Menyja e fëmijëve në plazh

Kur jeni me pushime, mos u jepni fëmijëve ushqime të yndyrshme dhe të gatshme. Duhet të pinë sa më shumë ujë, edhe pse nuk kërkojnë

Në verë, me ngrohjen e motit dhe frekuentimin e shpeshtë të mjedisit detar, fëmijëve u pritet oreksi, e si pasojë nuk duan të ulen në tryezë si zakonisht. Ata kanë tendencë të konsumojnë më shumë ushqime pa vlera jashtë vakteve. Pediatrit i rekomandojnë nënat, për të favorizuar edhe përshtatjen, që ta pakësojnë sasinë e ushqimit të paktën 2-3 ditët e para në det, çka do të thotë që të heqin ose reduktojnë ushqimet e yndyrshme siç janë qumështi, veza, djathi, gjalpi, të skuqurat, si dhe ato kremoze. Dhe t’u japin të vegjëlve më shumë lëngje, sidomos ujë. Nëse trupi i një të rrituri është i përbërë prej më shumë se 60% ujë, i një fëmije ka një përqindje që e tejkalon 80%. Gjithashtu edhe sistemi i temperaturës dhe kontrollit të etjes te fëmijët është në fazë zhvillimi dhe jo gjithmonë fëmija percepton stimulin, kështu që është mirë t’i paraprihet etjes, në mënyrë që niveli i lëngjeve të mos ulet nën kufirin e përcaktuar dhe lëngjet dhe fëmijët tanë të mos humbasin gjallërinë e tyre e buzëqeshjen.

Në drekë, makarona të ftohta, në darkë peshk

Sipas specialistëve, vakti duhet të jetë i lehtë dhe i ushqyeshëm. Në drekë do të këshillohej një pjatë me pilaf ose makarona të ftohta, që mund të shoqërohen me një domate, borzilok, zarzavate dhe djathë të freskët. Një alternativë tjetër është një fetë bukë e lyer me vaj e kripë dhe një kokërr domate, që konsiderohet si ushqimi më i mirë kundër të nxehtit. Një tjetër akoma është kos i përzier me fruta të ndryshme. Në darkë do të ishte mirë të zgjidhnit një pjatë të lehtë, që mund të jetë peshk (në zgarë) ose mish (gjoks pule) shoqëruar me pak zarzavate. Nëse fëmija ka oreks, mund t’i gatuani një pjatë makarona, por pa e kaluar masën 60 g.

Mesvaktet

Për një fëmijë: kos 125 gr, disa grimca çokollate, një lugë me arra të tharmuara, një lugë manaferra dhe luleshtrydhe, biskota të thërrmuara dhe kanellë. Derdheni kosin në një gotë me kapak dhe shtojini brenda të gjithë përbërësit e mësipërm. Shtojini një lugë sheqer, ose më mirë akoma një lugë kafe mjaltë.

Pasi e keni ushqyer mirë fëmijën në drekë, kur të ngrihet nga gjumi, mund t’i jepni një akullore, një fetë kek ose tortë shtëpie, një fetë bukë integrale të lyer me reçel.

Në darkë, pasi ka ngrënë vaktin mund t’i jepni një frutë, ose kos. Nëse nuk e pëlqen shqeto mund ta përzieni me fruta, konflekse dhe fruta të thata. Mund t’i jepni një gotë qumësht të përzier me pak lëng të freskët frutash. Një pure me tulin e pjeshkës të përzier me pak qumësht, normale ose të ngrirë në akull, në formë kasate.

Pijet

Kur jeni në plazh duhet të mbani me vete ujë natyral dhe një shishe të vogël të mbushur me lëng frutash të freskëta, që kryesisht duhet të jenë agrume. Për të shuar etjen e fëmijëve, përveç atyre që përmendëm më lart, rekomandohet edhe çaji i ftohtë i përgatitur vetë në shtëpi. Për ta bërë më të shijshëm mund t’i shtoni tulin e pjeshkës.

Tre receta

Nëse fëmija juaj vuan nga kapsllëku (për shkak të ndryshimeve klimatike), shtrydhni dy mollë, 200 gr stafidhe të kuqe me një kumbull të zezë. Kjo ndihmon në mirëfunksionimin e zorrëve. Nëse fëmija jashtë shtëpisë kërkon ëmbëlsira, shtrydhini 100 gr karota dhe 100 gr portokaj. Përziejeni lëngun me një banane dhe disa kokrra rrush të thatë, pasi janë të pasura me kalcium, hekur dhe kalium, zvogëlon dëshirën për të ngrënë ushqime të ëmbla. Nëse keni një fëmijë që djersin shumë, përzieni një gotë kos me ujë të ftohtë dhe tri feta pjepër. Kjo “pije” shuan etjen dhe i bën mirë zorrëve.

Autor te 19 Gusht 2012. Botë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • loni

    nuk e di eke per femijet amerikane apo per shqipetare.Se ajo fotoja duket qe eshte mare ne
    amerike,po dil ne ndonje lagje ketej beji fotot