Ambasadori i SHBA-së, takime intensive me Nishanin, Berishën dhe Ramën


BLEDAR HOTI


Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i shoqëruar nga i sapozgjedhuri në postin e zv.ambasadorit Henry V. Jardine, zhvilloi disa takime të rëndësishme me drejtuesit e lartë të shtetit, si Presidentin Nishani dhe Kryeministrin Berisha. Pas këtyre takimeve në Presidencë dhe në Kryeministri, Arvizu në orën 16.00 të ditës së djeshme u ngjit në selinë e PS-së, për të biseduar me liderin e opozitës, Edi Rama. Pas thithjes së qëndrimeve dhe opinioneve nga palët, Arvizu ka diskutuar mbi çështjet që e shqetësojnë politikën dhe shoqërinë shqiptare, siç janë ndryshimi i kreut të SHISH-it, apo mundësia e ndërrimit të kryeprokurores Ina Rama. Në njoftimet zyrtare të Presidencës dhe qeverisë, nuk bëhet fjalë se nëse është diskutuar për çështjen e SHISH-it, ku Berisha-Nishani 9 ditë më parë shkarkuan Shaqirin, duke e zëvendësuar me Visho Ajazi Likën, një njeri që ka punuar në SHIK-un famëkeq të drejtuar nga Bashkim Gazidede nga 1992-1997. Por temat e nxehta, sipas burimeve, janë prekur ndërmjet Arvizusë dhe dy drejtuesve të lartë të shtetit.


Kujtesa ndaj Likës


Drejtorin e ri nuk e kam takuar, por pres të takohem edhe me kreun e ri të SHISH-it, pasi të kthehem nga pushimet. Ai drejton një shërbim, i cili është i ndryshëm nga SHIK-u i viteve ’90. Nuk është më SHIK-u i viteve ’90, por SHISH i viteve 2012. Atëherë Shqipëria nuk ishte vend anëtar i NATO-s, ndërsa tani është. Është e rëndësishme që drejtori ta udhëheqë këtë institucion në drejtimin që zoti Shaqiri e filloi. Nuk dua të bëj krahasime të këtij personi apo atij, në marrëdhëniet e tyre me qeverinë, por është e rëndësishme që të ecet përpara. Shqipëria është vendi i NATO-s dhe është e rëndësishme për shërbimin (SHISH) t’i bëjë punët si vend i NATO-s”, komentoi Arvizu. Ky paralajmërim i ambasadorit duket se është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë si ndaj zgjedhurit në krye të shërbimit sekret shqiptar, por edhe ndaj liderit të mazhorancës, Sali Berisha. Diplomati i lartë amerikan në Tiranë më tej shprehu vlerësime për punën e bërë nga ish-shefi i SHISH-it. “SHBA-ja falënderon zotin Shaqiri, pasi sipas pikëpamjes së SHBA-së ai ka qenë një partner serioz që ka ndërtuar marrëdhënie të mira mes shërbimit sekret shqiptar dhe atij amerikan. Sa i takon ndryshimit, në parim është i mirë, askush nuk duhet të qëndrojë në një funksion publik në një kohë të gjatë. Gjëja më e rëndësishme është ecja përpara. Nga perspektiva jonë ne kemi marrë garancinë si nga Kryeministri, se partneriteti ndërmjet SHISH-it dhe SHBA-së do të vazhdojë, ne jemi të kënaqur me këtë. Kjo është e rëndësishme për marrëdhëniet tona bilaterale, por edhe për rajonin. E rëndësishme është që SHISH të ecë përpara, sepse të jemi të sinqertë, SHBA-ja ka punuar shumë fort që të ndërtojë këto marrëdhënie mes institucioneve homologe në këto nivele që janë sot”, theksoi Arvizu. Për sa i përket mandatit të kryeprokurores, ambasadori amerikan e ka cilësuar të parakohshme për ta trajtuar. “Kjo është një temë tjetër që i përket një kohe tjetër. Në çdo demokraci funksionale, liderët, njerëzit dhe qeveria dëshirojnë të vendosin njerëzit që besojnë dhe që janë të ndershëm. Në një demokraci funksionale është më se normale që drejtuesit të kërkojnë të emërojnë njerëz që u besojnë. Kjo ndodh dhe në Amerikë, çelësi është te fuqia e institucionit. A ekzistojnë kontrollet dhe balancat e duhura, a ka një mbikëqyrje të duhur nga gjyqësori, nga legjislativi nga shtypi? Në SHBA vendosen njerëz të besuar, por ka kontroll dhe balancë. Në Shqipëri çështja shtrohet: a ekzistojnë balancat institucionale? Shumica e njerëzve besojnë se ka shumë punë në këtë drejtim dhe kjo përbën një lloj baze për shqetësim. Për sa i takon referendumit, unë mendoj se nëse mbahet, duhet të aprovohet dhe ai i plehrave”, thekson ambasadori. Ky është qëndrimi i parë publik i Arvizusë në lidhje me ndryshimin e kreut të SHISH-it. Fillimisht ambasada amerikane ishte shprehur se ishte e befasuar nga kjo lëvizje, duke lënë të nënkuptohet se Berisha dhe Nishani nuk ishin konsultuar për një vendim të tillë. Por ambasadori amerikan, i ndodhur para teorisë së faktit të kryer, u ka kujtuar drejtuesve të mazhorancës që të kenë kujdes, sepse “ka ikur koha e SHIK-ut” famëkeq të Gazidedes.


