Ministri i Inovacionit e akuzoi ish-kreun e SHISH për fshehje të informacionit
Fatjona Mejdini – Ministri i Inovacionit në qeverinë “Berisha”, Genc Pollo, replikoi në distancë me ambasadorin amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, për sa i përket profesionalitetit dhe paanshmërisë me të cilën Bahri Shaqiri ka drejtuar Shërbimin Informativ Shtetëror. Përgjatë një interviste në “Ora News”, Pollo bëri të ditur për herë të parë dhe arsyet se pse ish-kreu i SHISH-it nuk parapëlqehej nga qeveria dhe Kryeministri Berisha, duke sjellë edhe shkarkimin e tij. Pavarësisht se deri tani nuk ka ardhur asnjë motivacion zyrtar për shkarkimin e ish-kreut të SHISH-it, duket se ky veprim është marrë në kuadër të akuzave të Kryeministrit Berisha, se Bahri Shaqiri kishte qenë pjesë e “puçit të shtetit” që disa institucione qendrore kishin ndërmarrë. Sipas Pollos, Bahri Shaqiri pati ndikime politike gjatë drejtimit të SHISH-it dhe rasti më flagrant për ministrin ishte ai i 21 janarit të vitit të shkuar. Ministri i Inovacionit e akuzoi Shaqirin se kishte shkelur Kushtetutën, pasi, sipas tij, nuk kishte raportuar te Kryeministri Berisha të dhënat që kishte se në këtë datë do të kishte protesta të dhunshme. “Në qoftë se themi që Shërbimi Informativ Shtetëror ka pasur ndikime jo të duhura në jetën e brendshme politike, ka pasur dhe nga viti 2005 e këtej. Të gjithë ne duhet të kujtojmë që drejtori i SHISH-it para 21 janarit tha se nuk do të ketë dhe nuk ka të dhëna për përdorim dhune, ndërkohë që ai është një shërbim me agjentë me oficerë, me miliona që shpenzohen. Ç’mund të mendojmë ne kur dëgjohet se drejtorët në SHISH kanë sjellë informacione për dhunë dhe pastaj raportimi zyrtar ishte që “nuk ka të dhëna se do të këtë sulme”. Atëherë këtu ka një mungesë realiteti dhe një problem të politikës së brendshme, këtu ka një problem të cilësisë së shërbimit jo në raport me një parti apo qeveri të caktuar, por me kushtetutshmërinë dhe me përgjegjësinë që ka ndaj ekzekutivit”, argumentoi ministri i Inovacionit në qeverinë “Berisha”. Ky qëndrim i shprehur nga Genc Pollo për punën e Bahri Shaqirit në krye të SHISH-it është i ndryshëm nga ai që dha pak ditë më parë ambasadori amerikan Arvizu. Sipas ambasadorit Arvizu, drejtuesi i ri i SHISH-it duhet të jetë në lartësinë e paraardhësit të tij, duke e quajtur të shkëlqyer drejtimin që Bahri Shaqiri i bëri SHISH-it, duke nisur nga viti 2005. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës i detyrohen sinqerisht zotit Shaqiri për marrëdhëniet e karakterizuara. Gjithashtu, sipas perspektivës së Shteteve të Bashkuara, ai ishte një partner i vendosur, duke ndihmuar në ndërtimin e një bashkëpunimi të fortë mes shërbimit që ai drejtonte dhe tonit. Për këtë, ne i jemi shumë mirënjohës. Për sa i përket zëvendësimit, ndryshimet janë të mira, pasi një zyrtar i shtetit nuk duhet të qëndrojë në detyrë për një kohë të gjatë”, u shpreh Arvizu për Shaqirin, duke i bërë thirrje edhe Visho Ajazi Likës që të kuptonte faktin se SHISH-i nuk mund të drejtohej më si përpara vitit 1998. Për sa i përket profesionalizmit të Visho Ajazi Likës, ministri i Inovacionit, Genc Pollo, shfaqi konsideratat më të larta, duke e quajtur atë profesionist. Ish-shefi i Likës, kur ky i fundit mbante pozicionin e zëvendësministrit të Inovacionit, theksoi se SHISH-i do të drejtohej tani sipas ligjit dhe Kushtetutës. Ai i konsideroi deklaratat kundër këtij emërimi si zhurma dhe thashetheme, të cilat ishin të ekzagjeruara. Sipas Pollos, SHISH është një institucion në varësi të Kryeministrit të vendit dhe emërimi i Likës si drejtues i këtij institucioni, nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt.
Genc Pollo: “Ç’mund të mendojmë ne kur dëgjohet se drejtorët në SHISH kanë sjellë informacione për dhunë dhe pastaj raportimi zyrtar ishte se “nuk ka të dhëna që do të ketë sulme”?!
Aleksandër Arvizu: “Shaqiri ishte një partner i vendosur, duke ndihmuar në ndërtimin e një bashkëpunimi të fortë mes shërbimit që ai drejtonte dhe tonit. Për këtë ne i jemi shumë mirënjohës”
Marrëdhënia: Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, ka qenë ish-shefi i Visho Likës, kur ky i fundit ishte zëvendësministër në qeverinë “Berisha”
Dyshimet
Lika, jo pjesë e regjistrit të gjendjes civile
Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, nuk figuron në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Sipas një hulumtimi të kryer nga gazeta “Shqip”, në regjistrin kombëtar civil të vitit 2008, Lika nuk figuron në listë. Madje ka emra të tjerë të familjes së tij, porse vetë njeriu që është në krye të shërbimit sekret shqiptar nuk figuron. Duke kërkuar emrin e shefit të shërbimeve sekrete, rezultati nuk nxjerr asnjë të dhënë. Ndërsa kërkimet nxjerrin dhe të afërmit e tij që ekzistojnë në gjendjen civile, si p.sh. i vëllai. Është pak i çuditshëm fakti se Lika nuk figuron si shtetas shqiptar në regjistrin civil. Kjo mund të ketë të bëjë me faktin se për 12 vite me radhë, i sapoemëruari në krye të SHISH-it ka jetuar si emigrant në Kanada. Qenia si emigrant mund të ketë ndikuar dhe në heqjen dorë apo në mospërfshirjen nga regjistrimi në regjistrin themeltar të shtetit shqiptar. Ende nuk konfirmohet nëse mosprezenca e Likës në regjistrin kombëtar të gjendjes civile ka të bëjë me faktin se mbase ai nuk ka qenë as në listat e zgjedhësve.