Dy të shtëna pistolete për pak i kanë marrë jetën një 35-vjeçari mbrëmjen e djeshme në qytetin e Fierit. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 21:30 në lagjen “Apolonia”, në kryqëzimin që të çon drejt stacionit të trenit. I plagosuri ka qenë në një bar, kur është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë nga një person tjetër. Autori e ka qëlluar dy herë në këmbë të dëmtuarin, duke e plagosur rëndë. Më pas është larguar me vrap nga vendngjarja duke mos lënë gjurmë dhe duke përfituar edhe nga errësira. Ndërkaq, i plagosuri me S.M., rreth 35 vjeç, është shoqëruar për në spital nga persona të pranishëm në vendngjarje. Për shkak të plagëve të shkaktuara nga predhat e fishekëve të pistoletës, i plagosuri ka pasur shumë gjakrrjedhje. Trotuari para barit ku u qëllua 35-vjeçari është mbushur me gjak, duke terrorizuar kalimtarët. Burime nga spitali kanë pohuar për gazetën se pas dhënies së ndihmës së parë mjekësore, i plagosuri nuk ka më rrezik për jetën. Ndërkaq, në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë, të cilat kanë nisur hetimin për identifikimin dhe kapjen e autorit. Burime të gazetës janë shprehur se autori është njohur nga i plagosuri. Ndërkaq, ende nuk dihen motivet që çuan në plagosjen e 35-vjeçarit. E.H.