Kryeministri sulmon Presidentin e Iranit për deklaratat e lëshuara së fundmiNë mes të një konflikti të fortë verbal mes Izraelit e Iranit dhe mundësive për sulme mes tyre, ka ndërhyrë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ka dënuar deklaratën e fundit të Presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad kundër ekzistencës së Izraelit. Në deklaratën e ashpër të tij, Kryeministri Berisha thekson se, Ahmedinexhad përbën një kërcënim real për paqen në Lindjen e Mesme dhe e cilëson atë një pasardhës të Hitlerit, për mënyrën si i përçmon hebrenjtë. “Me deklaratën e tij të fundit, se nuk do të ketë vend në Lindjen e Mesme për Izraelin, Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad, dëshmon në mënyrë të përsëritur se ai ndan me Hitlerin dhe lejtënantët e tij qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre. Me këto qëndrime, Ahmadinexhad dëshmon se ai dhe ideologjia e tij janë një kërcënim real madhor dhe në rritje për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme e në mbarë botën. Deklaratat naziste e paranojake të Ahmadinexhad, janë një thirrje e vërtetë për ndalimin me çdo kusht dhe mjet të programit nuklear të Iranit, si një ndër rreziqet më madhore të paqes botërore sot”, thuhet në qëndrimin e Kryeministrit Berisha. Disa ditë më parë, Presidenti i Iranit deklaroi se “regjimi sionist është një kancer. Shumë shpejt vendet e rajonit do t’i japin fund pranisë së pushtuesve sionistë në tokën e Palestinës. Perëndimorët thonë se duan një Lindje të Mesme të re, por në rajonin tonë nuk do të ketë më gjurmë të sionistëve”. Ai e mbylli fjalimin me klithmën: “Vdekje Izraelit dhe vdekje Amerikës”.
Deklarata: Ahmadinexhad dëshmon në mënyrë të përsëritur se ai ndan me Hitlerin e lejtënantët e tij qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre