Presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, është shfaqur në një xhami për të shënuar përfundimin e muajit të Ramazanit. Kjo ishte paraqitja e tij e parë publike prej sulmit me bombë më 18 korrik, kur u vranë katër zyrtarët e tij kryesorë të mbrojtjes.
Televizioni i Sirisë sot ka paraqitur pamje të Asadit duke u lutur në xhaminë al-Hamad në kryeqytetin Damask. Paraqitja e fundit publike e Asadit ishte bërë më 4 korrik, kur ai mbajti fjalim në parlamentin e këtij vendi.
Megjithëse Asadi ishte i shoqëruar nga zyrtarët e lartë të regjimit të tij, aty nuk ishte zëvendësi i tij, Faruk al-Shara, i cili sipas disa raporteve, ka dezertuar disa ditë më parë duke kaluar në anën e opozitës, gjë që nuk konfirmohet nga zyra e shtypit të zv/presidentit.
Megjithëse ditë feste për të gjithë myslimanët, raportohet se në qytetin Alepo edhe sot ka vazhduar lufta ndërmjet forcave të regjimit dhe luftëtarëve opozitarë.
19 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)