Mitrovicë


Njerëzve në veri, më shumë se politika, u intereson ekonomia dhe e ardhmja e tyre


Qytetarë nga pjesa veriore e Mitrovicës thonë se janë lodhur me gjendjen aktuale atje. Ata duan që brenga e tyre kryesore të mos jetë siguria dhe liria e lëvizjes, por punësimi dhe mirëqenia për ta dhe familjet e tyre.


Gjendja e brishtë e sigurisë me incidente të kohëpaskohshme, si dhe bllokimi i rrugëve dhe barrikadat, sipas këtyre banorëve, nuk janë pjesë e skenarëve të qytetarëve të Mitrovicës, por e disa njerëzve dhe grupeve që kanë interesa e përfitime nga një gjendje e tillë.


Zorica Nikoliç, një banor serb i Mitrovicës, thotë se ka hallin te gjendja e tij e rëndë sociale dhe nuk i intereson shumë politika.


“Nuk më intereson politika fare. Më intereson vetëm jeta, ajo pjesë e jetës që më ka mbetur”, thotë ai.


Krejt çfarë ai dëshiron është që të lëvizë lirshëm nga shtëpia e tij për në pjesët e tjera të qytetit, duke mos pasur frikë nga askush.


“Gjithçka është e mundur, por njerëzit nuk duan. Mendoj se ka vetëm dy kombe, dhe ata janë njerëzit dhe jo njerëzit”, thotë Nikoliç, duke mos dashur që t’i shohë fqinjët e tij si serbë apo shqiptarë.


Pavarësisht gjendjes që për më gjatë se një dekadë mbizotëron në veri të Mitrovicës dhe komunat veriore, disa jetojnë mirë, por shumica nuk kanë punë e para të mjaftueshme, thotë një banor tjetër serb i kësaj ane me emrin Pavlle Trifunoviç.


“Për dikë është shumë mirë e për dikë shumë keq. Unë flas për vete. Nuk kemi para, është jetë e shtrenjtë, tani kam blerë bukë dhe mendohem se a mund të blej edhe qumësht dhe ndonjë gjë tjetër”, thotë Trifunoviç.


Edhe ai thotë se politika nuk i intereson dhe nuk i sheh njerëzit mbi baza kombëtare.


“Nuk e urrej askënd. Mendoj se më së miri është që të ketë një marrëveshje, ngase mjaft kemi pasur dhunë. Duhet të ketë një marrëveshje ose do të vazhdojmë bashkë, ose do të ndahemi. Diçka duhet të vendoset dhe populli të jetojë në paqe”, shton Trifunoviç.


Standardi i jetës dhe perspektiva për banorët e Mitrovicës janë mjaft të zymta, thotë një banor shqiptar nga kjo pjesë, me emrin Armend Potoku. Sipas tij, gjendja e tensionuar kryesisht vjen si rrjedhojë e individëve dhe grupeve që nuk janë banorë të Mitrovicës.


“Mund të them se ka një lloj frike, jo nga banorët e pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, por më tepër nga personat që mund të them se janë të prirë për të organizuar incidente dhe kriza të ndryshme”, shprehet Potoku.


Projektet dhe investimet e përbashkëta për veriun dhe jugun e Mitrovicës, janë rruga më e mirë për t’i tejkaluar problemet ekzistuese, në mënyrë që njerëzit të punojnë dhe të mos merren vetëm me politikë”.


“Unë mendoj se përparësi për zgjidhjen e problemeve në Mitrovicë, si në pjesën veriore, ashtu edhe atë jugore, është që të ketë projekte të përbashkëta, programe zhvillimore sidomos në punësimin afatgjatë, si dhe investimi në ekonomi”, thotë ky banor me emrin Armend Potoku.


Me gjendjen në veri është lodhur edhe Alija Mahmutoviç, një banor i komunitetit boshnjak.


“Unë e them hapur, jetoj zi e më zi”, thotë Alija Mahmutoviç. Hallet e tij kanë kryesisht karakterin dhe natyrën e problemeve ekonomike, ngase nga aspektet tjera të problemeve politike dhe ato të sigurisë, Mahmutoviç thotë se nuk i ka bërë kurrë keq askujt dhe nuk ka nevojë që të frikësohet për sigurinë e tij.


“Mendoj se politikanët janë fajtorë, sepse problemet mund të zgjidhen. Duhet të gjenden njerëz të mençur që i zgjidhin problemet, sepse situata si kjo në Mitrovicë nuk ka askund në Europë”, shprehet Alija Mahmutoviç.


Gjendja në pjesë veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, mbetet e brishtë. Për mbajtjen e një sigurie të përgjithshme atje, përkujdesen forcat paqeruajtëse të KFOR-it, përderisa institucionet e Kosovës nuk kanë mundur të shtrijnë autoritetin e tyre, për shkak të funksionimit të strukturave paralele që mbështeten nga Serbia.


Kohët e fundit, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, i kanë shtuar thirrjet drejtuar të gjitha palëve të përfshira, që të bisedojnë dhe gjejnë një zgjidhje të pranueshme e paqësore.


RFE


 


Ideja


 


Zv.kryeministri i Kosovës e shtron çështjen gjatë një vizite në Ajova


 


Kuçi kërkon mbështetjen e SHBA-së


për traktat paqeje me Serbinë


 


Ideja e prezantuar në Prishtinë për arritjen e një traktati paqeje midis Kosovës dhe Serbisë, është prezantuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, në kuadër të Konferencës “Programi i partneritetit midis shtetit të Ajovas dhe Kosovës”.


Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, mes të tjerash ka thënë se traktati i paqes është një ide që duhet të jetë si qëllim final në raportet ndërmjet dy shteteve fqinje.


Me anë të këtij traktati, sipas tij, Kosova dhe Serbia do të përmbyllnin konfliktin mes të dyja vendeve dhe popujve, duke përfshirë njohjet reciproke, respektimin e tërësisë territoriale, mospengimin e njëri-tjetrit në fushat e integrimeve rajonale, europiane, në OKB dhe mekanizmat të tjerë ndërkombëtarë. “Çdo luftë duhet të përfundojë me paqe”, ka deklaruar Kuçi, duke cituar Presidentin amerikan Uilson, se “vendimi për të bërë paqen është po aq i rëndësishëm sa vendimi për të filluar luftën”.


“Kjo nuk është kërkesë për të harruar të kaluarën dhe dhunën nga Serbia, por për të mbyllur kapitullin e konfliktit dhe hapjen e kapitullit të bashkëpunimit dhe paqes mes vendeve, popujve dhe rajonit tonë”, është shprehur Kuçi.


Për realizimin e kësaj ideje, Kuçi kërkoi angazhimin e SHBA-së dhe BE-së si garantues, duke rikujtuar se një traktat i tillë do të duhej të kishte garanci ndërkombëtare.


Gjithashtu, zëvendëskryeministri kosovar ka deklaruar se dialogu teknik i filluar vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë, por pasi Beogradi t’i zbatojë marrëveshjet e arritura.


Ndërkaq, për gjendjen në komunat veriore të Kosovës ai ka thënë se “veriu sfidohet ende nga prania e strukturave ilegale të Serbisë dhe iniciativa e institucioneve të Kosovës për të vënë sundim të plotë të ligjit në këtë pjesë, nuk do të jetë nismë kundër qytetarëve serbë të Kosovës, por vetëm kundërshtim i fuqishëm për kriminelët dhe strukturat ilegale që veprojnë në çfarëdo pjesë të Kosovës”.


RFE