Viti 2012-2013: Më pak nxënës në shkolla, vetëm 35 të rinj për grup

Arsimi parauniversitar, regjistrimi në gjimnaze sipas lagjes ku banon

Shpresa Mezini

Ndryshe nga përvojat e kaluara, sivjet Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndërmarrë një reformë, e cila synon rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe zgjerimin e njohurive të çdo nxënësi. Kjo, sipas burimeve nga MASH, do të bëhet e mundur nëpërmjet uljes së numrit të nxënësve në klasat e arsimit parauniversitar. Nëse gjatë viteve të kaluara një klasë kishte nga 40-45 nxënës maksimumi, sivjet në këto ambiente do të mësojnë një grup prej vetëm 35 nxënësish në total. Pra, duke filluar që nga ky vit i ri shkollor, numri i nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar do të jetë më i vogël, me qëllim që të rinjtë ta kenë më të lehtë për të përthithur njohuritë që marrin gjatë viteve të shkollës 9-vjeçare apo asaj të mesme. E njëjta formulë do të ndiqet edhe me grupet e fëmijëve që shkojnë në kopshte. Të vegjlit që frekuentojnë kopshtet e qytetit, do të formohen nga jo më pak se 25 vetë, në raport me numrin e përgjithshëm të tyre. Ndërsa për fëmijët që shkojnë në kopshtet e fshatrave të ndryshme të vendit, numri i përcaktuar për grup nga MASH do të jetë 15. Nisur nga kjo logjikë, grupet e fëmijëve në fshatrat e zonave të thella, do të përbëhen nga jo më pak se 10 fëmijë.

Shpërndarja

Përcaktimi i numrit të nxënësve do të jetë i ndryshëm në varësi të shifrës në total të tyre, si edhe të numrit të klasave paralele. Për sa i përket arsimit bazë, cikli fillor, numri i planifikuar për klasat e para do të jetë jo më pak se 30 nxënës, ndërsa të dytat, të tretat dhe të katërtat do të përbëhen nga 32 fëmijë. Ndërkohë, sipas burimeve të MASH-it, ndarja e klasave në paralele do të bëhet në bazë të disa kushteve të tjera, që kanë lidhje me numrin e fëmijëve që numërohet në total për klasë. Kështu kur numri i nxënësve është nga 39-76 do të ketë 2 klasa paralele. Ndërsa kur në një shkollë të ciklit të ulët regjistrohen 77-114 nxënës, numri i klasave paralele do të jetë 3. Shtim të numrit të nxënësve do të ketë në ato raste kur klasat paralele janë 4 dhe numri i nxënësve do të jetë nga 115-153 gjithsej. Ndryshim do të ketë në shkollat që ndodhen në fshatra, sepse ka shumë mundësi që kapaciteti i tyre të mos arrijë shifrat e mësipërme. Në këto kushte Ministria e Arsimit ka vendosur që në këto institucione të punohet me klasa kolektive, të cilat do të përbëhen nga 10 nxënës, të cilët do të punojnë me sistem 6 orësh për çdo ditë. 1 klasë kolektive formohet kur numri i nxënësve në ciklin fillor arrin deri në 20 nxënës. Në këtë mënyrë 5 klasa të bashkangjitura me njëra-tjetrën, përbëjnë atë që quhet klasë kolektive.

Arsimi i mesëm

Sipas MASH-it, edhe në arsimin e mesëm do të aplikohet e njëjta mënyrë si në atë të ciklit të ulët. Kjo do të thotë që edhe në gjimnaze shpërndarja e nxënësve do të bëhet në bazë të numrit të të rinjve që regjistrohen në total, por edhe si pasojë e numrit të klasave paralele që numërohen në shkolla. Në klasat X, XI, XII, klasat do të jenë të përbëra nga jo më pak se 35 nxënës.

Kështu nëse në një shkollë të mesme paraqiten 41-80 nxënës do të “ndërtohen” 2 klasa paralele, kur janë 81-120 të rinj do të funksionojnë 3 paralele, ndërsa kur regjistrohen 121-160 nxënës do të ketë 3 klasa paralele. Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Arsimit, mësohet se sivjet nuk do të tolerohet regjistrimi në gjimnazet që nuk i përkasin lagjes ku ai banon. Specialistët e Arsimit sqarojnë se adoleshentët janë të prirur të regjistrohen në gjimnazet më me “emër”, ndonëse kjo bie ndesh me vendimin e MASH, për regjistrimin në shkollat e mesme sipas lagjeve.

Autor te 21 Gusht 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry