Sa sipërfaqësorë jemi!


Klodiana Kapo


Në këto ditë vere, ku të gjithë mendojnë vetëm për pushime, politika përpiqet të tërheqë sërish vëmendjen e shqiptarëve vetëm ndaj një çështjeje, atë të imunitetit. Deklarata shtypi, kundërdeklarata, që kanë në përmbajtje parulla bazë, klasa e miliarderëve, pasuri të fshehta, korrupsion dhe vjedhje. Akuzat dhe kundërakuzat mbarojnë aty, para kamerave, dhe më pas, gjithçka kthehet në normalitet.


Puna për politikanët mbyllet, mbase në ndonjë kafene. Në fund të fundit, mesazhi që u shkon për shtat shefave të mëdhenj, qytetarëve iu përcoll. Ata e dëgjuan se politikanët shqiptarë janë hajdutë. Puna e këtyre zyrtarëve mbaron aty. Nëse mund të quhen punë, këto deklarata tërësisht sipërfaqësore. E ndërsa ata, përpiqen me çdo kusht, që vëmendja të përqendrohet në akuzat e tyre shterpë, familjet shqiptare, gjithnjë e më shumë po përballen me plagë të mëdha, me plagë të vërteta që tanimë fatkeqësisht kanë nisur të bëhen edhe publike. Në rrugët e Shqipërisë, mungon sinjalistika, nuk ka ndriçim, nuk respektohen rregullat e qarkullimit, çka ka sjellë dhjetëra viktima vetëm muajt e fundit. Por për qeverinë, këto  jetë të humbura, apo trupa të plagosur janë vetëm statistika që bëjnë mirë të kalojnë në heshtje. Javët e fundit janë shtuar vjedhjet ndaj banesave dhe personave, vjedhje që përfundojnë me vrasje. Rasti i Fatbardhës, gruas e cila u vra në sy të fëmijëve të saj, jo vetëm që është i paprecedent, por është i frikshëm, pasi tregon haptas, qartazi. sesa të pafuqishëm jemi përballë agresorëve, në një vend ku ligjet ekzistojnë, por nuk zbatohen. Në një vend ku strukturat e shtetit vihen në gatishmëri, sa herë bie gjëma, dhe shpërndahen sapo vaji i familjarëve është shuar. Në një vend, ku fajtori i vërtetë, shpesh e më shpesh mbetet i pafaj në letrat zyrtare. Por të qenët shqiptarë, lidhet fort me të qenët individualist dhe egoist. Një tipar që na karakterizon të gjithëve e çka na bën edhe sipërfaqësorë. Secili prej nesh, shqetësimin më të madh, ka atë që i rëndon mbi supet e tij, dhe jo atë që ka prekur tjetrin, edhe pse fare pranë tij. E kjo pasqyrohet fare mirë edhe në qëndrimin e politikanëve, atyre dinozaurëve, që sot mbajnë ofiqe të rëndësishme të vendit, dhe që kanë marrë përsipër të përpunojnë përmes mediave opinionin e shqiptarëve dhe jo të ndreqin dhe të rregullojnë punët brenda institucioneve shtetërore. Edhe kur një vajzë 18-vjeçare, detyrohet të vrasë, për të mbrojtur veten apo për të shpëtuar shpirtin e saj, tribunat politike nuk tronditen. Deklaratat e tyre mbeten vetëm te një pikë imuniteti. Sa sipërfaqësor që jemi ne, të gjithë. Duket se jemi mësuar të tërhiqemi prej hundësh, nga ata, të mëdhenjtë, të fuqishmit, ose zgjedhim të heshtim përpara këtyre padrejtësive që na kalojnë fare pranë, por ende s’na kanë cikur. Jemi aq sipërfaqësorë, dhe aq të paturp, sa njerëz që kanë bërë, e stërbërë pazare politike, e sot mbajnë poste të rëndësishme, në ministri apo institucione të tjera nuk ngurojnë të dalin çdo ditë në ekrane, duke bërë premtime e kontrolle pa kurrfarë vlere e rëndësie. Kontrolle që mbarojnë sapo operatori fik kamerën e gazetarët largohen. Është e turpshme, që edhe pas 20 vitesh, kjo klasë politike e cila po kalbet çdo ditë e më shumë, po na mban peng të lidhjeve, inateve personale. Dhe ne vazhdojmë të heshtim, vazhdojmë të  përulemi. Është e turpshme që Ministria e Jashtme, dhe ajo e  Turizmit, nuk reagoi, për 180 shqiptarë që mbeten peng i mashtrimit të një agjencie që vepronte prej vitesh në Shqipëri. Nuk reaguan për jetët e shqiptarëve, për gjendjen e qytetarëve të tyre, të cilët mbeten pa asnjë lek, në një tjetër tokë. Ambasada jonë në Kajro, duket se kishte punë shumë më të rëndësishme sesa kthimi i qytetarëve të saj në Shqipëri. Ne jemi vendi, ku për çdo lëvizje të vogël, dhe mbi të gjitha sipërfaqësore duhet ta marrin vesh të tërë. Askush nuk u shkon punëve deri në fund, sepse po të shkonte do t’i duhej punë, e kush punon nuk ka kohë të merret me fjale boshe, që thuhen shumë rëndë, por nuk rëndojnë aspak. E pra këta jemi ne… Por s’është e thënë që të jemi gjithnjë kështu. Për veten, për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë, duhet të mendojmë, por edhe të veprojmë ndryshe. Dhe këtë mund ta bëjmë të gjithë bashkë, pak e nga pak. Duke kërkuar shërbime më të mira në të gjitha institucionet publike për të cilat ne paguajmë çdo ditë, e duke mos justifikuar askënd me shprehjen e famshme, se jemi në Shqipëri e këtu gjërat bëhen kështu…