Viktoria Beckham, një nga vajzat e ish-grupit britanik muzikor të viteve ‘90, ‘Spice Girls’ dhe bashkëshortja e futbollistit të njohur, David Beckham , ka rrëfyer se ka përjetuar momente ankthi dhe paniku përpara çastit grupi i famshëm i vajzave u ribashkuan për të kënduar në ceremoninë përmbyllëse të Lojërave Olimpike, Londër 2012, aq sa mendoi të hiqte dorë dhe të mos ngjitej fare në skenë për të kënduar.
Ajo që e qetësoi ish-spice, tanimë një stiliste shumë e talentuar dhe e suksesshme si dhe nënë e 4 fëmijëve, ishte shoqja e saj e grupit muzikor, Emma Bunton, të cilën më pas Victoria e ka falënderuar në një radio britanike për besimin që i dha.
“Isha në makinë duke u drejtuar për në stadium së bashku me Emën dhe u bëra gati të zbrisja nga makina dhe të hiqja dorë nga gjithçka kishim planifikuar. Isha kaq shumë nervoze, ndihesha keq dhe Ema u tregua e mrekullueshme. Është një mike e vërtetë. Po të mos ishte për të, nuk do të kisha hipur kurrë në atë skenë për të performuar”, – është shprehur Vicktoria.
19 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)