Përplasja
Drejtësia ka zbutur masat ndaj të arrestuarve, duke i ndjekur në gjendje të lirë
Ndërsa lufta në Tiranë bëhet në rrugë, ku njerëzit tentojnë të zgjidhin problemet me armë, qofshin ato ekonomike, sociale apo konflikte të momentit, në Vlorë jepet alarmi për luftë mes organeve të drejtësisë dhe policisë. Sipas të dhënave, teksa të gjithë kërkojnë dënime më të ashpra për krimet e vogla, që tashmë janë kthyer në shqetësuese, duket se në qytetin bregdetar ndodh e kundërta. Kjo vihet re me të arrestuarit me armë që janë kapur që nga fillimi i vitit, ku mbi 80 për qind e tyre janë liruar. Më i tmerrshëm është fakti se shumica dërmuese e tyre janë persona me precedentë penalë, ndërkohë që njerëzit shpresojnë që drejtësia të tregohet më e ashpër dhe të dërgojë para përgjegjësisë penale të gjithë të akuzuarit.
Nga informacionet e mbledhura rezulton se gjatë këtij viti, pikërisht që nga fillimi i muajit janar deri në fund të korrikut, Drejtoria e Policisë së Vlorës ka arrestuar 40 persona për armëmbajtje pa leje, të cilët janë kapur në periudha të ndryshme kohore, ndërkohë që armët e tyre të zjarrit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Por, çfarë ka ndodhur më pas. Sipas procedurës, këta persona arrestohen në flagrancë, ose me urdhrin e prokurorit dhe më pas dërgohen për masë në gjykatën përkatëse. Por, në të vërtetë, duket se dy institucionet e drejtësisë, të paktën sipas burimeve policore, nuk kanë qenë shumë bashkëpunuese. Pothuajse të gjithë të arrestuarit ndiqen penalisht në gjendje të lirë, pavarësisht se armëmbajtja nuk është një vepër e lehtë penale. Shumica e tyre janë liruar nga gjykata, por ka edhe raste të prokurorisë. Madje, më e keqja është se pothuajse të gjithë janë persona me precedentë penalë, duke filluar që nga veprat penale për vjedhje, deri te kanosjet, ndoshta edhe tentativa vrasjesh. Pra, sipas specialistëve policorë, ata janë një kontingjent i sigurt për krimin e rrugës, ndërkohë që drejtësia jonë i lë në gjendje të lirë, pavarësisht se në momentin e arrestimit, janë kapur edhe me armë. Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, një tjetër masë lehtësuese që u dha nga Gjykata në Vlorë ishte lirimi i katër personave të akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë, të cilëve u ishin kapur edhe armët e krimit. Madje, atyre, laboratori i kriminalistikës u kishte gjetur edhe prova plotësuese, për përdorimin e armëve, por e njëjta gjykatë që i kishte mbajtur në burg në fillim, pavarësisht shtimit të provave bëri lirimin e tyre. Bëhet fjalë për ngjarjen që ndodhi më 3 gusht të këtij viti, në afërsi të stadiumit dhe pallatit të sportit në Vlorë, pas një konflikti për një shesh ndërtimi, ku mbetën të plagosur Krenar Cena, Hiqmet Çobaj, të dy banues në Vlorë, si dhe Përparim Molla dhe Qemal Dedja, banues në Tiranë.