Kulturë Hanet në pazarin e vjetër të Korçës dhe degradimi i tyre

Hanet në pazarin e vjetër të Korçës dhe degradimi i tyre

1947
SHPËRNDAJE

Objektet Muzeore 

Nga 18 hane, kanë mbetur vetëm tre, të cilat janë drejt shkatërrimit

Gëzim Ashimi

Pazari i vjetër i Korçës, me vlera historike dhe monumentale, pjesë të rëndësishme të tij ka pasur ato që quheshin “Hane” dhe që mbajnë ende këtë emër për ndërtesat e shpallura monumente kulture të kategorisë së parë. Por, duket se vetëm emri u ka mbetur ndërtesave karakteristike që në kohët e lulëzimit të këtij pazari nga fundi i shekullit të kaluar dhe fillimit të shekullit  XX, kur ekzistonin jo pak, por 18 të tilla. Hanet mbanin emra sipas klientëve që strehonin apo zonave nga vinin ata, dhe të tillë ishin Hani i Gjelit, Hani i Manastirit, Hani i Maqedonasve, Hani i Voskopojës, Hani i Elbasanit, Hani i trebickallinjve, Hani i vithkuqarëve, Hani i devollinjve etj. Pothuajse të gjithë janë të shkatërruar, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të këtyre haneve, që tani ose u janë zhdukur gjurmët, ose kanë mbetur ca mure të vogla me gurë. Ishin të gjithë me vlera historike dhe pjesë e trashëgimisë kulturore, që mbart pazari i vjetër i Korçës, por si para viteve ‘90, edhe më pas, nuk është treguar ai kujdes që duhej për ekzistencën e tyre të mëtejshme si qendra muzeore.

 

Nga 18 hane, vetëm tre janë

Ndërsa janë rrënuar apo kanë humbur tashmë çdo gjurmë më shumë se 15 nga hanet e dikurshme të pazarit të vjetër të Korçës, edhe ato pak që mbrohen si monumente kulture, kanë vetëm në letër statusin si të tillë, sepse realiteti për këto hane është i hidhur. Si Hani i Gjelit, edhe ai i Manastirit, por edhe Hani i Elbasanit, vetëm tabelat në hyrje të godinave kanë si hane, sepse ato janë shndërruar e lënë në harresë, aq sa shkatërrimi i plotë duket i afërt. Kështu ndodh me Hanin e Gjelit, ku banonte një familje në kushte të vështira ekonomike, dhe vetëm pas thirrjeve të saj për ndihmë, sepse rrezikonte të shembej çatia dhe krejt ndërtesa, u vu dorë për një riparim të pjesshëm. Por, godina u riparua në mënyrë sipërfaqësore. Dyert e kanatave e dritareve, apo edhe muret e rrjepura tregojnë se ky han nuk e ka jetën e gjatë, nëse nuk restaurohet si duhet. Të njëjtin fat ka pësuar edhe Hani i Manastirit, apo edhe Hani i Elbasanit.

 

Ambiente me qira për tregti

Katet e para të këtyre haneve janë shndërruar në dyqane, që pronarët i japin me qira për tregtarët e pazarit, pa asnjë kusht mirëmbajtjeje. I gjithë oborri i Hanit të Elbasanit është kthyer prej vitesh në një vend tregtimi të mallrave, ndërsa kati i dytë i tij funksionon si një lloj hoteli për bujtës të rastësishëm, por me kushte që ndryshojnë si nata me ditën nga ato kur dikur mbaheshin këto hane. Që të gjitha hanet e pazarit të vjetër të Korçës kanë qenë shumë të dëgjuara, pasi frekuentoheshin si nga tregtarë vendas, ashtu edhe të huaj. Më shumë se 200 vjet më parë, kur nuk i shkonte kujt në mendje për turizëm, këto hane i sollën qytetit të ardhura të konsiderueshme. Ndërsa tani që reklamohet dhe kërkohet zhvillimi i turizmit, këto hane po lihen në harresë si qendra muzeore dhe po shkojnë që të gjitha drejt shkatërrimit.

 

