Lumturi Gjana, motra e viktimës Fatbardha Tafa, nuk identifikon 21-vjeçarin në ballafaqim


Sokol Çobo


Dëshmitarja okulare e vrasjes së Fatbardha Tafës më 7 gusht në Tiranë nuk e ka njohur gjatë një ballafaqimi autorin e dyshuar. Lumturi Gjana është pyetur disa herë nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa ka dhënë shpjegime të hollësishme për kacafytjen me autorët, megjithëse nuk ka dhënë ndonjë dëshmi që mund të identifikojë autorët. Ajo ka bërë përshkrimin e autorit, gjatësinë, veshjen dhe tiparet dalluese, megjithëse pohoi se nuk e kishte parë ndonjëherë këtë person. Më pas shpjegoi mënyrën sesi autorët u ishin afruar, kishin tentuar t’i merrnin varësen Fatbardhës dhe kacafytja mes viktimës. Në një moment, ka thënë Lumturia, motra ime e neutralizoi autorin, madje e vendosi me shpatulla pas një muri dhe e ka qëlluar. Por këtu, ka ndërhyrë një tjetër person që e ka qëlluar me thikë. Burimet nga prokuroria thanë se kanë kërkuar një ballafaqim mes autorit dhe dëshmitares okulare, Lumturi Gjana, në ambientet e Policisë së Tiranës. Rezultatet nuk kanë qenë të pritshme për grupin hetimor, pasi dëshmitarja nuk e ka njohur Aldo Hoxhën.


Ballafaqimi


Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë për gazetën “Shqip” se ballafaqimi mes dëshmitares okulare Lumturi Gjana dhe Aldo Hoxhës është kryer disa herë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Duke qenë se motra e viktimës kishte qenë prezente gjatë ngjarjes, ajo ka qenë personi kyç që mund të zbardhë ngjarjen e 7 gushtit në kryeqytet. Lumturia është pyetur gjerë e gjatë për vrasjen dhe më pas i është kërkuar që të ketë një ballafaqim mes saj dhe të arrestuarit. Pas disa hezitimeve, ajo ka pranuar kërkesën e oficerëve të policisë gjyqësore dhe ka shkuar në qelitë e paraburgimit. Fillimisht, ka parë nga dritarja të arrestuarin dhe nga të dhënat mësohet se nuk ka parë ndonjë shenjë të dallueshme të tij që të ngjajë me autorët. Lumturia ka thënë se ka qenë e tronditur nga ngjarja dhe se nuk i ka fiksuar mirë autorët, megjithëse grupi hetimor ka këmbëngulur se ndoshta kujtohet për ndonjë veshje, tipar apo të dhënë tjetër. Kësaj here, grupi hetimor e vendosi përballë Aldo Hoxhës, sërish në Policinë e Tiranës. Mësohet se Lumturia e pa në sy dhe pasi doli nga qelia e paraburgimit u tha hetuesve se nuk e njihte këtë person. “Më vjen keq, nuk e mbaj mend autorin. Nuk e di nëse është ky apo ndonjë person tjetër. Kam qenë e tronditur dhe se ngjarjet rrodhën shpejt”, mësohet se ka deklaruar Lumturia para hetuesve, të cilët nuk kanë këmbëngulur më. Nisur nga këto të dhëna, prokuroria nuk e ka përfshirë këtë veprim në fashikullin hetimor, ndërsa po fokusohet te marrja e provave që mund të zbardhin vrasjen për një varëse floriri.


