Formulari A2, 2000 maturantë paguajnë 2 herë për ta plotësuar

Nga 4000 të “djegur”, rreth 1000 janë mbetës në një prej lëndëve të gjimnazit

Shpresa Mezini

Numri i mbetësve në maturën e sivjetshme arrin në rreth 4 mijë nxënës, shifër relativisht e konsiderueshme.

E megjithatë, burime në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije se sivjet, përqindja e ngelësve është më e vogël se ajo e vitit të kaluar. Ndërsa nuk përjashtohen edhe nxënësit, të cilët edhe pse janë kalues në 4 provimet e maturës, për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të plotësojnë formularin e preferencave. Por, numri i tyre nuk dihet ende saktësisht. Nisur nga kjo logjikë, Ministria e Arsimit vuri në dispozicion një afat të dytë për plotësimin e këtij dokumenti, që u ofron atyre mundësinë për të studiuar në një prej fakulteteve të vendit. Por, kjo me kushtin që kandidatët për studentë të paguanin tarifën për plotësimin e formularit të preferencave për herë të dytë. Kështu, edhe pse këta maturantë, numri i të cilëve thuhet të ketë qenë te rreth 2 mijë, e kishin prerë një herë faturën e pagesës u detyruan ta bëjnë atë për herë të dytë, shifër që arrin tek 2 mijë lekë të reja. Duke iu referuar rregullores së maturës shtetërore, nxënësit që do t’i nënshtrohen sesionit të dytë të provimeve, përpara se të futen në auditorë duhet të paraqesin mandatarkëtimin e pagesës prej 2 mijë lekësh të reja, që bëhet në bankë. Vetëm në këtë mënyrë ai vërteton se ka paguar për të blerë formularin dhe për të bërë plotësimin e tij.

Faza e dytë

Në datat 9-10 gusht, të gjithë maturantët që kanë përfunduar provimet e Maturës Shtetërore, por që për arsye objektive nuk mundën të aplikojnë për studimet e larta në fazën e parë, iu nënshtruan një faze të dytë për plotësimin e Formularit A2.

Kështu Ministria e Arsimit vendosi që faza e dytë të zhvillohej në datat 9-10 gusht, nga ora 08:30-16:30 në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Në bazë të përllogaritjeve të bëra nga drejtoritë arsimore rajonale, numri i maturantëve që kanë të drejtë të aplikojnë në fazën e dytë është rreth 2 mijë, por ende nuk dihet sa prej tyre ishin të interesuar, për shkak se të dhënat zyrtare nuk janë publikuar ende.

Sezoni i vjeshtës

Të gjithë maturantët që kanë rezultuar mbetës në një lëndë të gjimnazit, do të kenë mundësi t’i shlyejnë detyrimet në shtator. Mësohet se ngelësit në total janë 4 mijë, prej të cilëve rreth 3 mijë mbetën në një apo dy provime të maturës. Nga ana tjetër rezulton se janë mbi 1 mijë nxënës, të cilët nuk kanë mundur të zhvillojnë provimet e maturës, për shkak se janë mbetës në një prej lëndëve të vitit të katërt apo të pestë të shkollës së mesme.

Këta maturantë do t’i shlyejnë detyrimet shkollore në datat 27-29 gusht. Ndërkohë, tashmë në udhëzimin e MASH për sezonin e vjeshtës janë përcaktuar edhe datat e zhvillimit të testimeve, që do të jenë përkatësisht, 9, 13 dhe 17 shtator.

Sipas udhëzimit, në këto provime do të hyjnë jo vetëm mbetësit, por dhe ata që për arsye të ndryshme nuk kanë marrë pjesë në sesionin e parë të provimeve të maturës.

Tekstet shkollore, nis shitja në datat 27 gusht-10 shtator

Duke nisur nga data 27 gusht, në të gjitha shkollat parauniversitare do të nisë shpërndarja e teksteve shkollore.

Kështu sqaron këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, i cili tha se nga data 27 gusht në të gjithë shkollat do të nisë shitja e teksteve shkollore për nxënësit e të gjitha klasave të arsimit parauniversitar. Kristiqi pohoi se titujt e teksteve shkollore janë shtypur të gjitha në masën 100 për qind, çka do të thotë se nuk do të ketë mungesë tekstesh. Ai theksoi se Ministria e Arsimit do të ndjekë me kujdes të gjithë procesin, për të mos lejuar asnjë vonesë në shpërndarjen e librave, e cila do të vazhdojë deri në datën 10 shtator, kur nis edhe viti i ri shkollor 2012-2013.

 

Autor te 19 Gusht 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry