Asanzh në ballkonin e ambasadës së Ekuadorit


Themeluesi i ‘Wikileaks’, Julian Asanzh, përmes një daljeje publike nga ballkoni i ambasadës së Ekuadorit në Londër, i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ndalin atë që ai e cilësoi si ‘gjueti shtrigash’ ndaj organizatës së tij.


Kjo ishte paraqitja e parë publike e tij, që kurse ka gjetur strehim në ambasadën e Ekuadorit për t’iu shmangur ekstradimit në Suedi, ku është i kërkuar për t’u marrë në pyetje lidhur me akuzat për abuzim seksual.


Julian Asanzh i trembet një ekstradimi në Suedi, pasi preteksti sipas tij, është që më tej të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, ku mund të ballafaqohet me ndjekje penale dhe dënim të rëndë për shkak se ‘Wikileaks’ i ka publikuar mijëra dokumente diplomatike sekrete amerikane.


Këtë javë, Ekuadori i dha Asanzh azil politik, ndërsa qeveria britanike ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi dhe është e sigurt se nuk do të lejojë kalim të sigurt për të dalë jashtë vendit për Asanzh dhe se do ta përmbushë obligimin juridik për ekstradimin e tij në Suedi.

19 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)