Provat shkencore  


Pas dështimit të marrjes së provave me dëshmitarë, grupi hetimor i kryesuar nga prokurori Blerim Tominaj kanë vijuar mbledhjen e provave. Janë marrë gjurmët e gjakut në vendngjarje, në përpjekje se ndoshta ka edhe gjurmë të autorëve, që ishin përleshur me viktimën, ndërsa një nga provat kryesore është një kapele e gjetur dy ditë pas krimit në një automjet që nuk i përkiste autorit të dyshuar, Aldo Hoxha. Më pas, agjentët e policisë kontrolluan banesën e të arrestuarit dhe gjetën një thikë. “Kemi prova shkencore që vërtetojnë dyshimet se Aldo Hoxha është një nga autorët e vrasjes së shtetases Fatbardha Tafa”, pohojnë burimet nga akuza, që saktësojnë se provat janë dërguar në laboratorin kriminalistik ku po i nënshtrohen ekspertizave. Tashmë, shpresa kryesore e grupit hetimor është marrja e provave shkencore, pasi dëshmitë njerëzore nuk mund të përdoren kundër të arrestuarit në gjykatë.


Ballafaqimi: Grupi hetimor e vendosi Lumturie Gjanën përballë Aldo Hoxhës. Dëshmitarja e pa në sy dhe pasi doli nga qelia u tha hetuesve se nuk e njihte këtë person


Dëshmia: “Më vjen keq, nuk e mbaj mend autorin. Nuk e di nëse është ky apo ndonjë person tjetër. Kam qenë e tronditur dhe se ngjarjet rrodhën shpejt”


Akuza: Kemi prova shkencore që vërtetojnë dyshimet se Aldo Hoxha është një nga autorët e vrasjes së shtetases Fatbardha Tafa


Provat: Hetuesit kanë dy prova të forta kundër Aldo Hoxhës, një kapele me disa gjurmë dhe thikën e gjetur në shtëpinë e të dyshuarit


Përplasja, motra e viktimës u plagos më 7 gusht


Fatbardha u vra pasditen e vonë të 7 gushtit në Tiranë, pranë ish-Fushës së Aviacionit, ku së bashku me motrën që jeton në atë zonë dhe fëmijët e tyre dhe vëllait po shkonin për vizitë. E ndërsa Fatbardha Tafa, emigrante në Itali mbeti e vrarë në përpjekje për të izoluar personin që e sulmoi për t’i marrë varësen, në ngjarje mbeti e plagosur edhe motra e Fatbardhës, Lumturie Gjana, në përpjekje për të mbrojtur nga goditjet nipin e saj, Ervisin 13 vjeç, i cili pa sesi e ëma humbi jetën nga agresorët në Tiranë, ku kishin ardhur për të vizituar tezen e tyre. Policia bëri të mundur arrestimin e Aldo Hoxhës, 21-vjeçari që dyshohet si autori i goditjes fatale me thikë të 38-vjeçares Tafa.


Dëshmia, I arrestuari kërkoi në gjykatë ballafaqimin


“Po më bëni kurban, po më përdorni si kokë turku. Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë vrasje, pasi kam qenë në shtëpi dhe po përgatitesha për të shkuar në dasmë, kur ka ndodhur ngjarja”, është shprehur Aldo Hoxha gjatë dëshmisë në gjykatë dhe prokurori. Ai nuk e pranon krimin, ndërsa ka kërkuar ballafaqim me Lumturie Gjanën. “Nëse ajo pretendon se është përplasur me vrasësin, atëherë le të vijë para gjykatës dhe të më identifikojë, nëse atë ditë kam qenë unë apo jo”, ka pohuar në sallën e gjyqit Aldo Hoxha. Fakti i qëndrimit të Aldo Hoxhës, i fshehur gjatë mbrëmjes së 7 gushtit, është argumentuar në gjykatë nga 21-vjeçari si frikë ndaj forcave të policisë. “Kam vënë re se po më ndiqnin policët dhe nga frika e tyre, kam kujtuar se do më ndalonin për një problem që kisha me një makinë, prandaj dhe kam shkuar në banesën e xhaxhit, për t’u fshehur”, ka treguar në sallën e Gjykatës së Tiranës i arrestuari Aldo Hoxha. Kjo dëshmi nuk është marrë e mirëqenë nga ana e gjykatës, e cila ka vendosur që ta lërë në masën e “arrestit në burg”.