Nëna 24-vjeçare shfrytëzohej nga tre të rinj. Policia i arreston para se t’i vriste i shoqi
Fillimisht, me 24-vjeçaren kryente marrëdhënie vetëm një prej tre të rinjve të arrestuar
Më pas, i njohuri i parë e ka kaluar 24-vjeçaren te shokët, kundrejt pagesës 1 mijë lekë
Sa herë e thërrisnin për të bërë prostitutën, ajo i hidhte burrit valium, me qëllim që ai të mos zgjohej, derisa të kthehej. Pasi burrin e zinte gjumi, rreth mesnatës, ajo dilte nga shtëpia, e merrnin me makinë dhe kthehej sërish në orën 5:00 të mëngjesit. Këtë veprim, një 24-vjeçare në Gjirokastër e kryente prej gati tetë muajsh, ndërkohë që është zbuluar rastësisht nga i shoqi, e më pas edhe nga policia. Ajo ka pretenduar para burrit dhe policisë se ajo është kërcënuar me jetën e dy fëmijëve, prandaj ka pranuar të bëhet prostitutë, kështu që uniformat blu kanë bërë arrestimin e tre të rinjve, të dyshuar për shfrytëzimin e saj. Historia është zbuluar rastësisht nga policia, pasi vajza ka telefonuar në sallën operative nga frika, pasi burri kishte marrë sëpatën dhe u kishte zënë pritë të rinjve për t’i vrarë.
Arrestimet
Policia e Gjirokastrës deklaroi dje zyrtarisht se ka arrestuar tre të rinj me akuzën e shfrytëzimit për prostitucion të një 24- vjeçareje, të martuar, nënë e dy fëmijëve. Kasem Deçka, 21 vjeç, Arsid Logli, 29 vjeç dhe Marin Batha, 20 vjeç, nën kërcënimin e armëve të ftohta dyshohet se shfrytëzonin seksualisht që prej janarit të renë, duke e detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me ta dhe me persona të tjerë. Sipas të dhënave policore, viktima me inicialet D. R., vetëm pak ditë më parë vuri në dijeni bashkëshortin dhe vëllain e saj për ngjarjen. Ndërhyrja në kohë e specialistëve të Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës çoi jo vetëm në arrestimin e shfrytëzuesve, por edhe në parandalimin e një krimi, pasi bashkëshorti i viktimës kishte marrë një sëpatë dhe po përgatitej të hakmerrej. Ndërkaq, viktima ka deponuar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës se tre të rinjtë, nën kërcënimin e një thike, e kanë detyruar që prej janarit të këtij viti të kryente marrëdhënie seksuale me këta tre shtetas si dhe me shtetas të tjerë kundrejt pagesës 1 mijë lekë të reja për person.
Denoncimi
Dy net më parë, nëna 24-vjeçare mësohet se ka telefonuar në polici, duke kërkuar ndihmën e uniformave blu, pasi sipas saj, burri i saj mund të vriste tre persona, që e kishin përdhunuar dhe e kishin shfrytëzuar si prostitutë. Ajo është thirrur menjëherë në polici, duke treguar të gjithë ngjarjen e përjetuar. Sipas të dhënave të besueshme nga Policia e Gjirokastrës, mësohet se ajo ka shpjeguar se historia niste tetë muaj më parë, kur rastësisht, një person e kishte ngacmuar në telefon dhe më pas, e kishte takuar. Në takim, ai e kishte mbajtur nën presion dhe me kërcënime. Më pas, duke e kërcënuar seriozisht se do t’i vriste dy fëmijët, ai e kishte përdhunuar. Ajo ka shpjeguar për policinë, se e ndjerë nën presion dhe nga frika e fëmijëve nuk kishte treguar asgjë tek burri i saj, duke dashur të harrojë këtë ngjarje të rëndë.
Shfrytëzimi i saj
Por, i riu nuk e ka lënë të qetë, kështu që i ka kërkuar sërish takim dhe kjo mendohet se ka pranuar të shkojë në takim me të, duke kryer sërish marrëdhënie seksuale, megjithëse, kundër dëshirës së saj. Kjo histori ka vijuar disa herë, ndërkohë që më pas, i njohuri i saj ka sjellë edhe dy shokët e tij. Në këto kushte, ajo ka kryer marrëdhënie seksuale edhe me ta, të cilët e kanë paguar për këtë shërbim me 1 mijë lekë për person. Madje, ajo ka shpjeguar se ka shkuar disa herë me ta, kundrejt pagesës, ndërkohë që më vonë, ata kanë filluar të sjellin edhe shokë të tjerë të tyre, të cilëve nuk dihet sesa lekë u merrnin, por kësaj i jepnin nga 1 mijë lekë për çdo rast. Ajo është shprehur se nuk mund të tregonte asgjë, pasi kishte frikë se tre të arrestuarit e kërcënonin se do t’i vrisnin fëmijët edhe atë. Madje, shpeshherë i vinin thikën në fyt, ose e rrihnin, por kujdeseshin që të mos i linin plagë.
Valiumi ndaj burrit
Në lidhje me kohën se kur kryente marrëdhënie seksuale me ta, pavarësisht se ajo pretendonte se e bënte këtë aktivitet kundër dëshirës së saj, policia e ka pyetur edhe sesi ajo i është shmangur burrit. Sipas policisë, ajo ka pretenduar se gjithmonë e merrnin në telefon dhe e kërkonin për të dalë në mesnatë. Në këto kushte, që burri të mos e merrte vesh, ajo përgatiste darkën dhe në pjatën e tij hidhte valium. Burri, menjëherë pas darke, shtrihej dhe e zinte gjumi, ndërsa ajo dilte nga shtëpia, ku e prisnin me makinë tre të rinjtë. Më pas, ajo shprehet se detyrohej të kryente marrëdhënie seksuale në makinë, ose në ndonjë motel, qoftë me të arrestuarit, qoftë edhe me ndonjë shok të tyre. Ajo kthehej në shtëpi sërish rreth orës 05:00 të mëngjesit, duke u shtrirë në krevat, ndërkohë që burri i saj ndodhej në gjumë.
Zbulimi
Ky mekanizëm i përdorur prej saj ka zgjatur për tetë muaj, por që pak net më parë, burri është zgjuar dhe ka kuptuar mungesën e gruas. Ai e ka kërcënuar se do ta vriste nëse nuk tregonte se ku kishte qenë, ndërkohë që ka thirrur edhe vëllain e saj për të mësuar më shumë rreth kësaj historie. Në prezencë të tyre, nëna e dy fëmijëve ka treguar se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që burri ka dalë nga shtëpia dhe që atë natë nuk është kthyer më. Ai ka marrë edhe një sëpatë me vete. Të gjitha këto, ajo i ka treguar pasi ka telefonuar në polici. Menjëherë, forcat policore kanë shpallur në kërkim tre të rinjtë, të cilët po shkonin në shtëpinë e gruas, për ta marrë sërish. Ata janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, ndërkohë që pak kohë më vonë, policia ka gjetur edhe burrin e denoncueses, i cili është kapur me një sëpatë. Policia tha se ai nuk u arrestua, pasi nuk ka kryer ndonjë vepër penale, pavarësisht se dyshohet se kishte zënë pritë për vrasjen e tre të rinjve. Ndërkaq, policia ka dyshime se edhe gruaja e re nuk ka treguar plotësisht të vërtetën, megjithëse tashmë i mbetet në dorë prokurorisë dhe gjykatës për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale. Red. Akt.