Plagosja e Arditit


Rreth 18 ditë më parë, një prej të ndaluarve, Ardit Fejzullai, u plagos në këmbë, dyshohet pas konfliktit për ndarjen e bizhuterive të vjedhura. Policia tha dje se dy persona janë arrestuar. Në pranga kanë rënë Ardit Fejzullai nga Peshpani dhe Armando Mita nga fshati Bishan, përkatësisht 21 dhe 20 vjeç


Ngjarja – Grabitja e argjendarisë “Ilija” në qendër të qytetit të Fierit u krye paraditen e 5 korrikut, rreth orës 11:00


Survejimi – Policia siguroi prova gjatë survejimit të Ardit Fejzullait, teksa ndodhej i shtruar në repartin e kirurgjisë në Spitalin e Fierit


“Shqip” – Publikoi pamjet ekskluzive të 24 sekondave të videos


Arrestimi 


Fier/ Detajet e operacionit policor “Hap pas hapi”


Edmond Hoxhaj


Grykësia ka çuar në pranga dy grabitësit e dyshuar të vjedhjes me armë të argjendarisë në qendër të qytetit të Fierit, ngjarje e ndodhur pak para mesditës së 5 korrikut të këtij viti. “Hap pas hapi” ka qenë operacioni i koduar disajavor që ka bërë zbulimin dhe ndalimin e dy grabitësve, që dyshohet se nën kërcënimin e armëve përvetësuan rreth 2 kilogramë bizhuteri të florinjta prej argjendarisë në pronësi të Ilia Kabucit, që kapnin vlerën e rreth 80 mijë dollarëve. Ndërkaq, dyshohet të ketë qenë pikërisht mënyra e ndarjes së sasisë së floririt të vjedhur që i ka çuar në pranga dy të rinjtë, që të dy banues në qytetin e Fierit. Madje, konflikti ka gjeneruar deri në plagosjen e një prej autorëve të dyshuar të grabitjes së argjendarisë. Lajmin për ndalimin e dy grabitësve e ka bërë publik dje për mediat vetë drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit, Mërgim Hoxha, i cili zbuloi edhe identitetin e dy autorëve të dyshuar.



Policia


Në njoftimin e dhënë për mediat, drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit, Mërgim Hoxha, pohoi se ndalimi i dy autorëve të dyshuar u krye dje. Ai pohoi se një prej të ndaluarve, Ardit (Ervin) Fejzullai 21 vjeç, lindur në Peshtan të Vogël dhe banues në Fier, rezulton të ketë qenë i dënuar edhe më parë për veprën penale të vjedhjes. Ndërkaq, si bashkëpunëtor i tij në vjedhjen me armë është ndaluar Armando Mita, 20 vjeç, lindur në Bishan të Komunës së Levanit dhe banues në qytetin e Fierit. “Ndalimi i dy të rinjve u krye për veprën penale të “vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” të parashikuar nga nenet 140 dhe 25 të Kodit Penal. Ata dyshohen se më datë 5 korrik 2012, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, të qytetit të Fierit, të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve kanë vjedhur argjendarinë e tregtarit të bizhuterive, Ilia Kabuci”, përfundoi drejtori Hoxha.


 


Plagosja


Nga burime konfidenciale të Policisë së Fierit mësohet se ka qenë hetimi mbi autorësinë e plagosjes së 21-vjeçarit Ardit Fejzullai rreth 18 ditë më parë, që ka ngritur dyshimet ndaj tij për implikimin në grabitjen e argjendarisë “Ilija”. Ai u plagos në këmbë me armë zjarri mbrëmjen e 30 korrikut, në fshatin Peshtan të Vogël dhe mori ndihmë mjekësore në Spitalin e Fierit e më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranës për shkak se rrezikonte paralizimin e këmbës. Policia njoftoi atëherë se 21-vjeçari Fejzullai kishte pretenduar se nuk kishte arritur të njihte autorin e plagosjes së tij. Por, nga informacionet e marra në rrugë operative janë ngritur dyshimet se plagosja e tij kishte të bënte me një konflikt të lindur mes një grupi hajdutësh.


 


Konflikti


Ndërkaq, nga hetimet e mëtejshme janë siguruar informacione operative se plagosja kishte të bënte me një konflikt të lindur për shkak të ndarjes së bizhuterive të florinjta të grabitura me armë nga argjendaria “Ilija”. Pas marrjes së ndihmës më të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, Fejzullai është transferuar sërish në Spitalin e Fierit. Pikërisht në ambientet e repartit të kirurgjisë, në dhomën në të cilën ai ndodhej i shtruar, policia ka arritur të sigurojë prova ndaj dy të ndaluarve. Mësohet se i plagosuri Fejzullai të jetë “rrëfyer” me persona të besuar lidhur me ngjarjen në kohën që ka qenë i shtruar në spital, ndërsa policia ka qenë duke kryer hetime dhe survejime ditë e natë. Ndërkaq, burimet e policisë nuk kanë dhënë detaje nëse në grabitje ka pasur ose jo edhe të tjerë persona të implikuar.


 


Provat


Dy autorët kanë lënë në vendngjarje prova të cilat u administruan nga policia. Një prej autorëve la gjurmët e gishtave të tij në banakun e argjendarisë, ndërsa tjetrit i ranë syzet në dysheme para se të largohej. Burime zyrtare të policisë u shprehën dje për gazetën “Shqip” se ndalimi i dy të rinjve të sipërpërmendur është bërë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, provave të siguruara gjatë survejimit të dy të dyshuarve, si dhe provave të administruara në vendngjarje. Por, nuk është bërë me dije se kujt prej tyre i përkisnin gjurmët e gishtave të gjetura dhe administruara në banakun e argjendarisë.


 


Ndalimi


Ndërsa për 21-vjeçarin Ardit Fejzullai, policia i kishte komunikuar urdhër-ndalimin, është bërë edhe arrestimi i 20-vjeçarit Armando Mita në banesën e tij. Ky i fundit mësohet të mos ketë bërë asnjë rezistencë, ndërsa nuk ka pranuar që të ketë lidhje me vjedhjen me armë të argjendarisë. Mësohet se Armando Mita jetonte me prindërit, ndërsa 21-vjeçari Fejzullai me të ëmën, pasi prindërit ishin divorcuar para disa vitesh.


 


Ngjarja


Grabitja e argjendarisë “Ilija” në qendër të qytetit të Fierit u krye paraditen e 5 korrikut, rreth orës 11:00. Dy persona të maskuar me shami në fytyrë dhe të armatosur me armë zjarri automatike tip kallashnikov, arritën që brenda 24 sekondave të zbrazin katër tabaka me rreth 2 kilogramë bizhuteri të florinjta. Gazeta “Shqip” publikoi atëherë pamjet ekskluzive të 24 sekondave të tmerrit për pronarin e argjendarisë Ilia Kabuci dhe punonjësit. Nën presionin e armëve ata paralizuan çdo lëvizje të punonjësit dhe të pronarit, i cili arriti vetëm të ndezë sinjalin e alarmit. Por, grabitësit arritën të largohen të qetë me një motor ngjyrë gri tip “Scooter”. Autorët u larguan drejt shkollës nëntëvjeçare “Mark Dashi”, ku edhe u panë për herë të fundit nga banorë të zonës. Ndërkaq, policia nisi pas disa ditësh hetim në gjendje të lirë ndaj pronarit të argjendarisë Ilia Kabuci për nxjerrje të sekretit shtetëror. Por, pas verifikimit të materialit kallëzues të policisë, prokuroria nuk konstatoi elementë të veprës penale dhe vendosi mosfillimin e hetimit ndaj Kabucit.


 


Banorët


Një prej të ndaluarve njihej si djalë i urtë


Askush që njihte 20-vjeçarin Armando Mita nuk kishte dyshuar ndonjëherë se ai mund të ishte një prej autorëve të dyshuar të vjedhjes me armë të argjendarisë “Ilija”, ngjarje e ndodhur rreth një muaj e gjysmë më parë në qytetin e Fierit. Banorë të këtij qyteti, të cilët e kanë njohur të riun trupmadh, shprehen se kishin përshtypje të mira për të. Ata e përkufizojnë si një djalë të urtë, që nuk bëhej pjesë e sherreve mes të rinjve dhe që shikonte punën e tij. Madje, disa prej tyre shprehen se kishin krijuar përshtypjen se ai ishte një “djalë mamaje”. Por, policia e arrestoi dje 20-vjeçarin Mita si autor të dyshuar të kësaj grabitje.


 


Hetimet


Bizhuteritë e florinjta dyshohet të mos jenë shitur


Ndonëse dy autorët e dyshuar të vjedhjes me armë të argjendarisë “Ilija” u vunë dje në pranga, nuk dihet ende fati i dy kilogramëve të bizhuterive të florinjta. Burime konfidenciale të policisë janë shprehur për gazetën se nga hetimet e deritanishme janë siguruar informacione operative se bizhuteritë e florinjta nuk janë shitur ende. Kjo, për shkak të publikimit të ngjarjes në media. Dyshohet se autorët nuk kanë preferuar ta shesin sasinë e floririt gjatë kësaj periudhe, pasi mendonin se do të zbuloheshin. Por, ende nuk dihet se ku ndodhet sasia e floririt, që u grabit nga argjendaria “Ilija”.


 


Dyshimi


Veshjet e dy të ndaluarve, të ngjashme me të grabitësve


Autorët dyshohet se kanë përdorur edhe në vazhdim veshjet e tyre, të cilat i mbanin edhe gjatë grabitjes së argjendarisë. Gjatë një seance njohjeje të një dëshmitari të vendngjarjes, mësohet se ai i ka njohur tiparet fizike të dy të ndaluarve. Burime të policisë bënë me dije se një prej dëshmitarëve të ngjarjes ka pohuar se fiziku i dy të ndaluarve ishte i njëjtë me të grabitësve. Ndërsa ka shtuar se veshjet e tyre ishin të njëjta me ato që mbanin autorët e ngjarjes. Kështu më i vogli në trup, Ardit Fejzullai ishte i veshur me të zeza, ndërsa Armando, i cili është më trupmadh, kishte të veshur xhinse bojëqielli dhe bluzë ngjyrë gri.