Një i burgosur shqiptar në Greqi ka arritur të arratiset nga burgu i Nafplios në orët e paradites së sotme. 40-vjeçari shqiptar, identiteti i të cili nuk bëhet i ditur, ishte plagosur në ambientet e burgut dhe ishte duke u transportuar për trajtim mjekësor në spital, kur dy persona të armatosur me armë të rënda, që mendohet të jenë bashkëpunëtorët e tij, sulmuan katër rojet dhe shoqëruesit e të burgosurit duke i detyruar, nën kërcënimin e armëve dhe duke qëlluar në ajër që të lironin të burgosurin. Pas këtij veprimi, ata janë larguar bashkë me 40-vjeçarin me një makinë në drejtim të paditur.
Burime të policisë së vendit fqinj informojnë se 40-vjeçari shqiptar vuante dënimin me 20 vjet burg për grabitje me armë. Ndërkohë, pas ngjarjes, strukturat policore janë vënë në alarm dhe kanë nisur një aksion të gjerë në shumë krahina të vendit, me qëllim kapjen e të arratisurit nga burgu dhe bashkëpunëtorëve të tij.
20 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)