Shtëpia muze
Gëzim Ashini
Bashkia e Korçës ka shprehur vendosmërinë e saj institucionale në mbrojtje të muzeut ku u shpall Krahina Autonome e Korçës, duke kërkuar ringritjen e godinës, ndërsa pranon se ndërhyrja është e qëllimshme. Për dy ditë me radhë, kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, bëri me dije alternativat për rindërtimin e kësaj godine unikale jo vetëm për Korçën, por edhe për historinë kombëtare. Kështu, ky institucion dënon këtë akt të turpshëm, që, sipas tyre, është kryer nga dora e njeriut dhe shpreh vullnetin e tij për të financuar kthimin e ekzistencës së saj, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit. Zyrtarisht mësohet se kreu i Bashkisë së Korçës ka dërguar një shkresë zyrtare në adresë të Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve, duke i kërkuar leje për rindërtimin e kësaj godine deri më datën 28 nëntor. “Kjo ndërtesë përfaqësonte një element kyç në historinë e qytetit të Korçës, por edhe të përpjekjeve të popullit shqiptar për vetëvendosje, prandaj çmojmë të nevojshme ngritjen e një grupi pune me ekspertë për të mundësuar sa më shpejt realizimin e projektit me rëndësi mbarëkombëtare për ringritjen e godinës muze, ku u shpall Krahina Autonome e Korçës”, tha Peleshi.
Ai pranoi të denoncojë zyrtarisht rastin e shembjes së godinës muze, ndërsa ka kërkuar shtetëzimin e truallit, për rrjedhojë kompensimin e pronarëve. Nga ana tjetër, kreu i bashkisë së këtij qyteti theksoi se për sa kohë do të jetë në krye të këtij institucioni, nuk do të firmosë asnjë leje që fshin gjurmët e godinës muze.
Kallëzimi penal
Bashkia e Korçës, ashtu siç u shpreh prerazi kreu i saj, Niko Peleshi, ditën kur u shemb godina muze, ka përgatitur kallëzimin penal që i drejtohet prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme të ngjarjes. Mësohet se Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik i kësaj bashkie ka hartuar konkluzionet e tij, që të formuluara në një shkresë zyrtare i janë drejtuar në formë denoncimi apo kallëzimi penal Prokurorisë së Rrethit Korçë. “Kemi konstatuar se objekti dykatësh, monument kulture, ku u ngrit flamuri për shpalljen e Republikës Autonome të Korçës, është prishur nga persona ende të panjohur”, thuhet në krye të denoncimit të bashkisë. Ndërsa shtohet më tej se në pyetje është marrë një nga pronarët e truallit, i cili ka mohuar të ketë dijeni për ngjarjen. Në kallëzim shkruhet se Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë ka vërejtur më datë 30 gusht të këtij viti një prishje të pjesshme të ndërtesës. Në procesverbalin e kësaj date, inspektorati ka shënuar edhe pretendimet e pronarëve se godina ishte në amortizim e sipër, dhe se në të hynin persona që vidhnin tulla e hekur për skrap. Lidhur me shembjen thuajse totale që pësoi godina natën duke u gdhirë dita e enjtje, Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë Korçë ka shtuar në kallëzim se objekti është prishur rreth orës 03.00-04.00 të mëngjesit nga një fadromë. Zyrtarisht thuhet se Bashkia e Korçës ofron për uniformat blu dokumente të tjera që dëshmojnë, sipas Inspektoratit Ndërtimor, kërkesat drejtuar policisë së rendit apo degës së monumenteve të kulturës për mbrojtjen e shtëpisë muze.