Organizata nga shumë shtete të Amerikës do të marrin javës që vjen një takim, i cili do të ketë në qendër vendimin e marrë nga Presidenti i Ekuadorit për t’i dhënë azil politik themeluesit të “Wikileaks”, Julian Asanzh. Ky vendim shkaktoi dhe një moment të vështirë diplomatik mes Britanisë së Madhe, në të cilën ndodhet Asanzh dhe Ekuadorit, shteti i cili i ka ofruar Asanzh strehim politik. Pikërisht kjo përplasje do të diskutohet javës që vjen, në një takim të ministrave të jashtëm nga shtete të ndryshme të Amerikës. Organizata e Shteteve Amerikane ka votuar për të mbajtur këtë takim. Për sa i takon Asanzh, ai e ka quajtur vendimin e Ekuadorit në favor të tij si një “vendim historik”, por sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, e bëri të qartë se australiani, megjithatë, nuk do të lejohet që të dalë jashtë vendit. Këshilli i Përhershëm i Shteteve Amerikane (OAS) ka vendosur që takimi të mbahet në Uashington. Ndaj rezolutës për këtë takim votuan kundër Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Trinidad e Tobago, por 23 vende të tjera anëtare ishin pro një takimi të tillë. Në fakt nuk është se takimi do të përqendrohet te personi Asanzh, por te problemi që shtrohet pas kërcënimit, apo paralajmërimit që iu bë Ekuadorit nga Londra për mundësinë e një hyrjeje me forcë të britanikëve në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Sipas kryetarit të organizatës, ky është një problem që ka të bëjë me të gjithë dhe jo vetëm me një shtet si Ekuadori dhe ka të bëjë me mosprekshmërinë dhe mosdhunimin e misioneve diplomatike të vendeve anëtare të organizatës. Presidenti i Ekuadorit, Korrea, tha në një intervistë në radio të premten, se kombi i tij nuk po përpiqej aspak që të ndalonte përpjekjen e Suedisë për të marrë në pyetje Asanzh. Ai tha: “Arsyeja kryesore përse Asanzh iu dha strehim politik është ajo që një ekstradim i tij në një vend të tretë nuk ishte i garantuar”. Ndërsa ministri i Jashtëm britanik deklaroi se nuk duhej përdorur imuniteti diplomatik për të strehuar persona, të cilët akuzohen për krime. Ndërkohë, ekspertët janë kundër paralajmërimeve të Ministrisë së Jashtme britanike. Ministria e Jashtme britanike ka kërcënuar në mënyrë indirekte se do të nxjerrë me dhunë nga ndërtesa e ambasadës së Ekuadorit themeluesin e “Wikileaks”. Në ligjin britanik për shërbimin konsullor ekziston një rregull, i cili lejon heqjen e përkohshme të statusit diplomatik të një ndërtese. Megjithatë shumica e ekspertëve në Londër u shprehën të tmerruar nga një veprim i tillë, sepse ai mund të provokojë hakmarrje kundër ambasadave britanike dhe ambasadave të tjera perëndimore në mbarë botën. Në mesin e kritikëve është edhe ish-ambasadori Toni Brenton. “Unë dyshoj se Ministria e Jashtme e di se ky ishte një gabim. Ka edhe arsye praktike dhe ligjore që flasin kundër heqjes së imunitetit diplomatik për ndërtesat e ambasadave. Kundërshtimi praktik është (dhe këtu unë flas si një ish-ambasador në Moskë) se në këtë mënyrë diplomatët britanikë mund t’i nënshtrohen një trajtimi të ngjashëm”, tha Brenton. Asanzh ka kërkuar para shtatë javësh strehim në ambasadën e Ekuadorit, sepse Britania e Madhe mund ta ekstradojë në Suedi, ku prokuroria e akuzon për delikte seksuale. Asanzh ka humbur betejën e tij ligjore në Britaninë e Madhe kundër ekstradimit në të gjitha instancat. Ai ka frikë se suedezët mund ta ekstradojnë atë për në Shtetet e Bashkuara, ku ai, në rastin më të keq, për shkak të tradhtisë së sekretit shtetëror, mund të përballet me dënimin me vdekje.