionin e vilës nr. 4, që i përket Presidentit të Republikës.
Në total, gjatë viteve të fundit, qeveria ka shpenzuar 350 milionë lekë për shërbimet e luksit.
Shpenzimet e luksit nuk ndalen, pas vilave në bregdet, Berisha jep 51 milionë lekë të reja për vilën nr. 4
Gjergj Erebara
Nëse një investitor privat do t’i hidhte 51 milionë lekë në ndërtim (rreth 500 mijë dollarë ose 370 mijë euro), këto para do të mjaftonin për të ndërtuar një pallat katër apo pesë kate me sipërfaqe prej më shumë se 1200 metra katrorë, duke marrë parasysh se kostoja zyrtare e ndërtimit, e llogaritur nga qeveria shqiptare, është më pak se 300 euro për metër katror. Por nëse këtë shumë e merr Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, kjo shumë shpenzohet vetëm për rikonstruksionin e një vile.
Qeveria vendosi dje, me propozim të Kryeministrit Sali Berisha, të ndajë një shumë të konsiderueshme parash nga fondi i saj rezervë për rikonstruksionin e një vile qeveritare.
“Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t’i shtohet fondi prej 51 638 144 (pesëdhjetenjë milionë e gjashtëqindetridhjetetetë mijë e njëqindedyzetekatër) lekësh, për rikonstruksionin e plotë të vilës nr. 4, në Tiranë”, thuhet në vendimin e qeverisë.
E njohur zyrtarisht si vila nr. 4, vendimi bën fjalë për rezidencën zyrtare të Presidentit të Republikës pranë Pallatit të Brigadave. Presidenti i ri, Bujar Nishani, e mori postin vetëm tri javë më parë.
Buxheti i shtetit po përballet këto kohë me vështirësi të stërmëdha, për shkak të të ardhurave të dobëta dhe shpenzimeve në rritje. Qeveria ka ndaluar administratën publike nga kryerja e disa shpenzimeve, ka anuluar pagesat për punën jashtë orarit zyrtar, si dhe shpërblimet e vogla. Në shumë vende të botës, qeveritarët e lartë e kanë dhënë vetë shembullin, duke i ulur rrogën dhe shpenzimet vetes si pasojë e krizës së përgjithshme. Shqipëria është një përjashtim.
Dhe punimet kanë nisur sakaq
Megjithëse vendimi i qeverisë për financimin e rikonstruksionit të vilës së Presidentit u mor në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, burime të mirinformuara bënë të ditur për gazetën “Shqip” se rikonstruksioni në fakt ka filluar para se të hapet fondi i qeverisë.
Rikonstruktimi i vilës nr. 4, ku ai do të qëndrojë pas kthimit nga pushimet, mësohet se ka nisur menjëherë pas betimit të Presidentit Bujar Nishani. Sipas të dhënave, ai ka zgjedhur të jetojë në vilën qeveritare që ndodhet në zonën e Pallatit të Brigadave, ndërkohë që aktualisht po jeton në një tjetër vilë qeveritare në Durrës. Nga të dhënat mësohet se vila ishte amortizuar, pasi Presidenti paraardhës nuk ka jetuar në të, kështu që kanë nisur punimet si për rikonstruksionin e saj, ashtu edhe për mobilimin përkatës. Në lidhje me koston financiare nuk është publikuar ndonjë shifër, por mësohet se një brigadë punonjësish aktualisht po merret me punimet dekorative. Rregullimi i vilës nr. 4, ku do të jetojë Presidenti Nishani, pritet të përfundojë në fillim të muajit shtator, kur ai dhe familja e tij do të kthehen nga pushimet.
Elitë e re, “bllok” i ri
Shqiptarët qenë mësuar gjatë kohës së komunizmit me ekzistencën e një lagjeje në qendër të Tiranës, të njohur si “Blloku”, ku qytetarët e zakonshëm nuk kishin të drejtë të hynin. Vetëm pak zyrtarë të lartë arrinin të depërtonin kundrejt ftesave nga ana e byroistëve që jetonin nëpër vila të ndërtuara nga italianët. Tri blloqe të ndaluara ekzistojnë sot në Shqipëri, nga të cilat, një është trashëguar nga koha e komunizmit, ndërsa dy të tjerat janë krijuar gjatë viteve të fundit. Në plazhin e Durrësit një sipërfaqe e konsiderueshme toke është ndarë me rrethim të lartë dhe ruhet nga Garda e Republikës, ndërsa në Gjirin e Lalëzit, një sipërfaqe edhe më e madhe toke është ndarë në mënyrë informale për t’u lejuar distancim pasunarëve të rinj nga vulgu. Një bllok i tretë po krijohet në periferinë lindore të Tiranës, ku sipërfaqe të konsiderueshme toke janë përdorur për ndërtim vilash dhe janë rrethuar me mure të larta.