 


Presidenti


Nishani jep garanci për sistemin e drejtësisë


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizunë, i shoqëruar nga zëvendësshefi i misionit diplomatik, Henry V. Jardine. Zyra e shtypit e Presidencës bën të ditur se “Nishani, në përgjigje të interesimit të ambasadorit Arvizu, vuri në dukje se ndër prioritetet e presidencës së tij do të jenë pavarësia e sistemit gjyqësor dhe rritja e besimit të gjyqtarëve te sistemi i drejtësisë. Kreu i shtetit u shpreh më tej, se promovimi i gjyqtarëve do të realizohet duke u bazuar në merita, nëpërmjet një procedure të hapur dhe transparente me kritere të përcaktuara qartë”. Presidenti i Republikës e garantoi ambasadorin Arvizu për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, si dhe për kontributin e tij në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. “Zoti Arvizu shprehu vlerësimin e tij për zgjedhjen e Presidentit Nishani në krye të shtetit dhe vlerësoi qasjen e Presidentit në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e rolit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ambasadori amerikan garantoi gjithashtu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Presidentin Nishani dhe veçanërisht në përpjekjet e tij për reformimin e sistemit të drejtësisë. Ambasadori Arvizu shprehu bindjen se Presidenti Nishani ka personalitetin dhe integritetin e duhur për të garantuar bashkëpunimin harmonik ndërinstitucional bazuar në pavarësinë dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet institucioneve”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.


 


“Twitter”