Pazari i vjetër dhe vlerat e tij

Bukuria e haneve qëndronte jo vetëm në atë se ato i jepnin gjallërinë pazarit të vjetër të Korçës, por për nga ndërtimi i godinave me disa oda që lidheshin ndërmjet tyre nëpërmjet një galerie, me vlera të papërsëritshme arkitekturore. Në pazarin e vjetër të Korçës është ndërhyrë disa herë me fonde për restaurime të pjesshme të tij, ku janë përfshirë edhe hanet e famshme të këtij pazari që janë shpallur monumente kulture të kategorisë së parë. Por, këto investime kanë shkuar sa për të lyer me gëlqere fasadat, dhe për të vënë disa dritare të reja, ndërsa brendia e godinave të haneve është në gjendje të mjerueshme, aq sa rrezikojnë çdo ditë shembjen. Investimet e kryera deri tani, në asnjë rast nuk e kanë justifikuar shpenzimin e tyre për mirëmbajtjen e haneve të pazarit të Korçës, ndërsa edhe vetë pazari ka përjetuar, ashtu si hanet e tij, një degradim thuajse të plotë. Bashkia e qytetit shpesh vë në dukje se ka një projekt ambicioz për restaurimin e plotë të pazarit të vjetër e karakteristik të Korçës, por zbatimi i këtij projekti duket ende larg për shkak të fondeve të konsiderueshme që duhen dhe nuk dihet sesi do të vejë fati i atyre 5 apo 6 haneve që i kanë mbetur pazarit të vjetër të Korçës, pa të cilat ai nuk ka shumë kuptim dhe histori.

 

 

Turizmi

Pushteti vendor e konsideron si një ndër objektet me vlera të hershme historike

Pazari i vjetër i Korçës dhe bashkia

Bashkia e Korçës e ka konsideruar pazarin e vjetër të Korçës si një ndër objektet me vlera të hershme historike, por që duket se ai ka mbetur vetëm në letra si i tillë. Edhe në të dhënat e saj zyrtare, aty ku flet për turizmin, Bashkia e Korçës shprehet se pazari i vjetër është objekt me vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike. “Ai karakterizohet nga ndërtesa në përgjithësisht një dhe dykatëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia”, thuhet në informacionet e turizmit nga Bashkia e Korçës. Ai ka qenë i shquar për hanet e vendosur njëri pas tjetrit ku ia vlen të veçohet Hani i Elbasanit dhe Hani i Manastirit, të cilët shërbenin si fjetore për njerëzit që vinin nga jashtë qytetit. Tregu me rreth 1 mijë dyqane arriti kulmin e tij gjatë fundit të shekullit  XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Në strukturën urbanistike të qytetit, pazari krijonte një ansambël më vete. Të dy pjesët e pazarit që ndaheshin nga lumi lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore që vinte nga qyteti, e kalonte lumin mbi një urë të gurtë me qemerë, sipër së cilës ngrihen dyqane. “Pazari është djegur tre herë, por është ndërtuar sërish. Tani pazari vazhdon të funksionojë njëlloj si më parë dhe ka vlera historike dhe monumentale”, thotë Bashkia e Korçës, duke shpjeguar se ky pazar qëndron i hapur nga ora 07:30 – 15:00, gjatë gjithë javës.

 

 

Kurioziteti

Ndër më të vizituarat mbetet ish-vila e Enver Hoxhës, me të cilën turistët njihen vetëm nga jashtë

E shkuara komuniste tërheq vizitorët në Tiranë

Tirana vazhdon të jetë një nga qytetet më të vizituara të Shqipërisë nga turistët e huaj dhe e shkuara komuniste është një nga periudhat më interesante për ta. Vizitorë nga të gjitha kombësitë udhëtojnë drejt kryeqytetit shqiptar, por sipas operatorëve, fluksi i turistëve aziatikë është gjithmonë në rritje. I tillë është edhe interesi i tyre për dëshmitë që ka lënë diktatura në Shqipëri. “Jeta këtu në Shqipëri ka ndryshuar vitet e fundit. Ne kishim dëgjuar për Shqipërinë deri në vitin 1973, më pas nuk dimë asgjë si është zhvilluar jeta këtu dhe kemi ardhur ta shikojmë më sytë tanë”, thotë një turiste. “Është shumë interesante historia e Shqipërisë, prandaj zgjodha ta njoh më mirë nga afër”, shprehet një tjetër. “Jam duke bërë një tur në Ballkan dhe erdha në Shqipëri, pasi është shumë interesante për mua. Jam më shumë e interesuar mbi historinë gjatë regjimit komunist”, thekson një tjetër turiste. Në itinerarin e përcaktuar nga operatorët, përfshihet Muzeu Historik, Xhamia, Bulevardi, Kalaja e Tiranës në rrugën pedonale, por ndër më të vizituarat mbetet ish-vila e Enver Hoxhës, me të cilën turistët njihen vetëm nga jashtë. “Duhet që ne t’i shtojmë më tepër elementet turistike të Tiranës. Do të ishte mjaft e qëlluar në rast se do të arrinim që vila e Enver Hoxhës, që tani është vilë e shërbimit qeveritar, pjesa e tuneleve poshtë që në njëfarë mënyrë janë si katakombe dhe janë shumë interesante, të paktën nga kronikat televizive që kemi parë, që të bëhen të shikueshme dhe të vizitueshme. Ka interes dhe është shumë intriguese”, shprehën operatorët e turizmit.