Vrasja për një varëse, sekuestrohet thika

Provat

Thika - Kemi dyshime se është arma e krimit. Thika ka qenë e pastruar, e larë dhe në pamje të parë nuk kishte ndonjë shenjë gjaku

Kapelja - Më parë, grupi hetimor kishte gjetur një kapele, në të cilën kishte gjurmë gjaku të viktimës, si dhe një fije floku të autorit

Prokuroria gjen armën e ftohtë në shtëpinë e Aldo Hoxhës, dërgohet për ekspertim

Sokol Çobo

Aldo Hoxha ne gjykate

Një provë mjaft e rëndësishme është gjetur në banesën e Aldo Hoxhës, i arrestuar për vrasjen e Fatbardha Tafës pasditen e 7 gushtit në kryeqytet. Prokuroria ka sekuestruar një thikë në banesën e 21-vjeçarit, e cila i plotësin kushtet e një arme të ftohtë dhe ka dyshime të forta se “ajo është arma e krimit”. Burimet tregohen të matura në një konkluzion përfundimtar, pasi pohojnë se thika është dërguar për ekspertizë në policinë shkencore.

 

Sekuestrohet thika

“Kemi sekuestruar një thikë në banesën e Aldo Hoxhës, e cila ishte fshehur. Kemi dyshime se është arma e krimit, megjithëse duhet një konkluzion shkencor për ta vërtetuar. Thika ka qenë e pastruar, e larë dhe në pamje të parë nuk kishte ndonjë shenjë gjaku”, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit, të cilat saktësojnë se hetimet për këtë çështje janë në vazhdim e sipër, megjithëse i akuzuari kryesor, Aldo Hoxha, qëndron me masë sigurimi arrest me burg. “Ka dyshime se 21-vjeçari është ndihmuar nga të paktën një person. Gjatë marrjes në pyetje nuk ka dhënë asnjë shpjegim për bashkëpunëtorët, ndërsa ka mbajtur një qëndrim mohues ndaj akuzave. Ai është marrë disa herë në pyetje dhe në të gjitha rastet nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Pas këtyre procedurave, hetimet po fokusohen te provat shkencore që të vërtetojnë se Aldo Hoxha është një nga autorët e vrasjes së shtetases Fatbardha Tafa”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës, që saktësojnë se një shpresë e madhe për zbulimin e kësaj ngjarje është te thika e sekuestruar në banesë, ndërsa si prova të tjera është edhe një kapele ku ka pasur fije floku dhe gjurmë gjaku. Vetë i akuzuari ka pohuar se “po më bëni kurban, po më përdorni si kokë turku. Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë vrasje, pasi kam qenë në shtëpi dhe po përgatitesha për të shkuar në dasmë, kur ka ndodhur ngjarja”.

 

Provat në kapele

Grupi hetimor, i kryesuar nga Blerim Tominaj, pohon se mbrëmjen e 7 gushtit, kur ndodhi krimi i rëndë në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, dy motrat Lumturie Gjana dhe Fatbardha Tafa, gjatë përplasjes me autorët kanë arritur ta kapin Aldo Hoxhën dhe ta mbështesin në murin e një banese private. 21-vjeçari ka tentuar t’i marrë nga qafa varësen e floririt viktimës Fatbardha Tafa, ai është arritur të neutralizohet nga dy motrat dhe të mbështetet me forcë në mur, ku dhe është konstatuar pjesa e gjakut. Aty pretendohet se atij i ka rënë një kapele, ngjyrë jeshile. Por, pas krimit, dëshmitarët kanë marrë kapelen, të cilën ia kanë lënë në dorë djalit të mitur të Fatbardhës. Më pas, djali e ka marrë kapelen me vete në makinën e burrit të Lumturie Gjanës, ku është lënë për dy ditë. Burri i Lumturie Gjanës është habitur nga kapelja, kështu që dy ditë pas krimit, ka njoftuar policinë, duke e dorëzuar atë pranë grupit hetimor. Djali i mitur ka treguar për policinë se kapelen e mbante në kokë njëri nga grabitësit, kështu që menjëherë ajo është dërguar për analizat e ADN-së, ndërkohë që i dyshuari Aldo Hoxha ishte shoqëruar dhe lënë i lirë. Në kapele, policia shkencore ka gjetur gjurmë gjaku, që pretendohet se janë të viktimës, një qime floku, e cila i përket Aldo Hoxhës dhe djersë. Prokuroria shprehet e bindur se ka dëshmi që vërtetojnë se kapelja ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është përdorur nga i dyshuari, për të cilin prokuroria ngre akuzën se veçse ka marrë pjesë në ngjarje, ai ka goditur me thikë pesë herë viktimën, ku tri goditje kanë qenë vdekjeprurëse.

 

Deklarimet e Aldos

I arrestuari, i cili nuk e pranon krimin, ka kërkuar ballafaqim me Lumturie Gjanën, e cila pretendohet se ka bërë njohjen e autorit. “Nëse ajo pretendon se është përplasur me vrasësin, atëherë le të vijë para gjykatës dhe të më identifikojë, nëse atë ditë kam qenë unë apo jo”, ka pohuar në sallën e gjyqit Aldo Hoxha. Fakti i qëndrimit të Aldo Hoxhës, i fshehur gjatë mbrëmjes së 7 gushtit, është argumentuar në gjykatë nga 21-vjeçari si frikë ndaj forcave të policisë. “Kam vënë re se po më ndiqnin policët dhe nga frika e tyre, kam kujtuar se do të më ndalonin për një problem që kisha me një makinë, prandaj dhe kam shkuar në banesës e xhaxhit, për t’u fshehur”, ka treguar në sallën e Gjykatës së Tiranës i arrestuari Aldo Hoxha.

 

Autor te 18 Gusht 2012. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • mediani

    duhet kthy denimin me vdekje per keta njerez te semur e te pashpirt, nuk i duhen kujt; as shoqeris as familjes njerezit se ua moren nenen femijeve ne sy te tyre.

  • Gogo

    Qendrimi i familjareve, i vete personit te akuzuar dhe si jane paraqitur veprimet dhe deklarata e policise nga mediat eshte dyshimte autoresia e Hoxhes.
    Dyshimi shtohet edhe me shume po te mbajme parasysh se ne policine tone te paafte paguhen edhe keqberes por militante.
    Le te shpresojme se krimi do zbulohet me te vertete.