Kreu i opozitës reagon pas premtimit të Presidentit


Rama: Asnjë fije besimi te Nishani, është si një ministri e Berishës


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka pasur një takim me ambasadorin e SHBA-së, Aleksandër Arvizu, i cili shoqërohej nga zëvendësi i tij, Henry V. Jardine. Për më se një orë, lideri i opozitës ka shprehur qëndrimet e tij në lidhje me zhvillimet e fundit, ku që pas zgjedhjes së Presidentit të ri Bujar Nishani, ka pasur disa ndryshime në institucionet kryesore të vendit, si në Shërbimin Informativ Shtetëror, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por tashmë se fundmi edhe në kupolën e ushtrisë shqiptare. Sipas burimeve, lideri i opozitës, Rama, i ka shprehur të gjitha shqetësimet në lidhje me këto ndryshime që po realizohen nga mazhoranca në këtë sezon pushimesh, ku pushtimi i institucioneve të pavarura, duket se është synimi i partisë në pushtet. Ndërsa këto ndryshime kanë ndodhur, tashmë i vetmi institucion i pavarur dhe ende i “gllabëruar” nga mazhoranca është ai i Prokurorit të Përgjithshëm, mandati i së cilës pritet të mbarojë në nëntor. Mësohet se për të gjitha këto tema kanë qenë pjesë e diskutimeve mes Ramës dhe Arvizusë. Ambasadori amerikan u takua me Ramën, pasi më parë kishte trokitur në zyrën e Presidentit Nishani dhe të Kryeministrit Berisha. Për këto takime pati edhe një reagim të liderit të PS-së, Edi Rama. Nëpërmjet faqes sociale “Twitter”, Rama shprehu skepticizmin në lidhje me garancinë e dhënë nga kreu i shtetit Nishani për reformën zgjedhore. “Asnjë fije besimi në çfarë deklaron Presidenti… S’mund të promovojë gjyqtarë të pavarur një President i varur kokë e këmbë nga Kryeministri! S’mund të promovojë as shkëlqimin e marrëdhënieve me SHBA-në një President që përzgjedh drejtorin e SHISH-ti pa asnjë konsultë me aleatin e madh! S’mund të promovojë pavarësinë e institucioneve, një institucion që varet nga qeveria, siç është Presidenca e Nishanit, një ministri si të tjerat!”, shkruan Rama. Me largimin e kreut të SHISH-it dhe caktimit të Visho Likës, opozita ngriti alarmin se ky institucion po humbet pavarësinë e tij. “Për llogari të Kryeministrit, Presidenti zëvendësoi drejtorin e shërbimit sekret me një shërbëtor të Saliut, njësoj siç është edhe vetë. Çfarë turpi! Turp, sepse rrënoi pavarësinë e SHISH-it; sepse e bëri këtë pa u konsultuar me aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë; sepse ktheu kohën pas!”, reagoi Rama më 9 gusht, në ditën kur Presidenti dekretoi kreun e ri të SHISH-it. Ndërkohë që debati kryesor i politikës është fokusuar edhe në çështjen e imunitetit, prej ditësh po hidhen akuza e kundërakuza nga mazhoranca dhe opozita në lidhje me mosvotimin në Kuvend të ndryshimit të Kushtetutës. Dështimi i seancës së 6 gushtit solli edhe reagimin e ashpër të mazhorancës, e cila bën fajtore opozitën. PD-ja po anatemon liderin e opozitës, duke theksuar se është vendosur në realizimin e referendumit për heqjen e imunitetit. Nga ana e saj, opozita e ka bërë të qartë se është e gatshme ta heqë imunitetin, porse më parë duhet të shqyrtohet edhe paketa e saj për ndryshimet kushtetuese. PS-ja ka bërë të ditur se nuk i trembet ballafaqimit me popullin për çështjen e imunitetit, porse kërkon edhe çështjet e tjera të paraqitura nga ajo për ndryshimin e ligjit themeltar.


 


SHISH – PS-ja ka shprehur shqetësimin e saj për ndryshimin e shefit të SHISH-it, duke e cilësuar si kthim prapa


Konsultat – Një nga shqetësimet e PS-së është edhe fakti se kjo ndërhyrje në SHISH u krye pa konsultën e aleatit kryesor, SHBA-në


Presidenti – Reforma në drejtësi nuk mund të garantohet sipas Ramës, pasi Presidenti është njësoj si ministritë e Berishës


 


LSI


Meta: Jo takim “kokë me kokë” me kreun e PS-së


Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka konfirmuar për TV “A1Report”, se është takuar dje në Tetovë me liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama, pas pjesëmarrjes në homazhet për liderin historik të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferri. Por Meta hodhi poshtë njoftimet në media, sipas së cilave ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Ramën, duke theksuar se ndonëse kanë qëndruar fizikisht pranë njëri-tjetrit, dy liderët kanë qenë gjithmonë të shoqëruar nga një numër i madh drejtuesish të PDSH-së në Maqedoni.