KAMBER VELAJ
Kanë kaluar 21 vjet që nga dita kur shqiptarët e fituan të drejtën e shprehjes. I famshmi nen 55 nuk ekziston më dhe askush nuk mund të dënohet për ato që thotë, me kusht që të mos shpifë. Më shumë liri nuk mund të kërkohet.
Por a janë shqiptarët gojëzgjidhur 21 vjet pas rrëzimit të diktaturës? Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjesh me një po ose me një jo të thatë dhe për të dyja rastet ka argumente.
Nëse i quan shqiptarët gojëzgjidhur, të lirë të thonë ato që mendojnë, të denoncojnë publikisht fenomene apo persona, është shumë e lehtë. Mjaft të bësh një “xhiro” në faqet më të klikuara në internet dhe do të shohësh se si qindra shqiptarë shkruajnë përditë çfarë mendojnë. Denoncojnë fenomene, denoncojnë persona, politika… Shpesh nuk kujdesen të ruajnë asnjë minimum etike. Shajnë me “listë dasme” që nga presidenti e kryeministri, deri te deputeti i fundit i opozitës. Akuzojnë persona me emër e mbiemër, i quajnë hajdutë, të korruptuar, imoralë, spiunë, homoseksualë, incestofilë…
E pra, shqiptarët janë gojëzgjidhur.
Por, ka një problem me të gjithë këta që përshkruhen më lart: Janë të gjithë anonimë. Me përjashtim të atyre që futen në mes të debateve të zjarrta për të mbrojtur personin apo institucionin e vënë nën sulm, të gjithë të tjerët përdorin nofka dhe kujdesen fort të mos identifikohen.
Ky është argumenti kryesor për ata që do të zgjidhnin të thonin se shqiptarët, edhe pas 21 vjetësh, nuk e gëzojnë lirinë e fjalës.
Ata që punojnë në media, kanë më shumë argumente për të mbështetur versionin e dytë të përgjigjes. Nuk po kthehem shumë mbrapa në kohë për të sjellë shembuj tipikë të frikës që ekziston mes bashkëqytetarëve tanë për të folur, edhe atëherë kur duhet të ulërijnë.
Një javë më parë, gazeta “Shqip” përcolli shqetësimin e punonjësve të kompanisë ARMO, të cilët nuk kanë marrë rrogat që prej muajit maj. Janë rreth 1500 punonjës, kryesisht nga Mallakastra dhe Fieri, të cilët janë zhytur në borxhe për bukën e gojës. Na u deshën dy ditë, katër takime direkte dhe më shumë se 10 telefonata, për të marrë guximin për ta botuar atë shkrim dhe në përfundim, përsëri nuk kishim asnjë person me emër e me mbiemër që të deklaronte se nuk ishte paguar për djersën e tij. Na e konfirmuan me lehtësi lajmin edhe pushtetarë vendorë, por na u lutën të mos u përmendnim emrat. Edhe pse më “trimat” ndër naftëtarët kishin krijuar një grup (sindikata nuk ekziston) dhe kërcënonin me “veprime konkrete” kundër kompanisë që nuk i paguante, përsëri ata dërgonin mesazhe elektronike të fshehur pas një adrese emaili.
Në tavolinën time të punës gjenden prej disa javësh dy letra, njëra e shkruar me makinë shkrimi, tjetra me dorë, me stilolaps të kuq.
Letra e parë ngre një shqetësim të njëjtë me atë të naftëtarëve të Ballshit. Por këta janë pak më të “fisëm” se naftëtarët, janë mjekë e infermierë të QSUT-së, të cilët i drejtohen kryeredaktorit me kërkesën që të ndjekë çështjen e vonesës së pagave në institucionin ku punojnë. Në letër sqarohet si është situata, jepen direktiva se ku duhet të drejtohen gazetarët për të zbuluar të vërtetën, por gjithçka në konspiracion të plotë. Letra përfundon me këto fjalë:
Ne që po të japim këtë informacion, e kupton se jemi nga ajo pjesë e të vuajturve nga kjo poshtërsi. Në mesin tonë është edhe miku juaj Ba – Ko. Do t’ju takojë së shpejti te “Movida” (kafene pranë redaksisë)…
Ndërsa letra e shkruar me bojë të kuqe i përket një “qejfliu” të fjalës, i cili madje sqaron se do të përdorë bojën e kuqe gjatë gjithë vitit 2012, në shenjë të 100-vjetorit të pavarësisë. Ky është një qytetar nga Korça, që kërkon të botojë në gazetë një “këshillë për kryeministrin”. Këshilla e tij përshkohet nga fillimi deri në fund nga një ironi e trashë ndaj kryeministrit dhe vendimeve të tij të shpeshta për rritjet e papërfillshme të pensioneve e pagave. Në fund të kësaj letre, bëhet një sqarim për redaksinë: Jam i punësuar në administratën shtetërore, besoj se do të gjej mirëkuptimin tuaj.
Janë apo jo të lirë shqiptarët të flasin, secili mund ta vlerësojë vetë. Interneti është “shpikje e madhe” dhe liria që ofron nuk mund të injorohet. Megjithatë, unë mendoj se bashkëqytetarët e mi jetojnë ende me lepurin në bark.