Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça u ka përcjellë një mesazh urimi ditën e sotme të gjithë shqiptarëve me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, dhe kremtimit të Fiter Bajramit.

“I uroj besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta jetojnë gëzuar këtë festë. Paçin mirësi e begati dhe Zoti ua pranoftë agjërimin dhe adhurimet që kanë kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit”, – thuhet në mesazhin e urimit të Muçës.


Mesazhi i plotë i urimit të Haxhi Selim Muçës me rastin e Fiter Bajramit


“Tashmë po dalim nga muaji më i dashur dhe miku më i njohur ndër myslimanët – Ramazani, muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe favori hyjnor.


Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Fiter Bajramin. Paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet tuaja.


Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Festimi i ditëve të Bajramit i inkurajon myslimanët për angazhime të mëtejshme dhe krijimin e një të ardhme më të mirë e më të lumtur. Kremtimi i kësaj feste i jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote.


Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, afrimitet, paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.


I uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta jetojnë gëzuar këtë festë. Paçin mirësi e begati dhe Zoti ua pranoftë agjërimin dhe adhurimet që kanë kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.


Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë”.

18 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)